Autoriteti i Dosjeve në bashkëpunim me partnerët organizon në përkujtim të 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
SIMPOZIUM:
NGA E KALUARA NË PËRKUJTIM –KUFIJTË E DIKTATURES NË VITET 1944-1991
Mbrojtja e kufijve gjatë regjimit totalitar konsiderohej një detyrë po aq e rëndësishme sa dhe shtypja e çdo lloj forme të reaksionit opozitar, që mund të rrezikonte pushtetin. Prandaj Forcat e Kufirit kanë qënë një tjetër armë që për mbrojtjen e vendit dhe për parandalimin e kërcënimeve që i kanoseshin regjimit, si nga të ashtëquajtur elementë “armiqësorë të jashtëm”, ashtu edhe nga elementë “armiqësorë të brendshëm.”
Këto Forca kishin dy objektiva kryesore: së pari, të parandalonin arratisjet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit (vepër për të cilën këta shtetas ndëshkoheshin me ekzekutim) dhe, së dyti, të kontrollonin rreptësisht çdo shtetas shqiptar apo të huaj, i cili tentonte të futej nga jashtë drejt kufijve të Shqipërisë (në këtë rast emigrantët e paligjshëm rrezikonin gjithashtu dënimin me vdekje, pasi konsideroheshin “diversantë”).
Që nga viti 1949, shumë shqiptarë janë vrarë nga Forcat Kufitare në zonat Korçë, Ersekë dhe Pogradec, si pasojë e tentativave për të kaluar kufirin. Njësitë e Forcave Kufitare përbëheshin kryesisht nga shtetas shqiptarë, të rinj në moshë, të cilët regjimi i rekrutonte që gjatë kryerjes së shërbimit të detyruar ushtarak, që zgjaste tre vjet. Duke e ditur rëndësinë e kësaj detyre, në këto funksione zgjidheshin vetëm ata individë, të cilët vinin nga familje, që ishin besike ndaj partisë. Gjithashtu, në kryerjen e detyrës së kontrollit kufitar përfshiheshin edhe banorë nga popullsia lokale, me të cilët partia punonte në mënyrë të vazhdueshme dhe që ishin të vetmit civilë që kishin edhe leje për të mbajtur armë në shtëpi. Për këtë arsye, edhe gjatë proçesit të “shpopullimit”, që filloi në vitin 1945, qeveria e kohës u kujdes që të largonte nga zonat kufitare të gjitha familjet që konsideroheshin më pak besnike ndaj regjimit dhe urdhëroi transferimin e tyre në vende larg kufijve.
Ndërkohë, që bota kishtë vendosur rregulla për mbrojtjen e personave që kalonin kufijtë e vendeve të tyre jo legalisht, nëpërmjet Konventës së Gjenevës për Statusin e Refugjatëve, e cila u miratua në 28 korrik 1951 dhe hyri në fuqi më 22 prill 1954, në Shqipëri vijonin ekzekutimet dhe arrestimet ndaj shtetasve, të cilët përpiqeshin të kalonin kufijtë e vendit.
Simpoziumi ka për qëllim të ndriçojë një periudhë të errët të historisë shqiptare, duke analizuar politikat dhe praktikat e regjimit komunist në lidhje me kontrollin dhe mbrojtjen e kufijve gjatë viteve 1944-1991. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, ky simpozium synon të nxjerrë në pah vuajtjet dhe sakrificat e atyre që u përpoqën të largohen nga një regjim shtypës dhe autoritar, si dhe të nderojë kujtesën e atyre që humbën jetën ose u burgosën në përpjekje për të kaluar kufijtë.