Ballina Politika Nesër hapet sesioni i ri i Parlamentit: Ja betejat e para që...

Nesër hapet sesioni i ri i Parlamentit: Ja betejat e para që priten!

22
0

Nesër në orën 17:00 Kuvendi zhvillon mbledhjen e parë pas pushimeve të verës, duke çelur kështu sezonin e ri politik.

Për shkak së zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen në pranverë këto janë muajt e fundit të jetës së këtij parlamenti dhe për një pjesë të deputetëve këto do të jenë seancat e fundit ku ata do të marrin pjesë.

Para mbledhjes së Kuvendit dy forcat kryesore politike do të mbledhin deputetët për të diskutuar prioritetet e bëtejës politike, takimi i grupit parlamentar socialist do të zhvillohet në orën 10.00 ndërsa takimi i grupit të deputetëve demokratë do të zhvillohet në orën 12.30.

Ndërkohë që në orën 11.00 do të zhvillohet konferenca e kryetarëve e cila do të miratojë kalendarin e punimëve të parlamentit për 3 javët e ardhshme.

Në këtë kalendar ligji më i rëndësishëm është ai për urdhrin e mjekut, ku janë vendosur rregulla të reja për mjekët që punojnë në spitalet publike dhe ato private në përpjekje për të përmirësuar shërbimin shëndetësor për qytetarët.

Ndërkaq opozita do të përpiqet të fokusojë debatin parlamentar tek çështja e mbetjeve toksike që pak javë më parë u nisën nga porti i Durrësit drejt Tajlandës dhe Kinës.

PD ka kërkuar interpelancë më kryeministrin Edi Rama për këtë çështje dhe po shqyrton hapësirat ligjore që të ngrejë komision hetimor për të gjithë problematikën e mbetjeve të rrezikshme.

Opozita gjithashtu do të përpiqet edhe njëherë të gjejë konsensus me Partinë Socialiste për reformën zgjedhore dhe zbatimin e rekomandimëve të OSBE-ODIHR-it për zgjedhje.

Pas votimit të korrikut ku parlamenti adresoi vetëm çështjen e votës së emigrantëve dhe modelin e hapjes së listës, palët do të ulen edhe njëherë për të diskutuar nëse mund të rishikohet ligji për probleme si shit-blerja e votës, përdorimi e administratës në zgjedhje apo edhe riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pavarësisht së parlamenti është në detyrë deri në shtatorin e vitit të ardhshëm, ky është sesioni i vetëm kur mazhoranca mund të ndërmarrë nisma që lidhen më taksat, pagat apo pensionet.

Kodi zgjedhor e ndalon qeverinë dhe mazhorancën që në periudhën nga muaji janar deri në ditën e zgjedhjeve të marrë masa që sjellin përfitime për ndonjë kategori të caktuar, për këtë arsye të gjitha nismat që qeveria synon të ndërmarrë duhen kaluar në parlament deri në fund të këtij viti.

Në muajin nëntor presidenti i Republikës Bajram Begaj do të dekretojë datën e zgjedhjeve të përgjithshme dhe e gjithë bëteja politike në parlament apo jashtë tij do të fokusohet tek kjo datë, Edi Rama dhe socialistët do të kërkojnë të vendosin një rekord të ri duke fituar mandatin e 4, ndërkohë që Sali Berisha dhe demokratët do të synojnë të vijnë në pushtet pas një opozite të gjatë 12-vjeçare./vizionplus.tv