Mijëra njerëz dolën sot në rrugët e Francës për të protestuar kundër vendimit të presidentit francez Emmanuel Macron, për të emëruar Michel Barnier si kryeministër i së djathtës, ndërkohë që partitë e majta e akuzojnë për manipulim të zgjedhjeve.
Macron emëroi të enjten 73-vjeçarin Barnier, një konservator dhe ish- negociator i Brexit të BE-së, si kryeministër pas dy muajsh kërkimi për personin e duhur për të plotësuar postin pas zgjedhjeve të korrikut, që prodhuan një parlament të ndarë në të cilin asnjë parti nuk ka një shumicë.
Në intervistën e tij të parë që nga emërimi i tij dje, Barnier tha se qeveria e tij, e cila nuk ka shumicën, do të përfshijë zyrtarë konservatorë dhe anëtarë të partisë qendrore të Macron, ndërsa shprehu shpresën që asaj t’i bashkohen edhe zyrtarë nga e majta.