Ballina Europë Shpërthejnë protestat në gjithë Francën, të majtët të zemëruar me zgjedhjen e...

Shpërthejnë protestat në gjithë Francën, të majtët të zemëruar me zgjedhjen e Michel Barnier për kryeministër

6
0

Dhjetëra mijëra njerëz po protestojnë në të gjithë Francën kundër emërimit politikanit të së djathtës Michel Barnier si kryeministër i ri, pas një zgjedhjeje jo përfundimtare në të cilën e majta fitoi numrin më të madh të vendeve në parlament.

Demonstratat janë duke u zhvilluar në qytete duke përfshirë Parisin, Marsejën, Nantën, Nisën dhe Starsburgun. Qytetarët u thirrën nga sindikatat dhe partitë politike të majta, të cilat janë zemëruar që kandidati i tyre për kryeministër u refuzua nga presidenti Emmanuel Macron.

Barnier, ish-negociatori i BE-së për Brexit, tha se është i hapur për të formuar një qeveri me politikanë të gjithë spektrit politik, përfshirë të majtën.

Rreth 130 protesta po mbahen, ku më e madhja nis nga qendra e Parisit të shtunën pasdite. Demonstruesit po përdorin gjithashtu slogane si “mohimi i demokracisë” dhe “zgjedhjet e vjedhura”.

Partitë e majta në Francë janë të zemëruara që kandidatja e tyre për kryeministre, Lucie Castets, u refuzua nga presidenti Macron, i cili tha se nuk kishte asnjë shans për t’i mbijetuar një votëbesimi në Asamblenë Kombëtare nëse ajo propozohej.

Kurse Michel Barnier mund të jetë në gjendje t’i mbijetojë një votëbesimi sepse e djathta ekstreme, e cila gjithashtu fitoi një numër të madh vendesh, ka thënë se nuk do të votojë automatikisht kundër tij. Kjo ka zgjuar kritikat se qeveria e tij do të varet nga e djathta ekstreme.