Federata Kineze e Futbollit ka përjashtuar përgjithmonë 43 persona, duke përfshirë 38 lojtarë dhe pesë zyrtarë të klubit, mbi akuzat për trukime ndeshjesh dhe forma të tjera korrupsioni. Agjencia zyrtare e lajmeve kineze Xinhua raporton se Zhang Xiaopeng, një zyrtar i lartë i policisë, dha detaje të një “hetimi 2-vjeçar që zbuloi një sërë rastesh të lojërave të fatit në internet, trukimeve të ndeshjeve dhe korrupsionit”.
Sipas Xinhua, hetimi përfshinte 120 ndeshje, 128 të dyshuar dhe 41 klube. Lojtarë dhe zyrtarë të tjerë u janë dhënë pezullime të reduktuara dhe mes tyre ka lojtarë të huaj të joshur në Kinë nga premtimi për paga të larta. Në mesin e atyre që janë ndaluar përjetë nga ky sport janë ish-lojtarët e kombëtares kineze Jin Jingdao, Guo Tianyu dhe Gu Chao. Kina do të përballet sot në Dalian me Arabinë Saudite në raundin e tretë të kualifikimeve aziatike për Botërorin 2026, 5 ditë pas humbjes 7-0 ndaj Japonisë.