Ballina Ekonomia Më pak shitje, por çmimet e apartamenteve vijojnë të rriten

Më pak shitje, por çmimet e apartamenteve vijojnë të rriten

23
0

Po shiten më pak prona, por çmimet po rriten. Pasi ndali vitin e shkuar, shtrenjtimi i apartamenteve iu rikthye vrullit në harkun e muajve janar-qershor. Në raportin e fundit të vrojtimit të tregut të pasurive të paluajtshme Indeksi “Fischer”, me të cilin Banka e Shqipërisë analizon ndryshimin e çmimeve të banesave u rrit me 16.9 në rang vendi.

Edhe më e  fortë rezulton rritja e marrë veçmas për kryeqytetin. Në Tiranë ky tregues u rrit me 23.8 për qind krahasuar me janar-qershorin 2023.

“Numri total i pronave të shitura ishte 928, në rënie nga një gjashtëmujor më parë, dhe numri mesatar i pronave të shitura për subjekt rezultoi po ashtu më i ulët, në 5, nga 7 periudhën e kaluar. Sipas subjekteve të intervistuara, situata e përgjithshme në tregun e pasurive të paluajtshme paraqitet optimiste në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar”.

Edhe më i fortë bëhet paradoksi “rënie të shitjeve-rrije çmimesh”, veçanërisht në Tiranë. Koha mesatare e shitjes së një apartamenti u rrit në 9.7 muaj nga 8.3 muaj një vit më parë. E kundërta ka ndodhur me pronat në bregdet, koha mesatare e shitjes së tyre është gati përgjysmuar në raport me janar-qershorin e një viti më parë. Kjo ka ndikuar në reduktimin me 4 muaj të kohës mesatare të shitjes së pronave në rang vendi.

“Agjentët raportojnë numër të pandryshuar banesash të regjistruara në librat e tyre. Balanca neto mes atyre që raportojnë rritje të numrit të banesave të regjistruara dhe atyre që raportojnë rënie të numrit të tyre, ishte neutrale. Numri i pronave të pashitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie.”

Për shkak të çmimeve të kripura të qendrës, shumica e pronave të blera në Tiranë janë në periferi ose jashtë qytetit. Rreth 35 për qind e pronave të shitura ishin në zonat e preferuara brenda qytetit, 43 për qind ishin në periferi dhe 22 për qind ishin ndërtesa janë.

“Mbi 60% e agjentëve raportojnë se kanë realizuar shitje me çmim më të ulët se ai i kërkuar nga shitësi. Kjo vlerë është më e lartë se ajo e dy periudhave të mëparshme. Ndër këta, në rreth 2/3 e rasteve, shitja ka qenë me një ulje midis 5-20 për qind nga çmimi i kërkuar prej shitësit. Edhe ky tregues është më i lartë se ai i dy periudhave paraardhëse.”

Pak më shumë se gjysma pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej agjentëve në gjysmën e parë të vitit janë blerë me hua bankare. Rreth 27 për qind e banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jo-rezidentë. Nga këta, rreth 61 për qind rezultojnë shtetas të vendeve të BE-së.