Ballina Aktualitet Gënjeu dhe firmosi kërcënimin për veten e saj, ish-gjyqtarja e Tiranës merret...

Gënjeu dhe firmosi kërcënimin për veten e saj, ish-gjyqtarja e Tiranës merret e pandehur

12
0

Prokuroria e Durrësit ka marrë të pandehur Arnisa Këlliçin, ish-gjyqtaren e Tiranës, duke e akuzuar atë për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Kallëzimit të rremë”.

Në muajin korrik 2024, Këlliçi është njohur zyrtarisht me dy akuzat nga prokurorja e çështjes Englantina Shehu, e cila pas një hetimi disa mujor vendosi ta marrë të pandehur ish-gjyqtaren Këlliçi dhe dosjen kundër saj, t’ia përcjellë për shqyrtim gjyqësor gjykatës së Durrësit.

Çështja kundër Këlliçit është regjistruar në kryesekretarinë e gjykatës dhe pas hedhjes së shortit elektronik, dosja i ka rënë për ta shqyrtuar, gjyqtarit, Paulin Çera.

Ende nuk ka një datë konkrete për gjykimin e kësaj çështje por pritet që në ditët në vijim, Arnisa Këlliçi të dalë para kolegëve të saj për tu gjykuar.

Megjithëse kanë kaluar shumë muaj nga kjo ngjarje dhe tashmë Arnisa Këlliçi është marrë e pandehur për dy akuza, çuditërisht askush nuk e ka kuptuar pse “u çmend” kjo gjyqtare për të bërë një skenar të paprecedentë.

Prokuroria e Durrësit pretendon se Këlliçi ka “Falsifikuar dokumentin” duke shkruar një një përmbajtje kërcënuese për të dhe fëmijët e saj dhe më tej këtë dokument ja ka përcjellë si shqetësim Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke kërkuar mbrojtje shtetërore.

Mbrojtja Këlliçit i është vendosur për një periudhë 3 mujore, aq sa bëri që në këtë kohë të reagojë dhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Njëherësh Arnisa Këlliçi ka depozituar kallëzim penal në prokurorinë e Tiranës, ku mes të kallëzuarve ka qenë dhe një prokuror i kësaj prokurorie.

Gjatë hetimeve të kryera nga një prokurore e Tiranës dhe ekspertimeve grafike të shkrimit të gjyqtares, doli se letra kërcënuese ishte shkruar nga vetë gjyqtarja Këlliçi.

Kjo letër ishte futur në zarfin e dërguar në gjykatë nga një i paraburgosur që ishte në proces gjykimi dhe që përmes letrës në zarf, ai kishte kërkuar shtyrjen e procesit gjyqësor.

Gjyqtarja ka hequr letrën e të paraburgosurit dhe ka futur në zarfin e tij letrën që ka shkruar vetë, duke ngritur më pas alarmin se ishte kërcënuar.

“…E dashur Arnisa. Keni dy fëmijë ….. dhe ….. Mendoni për ta! Si mund të rroni ju, e jo ata e kjo është e rëndë. Me respekt…”-thuhet në letrën e shkruar nga vetë gjyqtarja.

Por në 7 shkurt 2024, prokuroria e Tiranës përmes një deklarate publike bëri me dije se: ”…në funksion të hetimeve paraprake për sa është kallëzuar, nga ana e organit të prokurorisë janë kryer hetime intensive me qëllim sigurimin e provave të ngutshme sikurse administrimi i pamjeve filmike pranë gjykatës, marrja në pyetje e personave, marrja e modeleve të lira dhe eksperimentale, këqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerja e ekspertimeve dhe në përfundim është arritur në konkluzionin, referuar rrethanave dhe aktit të ekspertimit grafik, se letra objekt hetimi, është shkruar nga vetë kallëzuesja gjyqtarja e Tiranës, Arnisa Këlliçi…”.

Kjo tallje me institucionet e Drejtësisë i ka kushtuar shumë gjyqtares Arnisa Këlliçi, të cilës KLGJ i ka hequr menjëherë mbrojtjen fizike dhe njëherësh ta pezullojë nga detyra.(Ora News)