Analisti Ben Andoni, duke folur në një intervistë televizive, e konsideron një moment të vështirë për ecurinë e reformës në drejtësi dhe shtetit të së drejtës, vendimin e PS për të mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.
Andoni thotë se mazhoranca nuk po respekton institucionet. Sipas tij çështja çohet për interpretim në Komisionin e Venecias për të fituar kohë, pasi opinionet e saj nuk janë obligative.
“Është një nga momentet më të vështira e para për ecurinë e reformës së drejtësi dhe shtetin e të drejtës. Në momentin që ti s’respekton si institucion vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kupton që funksionalizimi i shtetit ka problematika të mëdha. Ajo që thuhet që do çohet për interpretim për Komisionin e Venecias është për të fituar kohë. Venecia s’merret me vendimet e GJK.
Kuptohet dukshëm që mazhoranca s’do që ta lëshojë znj. Xhaçka. Vet socialistët e kanë shmangur pak, por gjithsesi ajo duhet ta lëshonte mandatin, dhe të kishte të paktën respektin për Parlamentin. Nëse është kaq e sigurt që bashkëshorti i saj s’ka përfituar të vendosej përballë drejtësisë dhe ta provonte. Në momentin që Gjykata Kushtetuese ka një forcë të jashtëzakonshme, që rrjedh nga kushtetuta dhe mbron kushtetutën duhet respektuar. Mazhoranca tregon që s’po respekton institucionet GJK, KLSH-në. Institucionet e pavarura po vuajnë. Opozita është pjesë e dobësisë së shtetit tonë. Në çdo bashkëpunim me mazhorancën, mund ta kondiciononte votën e saj me çështje direkte gjë që s’e ka bërë.
Përballjet që bën PS për mbrojtjen e znj.Xhaçka, që e vesh me vello institucionale duke kërkuar mëndin të Komisionit të Venecias, dhe opozita që bërtet pa fund, janë thjesht për t’i hedhur hi syve publikut, thjesht ato duan të rrinë pa fund në pushtet. Mendimet e Venecias s’janë obligative. Qëndrimi i ndërkombëtarëve është i duhuri. Kjo tregon që ata janë pro vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ligjvënësit t’i vënë gishtin kokës dhe të kenë kujdes, sepse respektimi i shtetit, është mbi interesat partiake”.