Ballina Politika Agron Duka: “Mjekësia në kohën e kolerës” dhe halli i qeverisë për...

Agron Duka: “Mjekësia në kohën e kolerës” dhe halli i qeverisë për TikTok-un!

0
13
Prej disa ditësh, gazetari Osman Stafa po denoncon situatën skandaloze në Spitalin Onkologjik, ku mungojnë ilaçet për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.
Komunikimi mes mjekëve është tronditës. Ata janë në hall të madh se si do t’i trajtojnë pacientët kur nuk kanë ilaçe të mjaftueshme në dispozicion. Në fund, njëri prej tyre e quan këtë situatë “Mjekësia në kohën e kolerës”.
Këtu nuk bëhet fjalë për politikë, as për fushatë, por për jetën e njerëzve. Ministria e Shëndetësisë duhet të marrë masa urgjente për të përmirësuar situatën. Pacientët po mbajnë radhë për të marrë ilaçet, a thua sëmundjes mund t’i thuhet: “Prit 10 ditë, mos përparoje, sa të gjejmë ilaçet!”
Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë, qeveria dhe drejtuesit e PS-së u mblodhën në Elbasan. Problemi më i rëndësishëm që u diskutua ishte: Si jemi me postimet në rrjetet sociale?
Sa postime në ditë bën secili? Sa “like” marrin, sa “share” bëjnë? Sa komente dhe çfarë komentesh? Nga analiza rezultoi se me TikTok-un nuk qëndrojnë mirë dhe u dhanë porosi që të përmirësojnë punën në këtë drejtim.
Më pas, u diskutua se si do ta vënë të gjithë shtetin, qeverinë, bashkitë dhe institucionet në shërbim të fushatës së tyre zgjedhore.
Për hallet e njerëzve, asnjë fjalë. Për ata që po vdesin për ilaçe në spitale, asnjë fjalë.
O njerëz, a e kuptoni për çfarë shqetësohet qeveria dhe partia që ju e votoni kur vijnë zgjedhjet?