Ballina Kosovë Paralajmërimet e SHBA-së për ndërprerje të bashkëpunimit me Policinë, flet ish-drejtori i...

Paralajmërimet e SHBA-së për ndërprerje të bashkëpunimit me Policinë, flet ish-drejtori i PK-së

6
0

Paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) që mund të ndërpritet bashkëpunimi i tyre me Policinë e Kosovës, si shkak i aksioneve të Qeverisë në veri të vendit pa koordinim me ndërkombëtarët, nga ish-drejtori i PK-së, Rashit Qalaj dhe analisti politik Afrim Kasolli, po shihet si një goditje fatale në konsolidimin profesional të shërbimit policor të Kosovës.

Sipas tyre, PK-ja duhet të punojë e pa ndikuar nga qeveria nga aspekti operacional ashtu sic përcakton edhe ligji i policisë.

Ish-drejtori i PK-së Rashit Qalaj, ka thënë se si shkak i veprimeve të pa koordinuara, policia tani më veç është sanksionuar nga ShBA-ja pasi nuk është duke marr më pjesë në trajnime të FBI, e sipas tij, PK-së i janë ndalur edhe trajnimet në Gjermani.

“As një parti politike, as kush, as një politikan, pavarësisht a është i pozitës apo i opozitës nuk duhet të ketë tendenca të përzierjes në punët operacionale të policisë. Mund të them që PK-ja veç është sanksionuar nga ShBA-ja me qenë se ka vite që as kush me nuk shkon në trajnime në FBI. Me sa kam informata janë ndalur edhe trajnimet në Gjermani e kështu me radhë, prandaj këto janë masat që janë duke u marr fatkeqësisht ndaj PK-së”, ka thënë Qalaj.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ka një kohë të gjatë që është duke u diskutuar ndikimi direkt i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe i qeverisë në punët operacionale të Policisë së Kosovës.

“Ka një kohë bukur të gjatë, ka dy tri-vite që ne jemi duke folur vazhdimisht mbi ndikimin direkt të Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë së Kosovës në punët operacionale të Policisë së Kosovës. Në vazhdimësi e kemi ngritur këtë çështje në qoftë në seancat e Kuvendit, qoftë në mbledhjen e Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, mendoj që PK-ja duhet të punoj e pa varur nga aspekti operacional ashtu që përcakton edhe ligji i policisë dhe po ashtu PK-ja të mbështet sa më shumë edhe me buxhet por edhe me përkrahje nga qeveria dhe populli i Kosovës”, ka thënë ai.

Analisti politik, Afrim Kasolli, ka thënë se reagimet e ndërkombëtarëve për veprimet e qeverisë në veri të vendit kanë ardhur si pasoj e premtimeve dhe garancioneve që ka dhënë kryeministri Albin Kurti për këto çështje.

“Prej aksioneve të fundit të qeveria e Kosovës ka ndërmarr në pjesën veriore siç dihet janë disa të tjera për të cilat ajo është kritikuar në vazhdimësi nga bashkësia ndërkombëtare se me veprimet e saj të pa koordinuara po rrezikon me nxitjen e tensioneve etnike. Pa dyshim pika kulminante dhe kritike e krejt këtij zhvillimi ka qenë përpjekja e saj për të hapur urën në qytetin e Mitrovicës edhe për qarkullim të automjeteve si në pjesën veriore dhe jugore. Mirëpo nëse e shohim në tersi bashkësia ndërkombëtare është e zemëruar me veprimet e qeverisë së Kosovës, pasi ata kanë pasur edhe premtime, kanë pasur edhe garancione sepse nëse i shohim deklarimet e tyre thotë se nuk po i mbani premtimet dhe garancionet që na keni dhënë se nuk do të veproni në mënyrë të një anshme në këtë pjesë”, ka thënë Kasolli.

Kasolli ka thënë se si shkak i këtyre veprimeve të qeverisë, ambasada amerikane ka kërcënuar se do ta ndërpresim bashkëpunimin me Policinë e Kosovës.

Ai ka thënë se një veprim i tillë do të ishte një goditje fatale në konsolidimin edhe me teje profesional të shërbimit policor të Kosovës, i cili, sipas tij, deri me tani siç është ndërtuar nuk mund të paramendohet se është bërë pa asistencën, mbështetjen dhe përkrahjen e ShBA-së.

“Ambasadori amerikan para pak dite kërcënoj se po ashtu do ta ndërpresim bashkëpunimin me Policinë e Kosovës nëse vazhdojnë aksione të tilla. Që nuk ka dyshim që një veprim i tillë do të ishte një goditje fatale në konsolidimin edhe me teje profesional të shërbimit policor të Kosovës, i cili deri me tani siç është ndërtuar nuk mund të paramendohet se është bërë pa asistencën, mbështetjen dhe përkrahjen e ShBA-së. Kjo flet për një situatë tejet të tensionuar dhe problematike në raportet e shtetit të Kosovës me aleatët ndërkombëtar. Nuk ka masë më të madhe sanksionuese nëse paralizohet policia e Kosovës, ndërpritet bashkëpunimi me ShBA-në sepse i gjithë konsolidimi ose ndërtimi i kësaj strukture të deritanishme ka qenë e pa mundur të paramendohet pa asistencën dhe përkrahjen e ShBA-së”, ka thënë Kasolli për EO.

Ambasada e ShBA-së në një reagim disa ditë më parë ka thënë se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe vartësit e saj.

“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës përgjatë shumë viteve si pjesë e përkushtimit tonë për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës nga ana e qeverisë për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet e Kosovës që të vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe vartësit e saj”, thuhet në reagimin e ambasadës së ShBA-së të lëshuar më 30 gusht.