Ballina Lifestyle “Nuk kam folur për 22 vite me babain, tregohej i ashpër”, aktori:...

“Nuk kam folur për 22 vite me babain, tregohej i ashpër”, aktori: Mamaja ka bërë tre punë për të më mbajtur me bukë

22
0

Aktori i humorit, Albano Bogdo ka folur përtej jetës së tij si artist, ku tregon me detaje vështirësitë që ai ka kaluar që në moshë të vogël kur prindërit iu divorcuan.

Aktori thotë se ka qenë 13 vjeç kur nëna dhe babai u ndanë dhe pesha e familjes ra mbi të. Edhe pse fillimisht nuk e ka kuptuar, aktori tregon se kur u bë 18 vjeç filloi të kuptonte se pasioni i tij për aktrimin ishte shuar, pasi duhet të punonte kamarier e banakier për të mbajtur familjen.

Bogdo thotë se mungesën e babait e ka ndjerë para divorcit, pasi siç shprehet aktori, ai asnjëherë nuk ka qenë i kënaqur me të birin.

“Unë nuk e kam përjetuar keq divorcin e prindërve. Kur je 13 vjeç dhe të ndahen prindërit dhe nuk ke babain, je në periudhën më të bukur të jetës, je adoleshent bën ca të duash dhe nuk ke një burrë që të të bërtasë në shtëpi, bën ca të duash. Fillon pi cigare, kthehesh kur të duash.

Kur bëhesh 18 vjeç dhe presin nga ty që të punosh fort, atëherë kupton që mbaroi gallata dhe duhet të shtrojmë kurrizin. Kjo ishte periudha kur unë u dorëzova dhe thashë kjo është jeta ime, do filloj të punoj banakier, kamarier.

Unë mungesën e babait e kam ndjerë që kur babai ka qenë në shtëpi, para se të divorcoheshin. Ai kishte zgjedhur që të tregohej sa më i ashpër me mua që unë të bëhesha burra. Me motrën dhe vëllain sillej ‘të keqen babi’, mua më thoshte asgjë nuk është mjaftueshëm. Më 1999 te TVSH bëhej një konkurs aktrimi.

Dola i dytë në republikë, isha 12 vjeç, humba me gjysmë pike. U ulëm dhe pamë atë që kishte ndodhur. Mamaja që qante. Babai pa të gjithë performancën time dhe kur mbaroi më tha: Ça është kjo, këtë e bëjnë të gjithë!. Pra më ka munguar që kur ishte aty, kur iku nuk më mungonte”, ka treguar ai në emisionin “S’e luan Topi”.

Por aktori thotë se tashëm gjithçka ka ndryshuar, raportet me të atin i ka shumë të mira, madje komunikon shpesh me të dhe thotë se ndihen krenar për të atin. Ndërsa për mamanë fjalët nuk vlejnë pasi janë veprat që tregojnë gjithçka.

Albano tregon se e ëma punonte tre punë si pastruese për ta mbajtur atë me bukë dhe rroba në kohën kur ai studionte.

“Sot kam raporte të shkëlqyera. Të premten kishte 65 vjetorin, kam folur tre orë me të, u kënaqëm. I kam rregulluar marrëdhëniet sepse e kam kuptuar që është idiotësi të mos flasësh. Nuk kam folur për 22-23 vjet me babain, nuk kisha asnjë kontakt.

Jam krenar për babain që kam, por dua të them se jam 400 herë më shumë krenar mamanë dhe dua 400 herë mamanë, por kjo nuk do të thotë se nuk jam krenar për babain dhe nuk e dua babain.

Mamaja është gruaja më e bukur në Shqipëri, gruaja më e ndershme, ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme. Ka punuar tre punë pastruese që të më mbante mua me bukë dhe rroba në Akademinë e Arteve. Unë nuk do e harroj derisa të vdes”, ka treguar ndër të tjera Albano Bogdo.