Dy persona janë plagosur me armë zjarri në Malësi të Madhe. Mësohet se ata janë Besmir Qofi dhe Avenir Hasanaj, të cilët janë transportuar në spital.
Ngjarja ndodhi paraditen e kësaj të diele (15 shtator) në fshatin Vrakë, ndërsa ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje.
Autori i plagosjes është shtetasi i identifikuar si Lul Rakaj.
Deri tani, motivet e incidentit mbeten të paqarta, dhe autoritetet po punojnë për të mbledhur të gjitha informacionet e nevojshme për të zbardhur ngjarjen.
Njoftimi i Policisë:
Malësi e Madhe/Informacion paraprak Rreth orës 09:45, në fshatin Vrakë, në hyrje të një lokali, dyshohet se shtetasi L. R., ka plagosur me armë zjarri shtetasit B. Ç dhe A. H, të cilët janë transportuar në spitalin rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje bashkë me grupin hetimor dhe drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Në ndihmë të Policisë Vendore për kapjen e autorit kanë shkuar dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe vijojnë kontrollin e zonës dhe në ambjente të ndryshme ku dyshohet se mund të jetë fshehur autori i dyshuar. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.