Ballina Politika Salianji Dashamir Shehit: Ai merr qyl votat e PD, s’ka pikë përfaqësimi

Salianji Dashamir Shehit: Ai merr qyl votat e PD, s’ka pikë përfaqësimi

5
0

Deputeti demokrat Ervin Salianji u shpreh i sigurt për fitoren e opozitës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, besim që e bazon në pakënaqësinë qytetare dhe votën e emigrantëve. Nga studio e Ditarit të Erion Dushit në A2 CNN, ai foli për aksionin opozitar dhe tha se protestat janë në prag për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të barabarta.

“Opozita ka terren të sigurt për të fituar zgjedhjet. Protestat janë në prag. Ne do të kërkojmë qeveri teknike si garanci për të krijuar kushte për zgjedhje të lira e të barabarta, por në çdo rast ne do ta mundim. Duhet të bëjmë thirrje për çdo qytetar që është jashtë Shqipërisë të regjistrohet. Detyra jonë është të bindim qytetarët që ne jemi alternativa e duhur, të bindim strukturat dhe veten për ta mundur në çdo rrethanë Ramën. 700 mijë qytetarët që janë larguar në 10 vite, nuk besoj që janë larguar nga kënaqësia e kësaj qeverisjeje, por për shkak të pakënaqësive; sistemi arsimor, shëndetësor, pabarazia dhe mungesë merite, përballja me strukturat e kriminalizuara të shtetit. Vota e emigrantëve është në shumicën dërrmuese e opozitës”, citon A2 deputetin demokrat.

Në A2 ai tha se protestat do të jenë masive por sesi do të jenë ato do të bëhet e ditur në ditët në vijim nga strukturat e larta të PD-së

“Unë mendoj që protestat që do të vijnë, do të jenë masive, të cilat për formën e tyre do ketë komunikime nga strukturat e larta të PD. Në momentin duhur do të viheni në dijeni, jemi duke u përgatitur që gjithë pakënaqësinë e mllefin që qytetarët kanë ndaj keqqeverisjes ta kapitalizojmë në zgjedhje dhe të bëjmë gjithçka për të rrëzuar qeverinë”.

I pyetur për rrjedhjen e votës opozitare pas krijimit të grupimit të ri opozitar dy ditë më parë, në A2 Salianji solli në vëmendje Ramën kur ishte në opozitë në vitin 2013, teksa sulmoi Dashamir Shehin se merr për vota qyl nga PD. Për deputetin demokrat opozita duhet të bashkohet atje ku është e domosdoshme.

“Partitë politike kanë ndryshime, kanë e ambicie. Opozitën nuk e dëmton kjo gjë. E dëmton nëse nuk ka program apo është apatike, nuk ka ekip, apo nuk lëviz. Nuk e shoh këtë te PD. Në 2013  kur ishte në opozitë Rama, kishte 6 parti të krijuara nga ish-ministra apo funksionarë të lartë të PS. Në zgjedhjet e kaluara ishte ky debat. Por ne duhet të bëjmë gjithçka për bashkimin ku është e domosdoshme dhe kur janë opozitë si ne. Por ata që kanë shkuar me qeverinë vetë diskreditohen dhe votat e tyre do shkojnë tek opozita. Nuk di të ketë krijuar parti zoti Alibeaj, kurse zotëria tjetër (Shehi) nuk merr asnjëherë vota, merr vota qyl nga PD dhe bën sikur ka përfaqësim. Janë lëvizje që nuk e kuptoj qëllimin”.

Sa i takon partneritetit me Ilir Metën, deputeti demokrat tha në A2 se nuk e cenon votën opozitare.

“Partia e Lirisë është opozitare, nuk cenon votën opozitare, është votë kundër qeverisë. Ka një koalicion dhe bashkërendim të koalicionit opozitar me PL”.

Si drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit, Salianji u shpreh shpresë plotë për “një rezultat të jashtëzakonshëm” në zgjedhjet e ardhshme.