Ballina Dossier HISTORI/ ​82 vjet nga Konferenca e Pezës

HISTORI/ ​82 vjet nga Konferenca e Pezës

20
0

Konferenca e Pezës është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, ku u bënë përpjekje për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë.

Konferenca e Pezës u mbajt në Pezë më 16 shtator 1942, një fshat afër Tiranës. Protagonistë të këtij kuvendi ishin 20 delegatë përfaqësues të krahinave, dhe besimeve të ndryshme fetare, klasa dhe shtresa me bindje politike nga më të ndryshmet.

Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini.

Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar Mustafa Gjinishi.

Në konferencë u diskutua organizimi i forcave në një luftë të përbashkët kundër okupatorit, organizim ky që mori emrin më vonë, Fronti Nacional-Çlirimtar.

Delegatët e ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar për bashkim të plotë të tyre me luftën NÇ, arritën në këto përfundime:

Gjendemi në një botë të përgjakur anekënd prej forcave të errëta prej skllavëronjësve të fashizmit. Popuj e kombe u shkelën pa mëshirë prej barbarisë fashiste.

Në këtë luftë gjiganteske që i ka kushtuar njerëzimit miliona e miliona të vrarë e të plagosur, që ka shkretuar e ka shembur fshatra e qytete të tëra, dy principe, në kundërshtim si dita me natën, në njërën anë tirania barbare dhe me skllavëronjësja që ka parë bota deri më sot, tirania fashiste, nga ana tjetër, blloku anglo-sovjeto-amerikan, bashkë me popujt e robëruar që bëjnë luftë të drejtë për zhdukjen nga faqja e dheut të murtajës fashiste, luftën për lirinë, për independencën dhe për lumturinë e popujve mbarë.

Është për t’u theksuar se konferenca u dekonspirua shumë shpejt, gjë që linte të mendohej se ky dekonspirim kishte qenë shumë i shpejtë falë informatave të siguruara brenda pjesëmarrësve.

Pasi fashistët kapën dokumente në lidhje me këtë konferencë, ata goditën Pezën. Pas pak javësh u ndërrua edhe drejtuesi i policisë.

Më 26 nëntor 1942, Shyqyri Borshi u emërua drejtor i përgjithshëm i policisë, në vend të Teodor Stamatit (“Fletorja Zyrtare”, 9 dhjetor 1942).

Parulla e bashkimit apo e përçarjes ?

Parulla e konferencës u bë ajo, sipas së cilës, do të kryhej një bashkim pa dallim feje, krahine e ideje.