Ballina Dossier Kryengritja e vitit 1912, Hasan Prishtina shiti pasurinë e tij për të...

Kryengritja e vitit 1912, Hasan Prishtina shiti pasurinë e tij për të blerë armë! Si e përndoqi qeveria e Zogut dhe arratisja nga burgu

32
0

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi dje vrasjen tragjike të Hasan Prishtinës, ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe njëri nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.

Hasan Prishtina lindi në vitin 1873. Kreu gjimnazin francez në Selanik dhe shkollën e lartë të administratës, e njohur me emërtimin “Mylkije”, në Stamboll. U zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman dhe mbrojti me forcë të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Hasan Prishtina, Ismail Qemali e patriotë të tjerë shqiptarë ishin nismëtarët e organizimit të kryengritjes kundërosmane të shqiptarëve të vitit 1912.

Ishte ministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, organizator i kryengritjes shqiptare kundër serbëve në shtator të vitit 1913, u zgjodh ministër në qeverinë e Turhan Pashë Përmetit gjatë periudhës së mbretërimit të shkurtër të Princ Vidit, ndërsa në vitet 1916-1918 bashkëpunoi me autoritetet austro-hungareze, me qëllim që të përfitonte nga ndonjë rrethanë e përshtatshme për të realizuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ishte njëri nga drejtuesit kryesorë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në vitin 1921 u zgjodh deputet në Këshillin Kombëtar. Drejtoi qeverinë shqiptare për një periudhë disaditore në dhjetor të vitit 1921. Gjatë viteve 1922-1933 ishte një nga përfaqësuesit kryesorë të opozitës, i cili kundërshtoi mënyrën e qeverisjes së Ahmet Zogut. Gjatë gjithë periudhës së viteve ’20 të shekullit të kaluar njëri nga ideologët kryesorë të tezës: “Pa Kosovë nuk ka Shqipëri”. U vra në Selanik më 14 gusht 1933. Në vitin 1977, eshtrat e Hasan Prishtinës u sollën në Shqipëri dhe u rivarrosën në Kukës.

Lufta

Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, Prishtina dhe Draga u bënë thirrje Fuqive të Mëdha që shqiptarët nuk ishin pro Perandorisë Osmane, por për integritetin territorial kombëtar, por e gjitha ishte e kotë. Gjysmën e dytë të tetorit 1912 trupat serbe kishin pushtuar vilajetin e Kosovës dhe Prishtina me Dragën u arrestuan dhe i çuan në Beograd. Si pasojë e shumë protestave, u liruan dhe u mërguan jashtë vendit. Më 16 korrik 1913 me shtatë shoqërues kaloi nga Italia në Vlorë, i papajtuar me vendimet e Konferencës së Londrës për aneksimin e Kosovës nga Serbia.

Në shtator iu ngarkua Ministria e Brendshme dhe disa ditë më tej, ajo e Bujqësisë në qeverinë e Vlorës. Tetorin e 1913, qe ndër 60 firmëtarët e një memorandumi në të cilin i paraqiteshin një radhojë ankesash kreut të qeverisë së Vlorës. Në nëntor të 1913 iu bashkua Esad pashë Toptanit dhe shkurtin e 1914 ishte pjesë e delegacionit që shkuan në Neuwied për t’i dorëzuar kurorën Princ Vidit.

Ditën e ardhjes së Vidit në Durrës qe gjithashtu në shoqërinë e Esad Pashës dhe Xhemil bej Vlorës e Mihal Turtullit. U emërua ministër i Postë-Telegrafeve në kabinetin e Turhan pashë Përmetit. Gjatë Luftës së Parë Botërore u kthye në Kosovë dhe organizoi njësi vullnetarësh për të luftuar përkrah trupave austro-hungareze. U dekorua më 1916 me urdhrin austro-hungarez të Franc-Jozefit, me shenjat e oficerit të madh (Gross-Offizier). Kishte marrëdhënie të ngushta me Ballplatz-in për çështjen e Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe bëri përpjekje për të riaktivizuar Lëvizjen Kombëtare, më 1915 hapi shkollën fillore në Vushtrri, ku qe formuar orkestra muzikor.

Veproi gjithashtu në Shkup e rrethinë që ishte pushtuar nga Bullgaria, ku, më 1917, u burgos nga policia bullgare. Hasan Prishtina, u arratis nga burgu pasi theu dritaren e qelisë duke shpëtuar nga zhdukja e sigurt; në këtë rast ai dëmtoi rëndë njërën këmbë nga e cila do të vuajë shumë kohë. Pas ripushtimit të Kosovës nga trupat serbe në 1918-n shkoi në Vjenë e më pas në Romë ku ishte në kontakt me kundërshtarët malazez, maqedon e bullgar të Mbretërisë së re Jugosllave.

U emërua në krye të dërgatës së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Konferencën e Paqes në Paris ku do të kërkonte bashkimin e viseve shqiptare të ish-Vilajetit të Kosovës me shtetin shqiptar. Megjithëse dërgatës së Komitetit nuk i jepej e drejta të merrte pjesë në diskutime, Prishtina i shkroi një telegram presidentit të SHBA, Wilson.

Angazhimet

Mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës në 1920-n. Pas një takimi me pakicat kombëtare të Jugosllavisë në Fiume, nën drejtimin e D’Annuncios, në korrik të vitit 1920, u sigurua një vapor me armë me ndërmjetësinë e D. Mitrovicës, por kryeministri Delvina nëpërmjet Sejfi Vllamasit e Xhemal Naipit, të mbështetur nga forcat ushtarake në vend, nuk lejuan shkarkimin e vaporit në Shëngjin, duke shkaktuar kështu një thyerje të marrëdhënieve mes grupit me ide irredentiste me qeverinë dhe figurën e Zogut.

Në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Në dhjetor të vitit 1921 pas një grusht shteti me M. Krujën, Q. Koculin e Prishtinës shkaktuan dorëheqjen e qeverisë Evangjeli. Pas qeverisë gjashtorëshe të Koculit, emërohet kryetar i një qeverie që zgjati pesë ditë.

Mori pjesë sërish në një lëvizje kryengritëse në shkurt-marsin e vitit 1922, e shtypur energjekisht nga qeveria Ypi dhe ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, pas së cilës u zëvendësua në postin e deputetit. Pas implikimit me veprimet e marsit, kalon në arrati së bashku me Z. Dibrën e H. Currin nëpër malet e Shqipërisë. Në vitet 1922-’23 Prishtina shihet të lëvizë në mes zonave të Pukës, Dibrës, Kukësit etj..

Në janar 1923 njoftohej se zyrat shtetërore në Kukës e Krumë qenë pushtuar prej Hasan Prishtinës. Qeveria shqiptare ishte e gatshme ta linte të dilte jashtë vendit, por sipas njoftimit të dt. 2 maj 1923 të komandantit të operacionit, Preng Jaku, ai nuk bindej. Pas bisedimesh, më 25 gusht 1923 Prishtina del jashtë Shqipërisë me ndërmjetësinë e legatës italiane. Niset nga Shëngjini me avulloren “Galiopoli” në Itali, i shoqëruar nga Hysni Curri dhe 26 revolucionarë. Udhëtoi në Brindisi, Romë dhe Vjenë. Gjatë kohës së qëndrimit në Romë, mbajti lidhje me atasheun tregtar sovjetik.

U kthye në Tiranë pas Lëvizjes së qershorit. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” shkoi në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë. Pas dështimit të revolucionit të 1924-s, u largua jashtë atdheut. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, shkoi, së bashku me Fan Nolin, Gurakuqin, Currin e Pejanin në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë.

Për këtë rast, Kolea, në gazetën dyjavore “L’ALBANIE”, që dilte në Lozanë në frëngjisht, do të shkruante më 19 janar 1919 shkrimin: Une voix d’Albanie (Një zë i Shqipërisë), ndër të tjera thoshte: …”Në apelin aq fisnikërisht e me aq burrëri atdhetare që do ta lexojmë, është zëri i gjithë popullit shqiptar, i etur qysh me shekuj, për liri dhe pavarësi, zë që jehon. Në rrethanat aktuale, populli ynë nuk do të gjente përfaqësues më besnik dhe më me ndikim se grupi i atdhetarëve që janë rreth z. Hasan Bej Prishtina, në kërkesën që i bëjnë Z. Wilson, në emër të tyre”.

Migrimi

Pas kthimit të Zogut me Triumfin e Legalitetit, Prishtina shtrëngohet të mërgojë edhe njëherë. Në ceremoninë mortore të Gurakuqit në Bari, mban fjalën e rastit. Merr pjesë në formimin e një komiteti në Bari, i cili u ftua nga Noli e Boshnjaku që të bëhej një marrëveshje me Bashkimin Sovjetik, Prishtina dhe Bushati ishin kundër. Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Çlirimit të Kosovës”, i cili veproi krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Meqë nuk mund të kthehej në Kosovë, u vendos në Selanik, ku bleu një pronë të madhe. Pretendohet se kundrejt Prishtinës janë ndërmarrë katër herë përpjekje për t’i bërë atentat.

Bashkëpunoi me rryma dhe shtete të ndryshme kundër Zogut, madje organizoi mjaft atentate kundër tij. Për një atentat të tillë u dënua me vdekje në mungesë më 6 qershor 1933 së bashku me 7 të tjerë të arratisur politikë. Në ditarin e shërbimeve konsullore të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1933 janë shënuar të gjitha lëvizjet e Hasan Prishtinës: më 10 janar ishte në Vjenë, më 16 mars në Bukuresht, më 1 prill në Sofje, më 11 prill në Selanik, më 1 maj në Stamboll, më 1 qershor në Vjenë, më 6 qershor në Budapest, më 23 qershor në Vjenë, më 30 qershor në Stamboll dhe më 1 korrik 1933 në Selanik. Konsulli Qemal Mesareja përcillte se Prishtina kishte dalë nga shtëpia e të vëllait, Ymerit, dhe ishte vendosur në hotelin “Astoria”.

Sipas kujtimeve të veta dëshmon se ka shitur një pjesë të pasurisë së vet për të ndihmuar në blerjen e armëve për kryengritjen e 1912-s. Me rastin e hapjes së Normales së Elbasanit, ndihmoi me shpenzime 50 studentë kosovarë që të shkonin e të shkolloheshin. Drejtori i atëhershëm i Normales, Luigj Gurakuqi, do ta falënderonte në të përkohshmen “Bashkimi i Kombit” për kontributin e Prishtinës në arsim. Gjatë mërgimit të fundit të jetës së tij, ndihmoi financiarisht të përkohshmen “Ora e Shqipnisë” që Dom Lazër Shantoja botonte në Vjenë. Deri në vitet ‘60 konsiderohej si tradhtar në tekstet e historisë së Shqipërisë, por më pas ai u rehabilitua. Më 6 dhjetor 1977 u zhvillua ceremonia e rivarrimit të eshtrave të tij në qytetin e Kukësit. Ka lënë një varg artikujsh si edhe kujtimet e tij për kryengritjen e 1912-s që kanë vlerë për historinë shqiptare.