Ballina Politika Naim Meta: Bashkia Elbasan tallet me banorët e fshatrave Dopaj dhe Funar,...

Naim Meta: Bashkia Elbasan tallet me banorët e fshatrave Dopaj dhe Funar, rruga e premtuar do t’i shërbejë privatit që do gërmoj malin

3
0

Kryetari i degës së PD-Demokratët Euroatlantikë Elbasan, Naim Meta, shprehet se bashkia e qytetit ka gënjyer banorët e fshatrave Dopaj dhe Funar, pasi u premtoi që do t’u ndërtohej rruga ndërsa projekti në realitet do t’i shërbejë vetëm privatit.

Meta shprehet se në takimin që ka vetëm emrin ka “dëgjesë publike”, banorët e këtyre fshatrave mësuan se rikualifikimi i rrugës kishte qëllim tjetër dhe do t’i shërbejë vetëm kompanisë private që do të bëjë gërmime në masivin shkëmbor. Ndërkohë banorët jo vetëm që nuk do kenë zgjidhje por zona do të bëhet e pabanueshme nga smoku, shpërthimet me lëndë plasëse, shkatërrimi i faunës dhe florës.

Reagmi i plotë i Naim Meta:

Dëgjesa i thonë?!
Ulen gju më gju, të bëjnë lajka, të mbushin mendjen, thonë ç’munden, përmbushin qëllimin e tyre djallëzor dhe në fund “këta të deleguarit e komitetit” bëjnë sikur i dëgjojnë banorët për hallet e tyre, por kërkesat e hallexhinjve, hyjnë te njëri vesh dhe dalin te tjetri i atyre që janë ulur në panel dhe bëjnë trushplarje; me pak fjalë (flisni ju, se ne vendosim si të duam).
Kjo pra është dëgjesa me publikun që u zhvillua në fshatin Dopaj me objekt “njohjen e këtyre banorëve me projektin e rrugës që lidh zonat (fshatrat) e Dopajt me Funarin”. Banorët e fshatit Dopaj ishin mjaft të interesuar për këtë dëgjesë, me bindjen se investimi i munguar do të bëhej realitet, por kur dëgjuan ekspertët e Bashkisë Elbasan, panë me sytë e tyre se si rikualifikimi i segmentit ekzistues (gjurmës, si i thonë në gjuhën popullore) i rrugës, vetë projekti kishte qëllim tjetër. Banorët nuk përfitojnë, madje atyre u rëndohet më shumë jetesa.
Këto zona edhe pse janë afër qytetit, kanë qenë dhe mbeten të harruara. Pjesëmarrësit në këtë dëgjesë, e ashtuquajtur publike, u zhgënjyen dhe deklaruan pothuajse njëzëri se ky investim për këtë segment rrugor nga pika e fillimit në autostradë, deri në pikën fundore, rrëzë malit, do i shërbejë vetëm privatit për të shfrytëzuar masivin shkëmbor. Banorët me situatën e re që u krijohet jo vetëm që nuk përfitojnë, por zona do të bëhet e pabanueshme nga smoku, shpërthimet me lëndë plasëse, shkatërrimi i faunës dhe florës…
Pra kjo do të jetë situata që do krijohet dhe “ne s’na betet gjë tjetër”, thanë ata, “vetëm të ikim dhe të lëmë në dorë të përfituesve pronat tona të ruajtura brez pas brezi”.
Në cilësinë e anëtarit të Këshillit Bashkiak dhe të Drejtuesit të Degës PD (euroatlantike), mora pjesë në këtë dëgjesë publike dhe në fjalën time jo vetëm që u dhashë të drejtë banorëve, por u bashkova me ta dhe u kërkova autoriteteve të jenë të përgjegjëshme çfarë flasin, të shikojnë zhvillimin e zonës në raport me banorët dhe jo firmat përfituese. Të pyeten këta njerëz të vuajtur (autoktonë), mos mbeten në pafuqinë dhe pamundësinë e reagimit, pasi pushteti ndihet i fortë dhe shtyp këdo i del para. Të jenë të bindur se banorët nuk do mbeten vetëm, do na kenë në krah që investimi të jetë në shërbim të tyre dhe zhvillimit të turizmit. (Këtu nuk mund të lë pa përmendur edhe shqetësimet e banorëve që janë braktisur nga Bashkia dhe Qeveria, të cilët edhe me batuta treguan se si erdhi Balla, u premtoi e “iku”; erdhi Gjiknuri u premtoi e “iku” tani është Mazniku që me siguri do vijë, do premtojë -kuptohet do votat- dhe do “ikë” edhe ky.. “ne”, thonë ata, “do vuajmë grykësinë e firmave dhe pushtetarëve që shikojnë vetëm interesin e tyre”).
Me respekt
Naim Meta