Ballina Politika Zgjedhjet e 2025/ Cili është kandidati për kryeministër nga radhët e PD-së?...

Zgjedhjet e 2025/ Cili është kandidati për kryeministër nga radhët e PD-së? Tabaku e prerë: E vendosin demokratët

2
0

Partia Demokratike po shkon me një sërë dilemash drejt garës së zgjedhjeve të përgjithshme të 2025. Me Sali Berishën në arrest shtëpie dhe të marrë të pandehur për aferën e kompleksit “Partizani” edhe deputetët nuk janë të qartë se cila do të jetë alternativa e tyre për kandidat për kryeministër përballë Edi Ramës.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku, e afruar së fundmi në PD e drejtuar nga Berisha thotë në një intervistë televizive se kandidatin për kryeministër duhet ta vendosin demokratët.
“Do ta vendosin demokratët se kush është kandidati për kryeministër”, tha Tabaku.

E pyetur për formulën e re të listave të kandidatëve për deputetë, që do të implementohet në 2025, pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor me dakordësi PD-PS, Tabaku thotë se efekti, do të shihet pasi zgjedhjet të mbahen.
“Kishte një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe dy forcat politike u ulën bashkë për të gjetur një zgjidhje. PD kishte prioritet votën e diasporës”, vijoi Tabaku.

Tabaku thotë se 12 drejtuesit politikë të PD janë një ekip i mirë ndërsa kundërshtarët socialistë i akuzon se pavarësisht platformës “Deputeti që Duam” përmes së cilës premtojnë figura të reja në zgjedhje, kanë alternativë vetëm korrupsionin.
“Sado që PS të dalë më një fasadë të re dhe të bëjë procese ‘deputeti që Duam’, e të thotë që do i mbushë listat me të rinj, s’ka ndryshuar thelbi korrupsioni është rritur, të rinjtë janë larguar më shumë (…) Në 2021 PD kishte një rezultat që ishte shumë i mirë, nëse 80 mijë votat që rezultuan me fletë të votuara gabim me fletë votimi që doli në momentin e fundit, nëse presioni qeveritar, blerja e votës s’do kishin ndodhur, sot do ishim në një rezultat tjetër”, vijoi Tabaku.

E pyetur se përse iu bashkua grupit të Berishës pas 2 vitesh, Tabaku tha se ajo është aty ku është Partia Demokratike.
Kaluam një periudhë të vështirë, kam preferuar të mos isha pjesë e këtij debati, kam përdorur foltoren e kuvendit për të ngritur zërin për të thënë që mos ta sulmojnë njëri-tjetrin, por të japim ofertën tonë opozitare. Kam shkuar në çdo protestë edhe kur situata ka qenë më e keqe dhe debati më i ashpër, kam kërkuar që për zgjedhjet lokale që PD të dilte me një kandidat

Kur debati i brendshëm përfundoi dhe pjesa më e madhe e partisë sot është duke shkuar e bashkuar në zgjedhje, e kam thënë para dy vitesh jam aty ku është PD. Sot përfaqësues dhe kryetar është Berisha që ne patëm një betejë që në 2021. Për PD vendosin demokratët, ka një vendim gjykate, ne e bëmë betejën tonë, dhe ndodhemi në një situatë ku ka nevojë të shohim para të fokusohemi se si të maksimizojmë fuqitë dhe potencialin që ka PD”, tha Tabaku.