Qeveria shqiptare ndiqte me interes zhvillimet diplomatike në Evropën Juglindore. Qeveritë e këtyre vendeve filluan të vendosnin kontakte për t’i ngritur në nivel të ri marrëdhëniet në mes tyre. Në rrethanat e krijuara, ish-kryeministri grek, A. Papanastasiu, hodhi idenë e një konference ku do të diskutohej për mundësinë e një konfederate ballkanike. Në përpjekje për të parandaluar avancimin fashist në Ballkan u bënë tri konferenca ballkanike.
Planifikohej të hartohej programi i Konferencës në mënyrë që të evidentoheshin problemet që i ndanin ballkanasit, në mënyrë që të hartoheshin zgjidhjet më të mira të mundshme pa krijuar probleme të reja.
Modeli i këtij bashkimi ballkanik pretendonte se do të ndërtohej në kuadrin e frymës së Lidhjes së Kombeve. Motoja do të ishte “Ballkani popujve të Ballkanit”. Pala shqiptare u deklarua: “Jemi dakord që Ballkani u përket ballkanasve por me të drejta të barabarta dhe pa dhunë të një shteti ndaj një shteti tjetër ”. Konferencat ballkanike u organizuan në kushtet e acarimit të marrëdhënieve shqiptaro-italiane, kur Mbreti Zogu nuk kishte pranuar të zgjaste afatin e Paktit të Parë të Tiranës.
Qeveria shqiptare, në aspektin e brendshëm, po punonte për krijimin e një komisioni me specialistë për t’u përfaqësuar në konferencë. Këshilli i Ministrave, në praninë e kryeministrit Pandeli Evangjeli, të Rauf Ficos, ministër i Punëve të Jashtme dhe kabinetit qeveritar, morën vendimin që do të merrnin pjesë në Konferencën e Parë Ballkanike dhe do të dërgojnë në këtë konferencë një komision të përbërë nga Mehmet Konica, Mid’hat Frashëri e Patër Gjergj Fishta. E kush mund ta kryente më mirë se Gjergj Fishta misionin e Qeverisë shqiptare në këto konferenca, njeriu, kleriku i cili gëzonte respektin e të gjithëve në Shqipëri, qoftë si klerik, qoftë si diplomat. Nga data 5 deri 12 tetor 1930 në Athinë zhvilloi punimet Konferenca e Parë Ballkanike, ku morën pjesë: Shqipëria, Turqia, Bullgaria, Jugosllavia dhe Rumania. Delegacioni shqiptar u deklarua se krahas punës për përgatitjen e paktit dhe Konfederatës, të zgjidhej me përparësi problemi i pakicave nacionale, pa të cilin as që mund të bëhej qoftë edhe një hap para në bashkëjetesën ballkanike. Kjo kërkesë ishte e padiskutueshme. Diplomacia shqiptare, në këtë mënyrë, synonte në radhë të parë mbrojtjen e Shqipërisë nga sulmi i mundshëm jashtëballkanik, gjegjësisht i Italisë.
Qeveria e Beogradit mbronte tezën se Konferenca nuk duhej të diskutonte problemet e pakicave kombëtare. Megjithatë problemi i minoriteteve, edhe pse nuk iu shkonte për shtati politikave jugosllave apo greke, arriti të diskutohej në Konferencë, e madje të siguronte mbështetjen e Bullgarisë e Rumanisë. Shqipëria u përfaqësua denjësisht në të gjashta komisionet e krijuara në seancën e parë të Konferencës. Kontributi i Gjergj Fishtës ishte jashtëzakonisht i madh. Argumentet e paraqitura nga diplomatët shqiptarë u vlerësuan nga të gjithë pjesëmarrësit.
Më 19 tetor 1931, në Stamboll, u hap Konferenca e Dytë Ballkanike. Në Konferencë, Shqipëria u përfaqësua nga Mehmet Konica, Gjergj Fishta e të tjerë. Konferencën e përshëndeti presidenti i Turqisë, Mustafa Qemal Ataturku. Mbreti Zogu, para se të nisej delegacioni shqiptar, porositi Mehmet Konicën dhe Gjergj Fishtën, si udhëheqës, se do të ishte mirë që gjeja e parë dhe themelore që duhej të kërkonin të jetë diskutimi i problemit të shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi e Greqi. Pas konsultimeve paraprake, në mesin e të cilave, ndër më kryesoret ishte ai i Gjergj Fishtës, në Konferencë, fillimisht fjalën e mori Mehmet Konica. Ai pranoi përsëri në parim aderimin e Shqipërisë në një pakt të ngritur mbi barazinë dhe drejtësinë ndërmjet popujve ballkanikë, por deklaroi që të zgjidhej sa më parë çështja e pakicave kombëtare. Përfaqësuesi i Qeverisë të Beogradit, Joniç, deklaroi se që të arrihej bashkëpunimi ballkanik nevojitej që me prioritet të zgjidheshin problemet ekonomike, e pastaj të kalohej gradualisht në ato politike.
Përfaqësuesit shqiptarë në këtë konferencë prioritet kishin diskutimin e problemit të shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi e Greqi. Pas darke ishte mbledhur një këshill, që, veç ministrave (ambasadorëve), përbëhej nga tre persona për çdo delegacion (tanët ishin Mehmet Konica, At Gjergj Fishta e Fazli Frashëri). Në këtë këshill, delegacioni shqiptar deklaroi se plaga qëndron në çështjen e pakicave, prandaj më parë se çdo gjë tjetër, duhej të gjente zgjidhje kjo punë. Delegacioni shqiptar insistoi që për çështjen e pakicave të diskutohej në hollësi.
Mbi bazën e një raporti të ardhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë (25 qershor 1931) u ngrit dhe funksionoi programi i komisionit përfaqësues në Konferencën e Dytë Ballkanike. Programi u hartua mbi baza kombëtare.
Konica e njoftoi Qeverinë shqiptare se me disa reduktime është pranuar edhe plani i punës për Konferencën e Dytë Ballkanike, sigurisht, me shumë polemika nga ana e përfaqësuesve jugosllavë për çështjen e minoriteteve.
Me shumë interes është interpretimi dhe vlerësimi që i bëri kësaj konference Patër Gjergj Fishta, pjesëtar i delegacionit shqiptar. Ai nuk ishte shumë optimist për përfundimet e saj. Madje, në gjykimet e tij, duke iu referuar historisë së afërme të marrëdhënieve ballkanike të para njëzet vjetëve, nuk mungojnë dhe notat ogurzeza: “por mundët edhe me marue në vaj.. Dje të thuesh luftat ballkanike a nuk u grin e u coptuen ndërmjet veti katër Shtete të Ballkanit veçse u gjetën bashkë të lidhun me besë për pakë kohë kundra Turkut ?…” Me të drejtë Fishta konkludonte që shtetet e Evropës Juglindore nuk shkonin në këto konferenca në kushte të barabarta. Vendimet e Konferencës së Londrës, të Parisit dhe të Lozanës për shqiptarët dhe bullgarët kishin lënë mbrapa mjaft probleme të pazgjidhura, si problemi i vëllezërve të tyre të mbetur jashtë kufijve.
Meritë e delegacionit shqiptar ishte që e mbajti të mbërthyer akoma në agjendën e Konferencës Ballkanike çështjen e pakicave.
Konferenca e Tretë i zhvilloi punimet nga 22 deri 28 tetor 1932 në Bukuresht. Delegacioni jugosllav nuk pranoi që në projekt Paktin Ballkanik të futej neni që parashikonte mbrojtjen e pakicave kombëtare, por edhe delegacioni shqiptar nuk bëri lëshim. Delegacioni shqiptar u shpreh se është deklaruar që në Konferencën e Parë Ballkanike dhe qëndron akoma në mendimin se zgjidhja e të drejtave të pakicave kombëtare ka qenë dhe mbetet kushti kryesor i bashkimit ballkanik.
Qëndrimi i gjithë delegacionit shqiptar, përfshirë edhe Gjergj Fishtën, ishte i prerë. Ata mbronin me këmbëngulje të drejtat njerëzore, në radhë të parë të vëllezërve të tyre jashtë Shqipërisë politike. Përveç delegacionit shqiptar, punimet e Konferencës i braktisi dhe ai bullgar. Konferenca vendosi që procesi i përfundimit të Paktit Ballkanik të vazhdonte, ndërsa ai për krijimin e Konfederatës, siç parashikoi delegacioni shqiptar, dështoi. Edhe Konferenca e katërt, e mbajtur në Selanik, nga 5-11 nëntor 1933, i zhvilloi punimet në të njëjtën mënyrë dhe natyrisht se me një qasje të tillë ishte e predispozuar të dështonte. Më 9 shkurt 1934, në sallën e Akademisë së Athinës, Greqia, Turqia, Rumania dhe Jugosllavia nënshkruan Paktin Ballkanik. Shqipëria dhe Bullgaria nuk u ftuan.
Përfundimisht, delegacioni shqiptar vinte në dukje se me të tilla kushte delegacioni shqiptar nuk mund të kishte vend në gjirin e Konferencës Ballkanike. Në konferencat ballkanike, pozicioni i Shqipërisë mund të kuptohet më saktë po të shihet në përqasjet me zhvillimet diplomatike dhe politike të asaj kohe në Gadishull, nën këndvështrimin e raportit midis çështjes ballkanike përballë Italisë si dhe pozitës së Shqipërisë në kontekstin e marrëdhënieve të atëhershme shqiptaro-italiane. Në këtë periudhë kohore, përpjekja e mbretit Zogu dhe veprimtaria dinamike e diplomacisë shqiptare për të shpëtuar vendin nga tutela e Italisë fashiste ishte intensifikuar. Dalloheshin sidomos përpjekjet e shkathëta të diplomatëve si Mehmet Konica, Rauf Fico dhe Gjergj Fishta.