Ballina Kulturë Skena që të japin emocion, që të zgjojnë kurreshtje

Skena që të japin emocion, që të zgjojnë kurreshtje

1
0

Nga Hyrë Tejeci Murati

Një moment, një rastësi, një histori, një kthesë që të shtynë të shkruash një përvojë jetësore, e cila sigurisht ka qenë shumë e shtrenjtë për ata që e kanë jetuar. Romani “Lotët e pendimit”, të autorit Xhavit Çitaku është ndërtuar mbi një histori të vërtetë.

Një kërkesë jo fort e zakonshme për të shkruar një libër të ri, nga disa miq të autorit, i shton kurreshtjen vetë autorit, por ia shton edhe përgjegjësinë për formatin që do ta shkruante librin, për faktet, elementet dhe figurat që do të përdorte, sepse tregimi bosht ishte shumë i ndjeshëm. Në kohën kur është jetuar ajo histori, gati ka qenë e pamundur të ndërtohej ai tregim, aq më pak të shkruhej e të bëhej transparent në një libër.

Megjithatë, autori arrin të sjellë një libër unik, me një ndërtim unik. Një dramë që ndoshta nuk është parë deri tani në letersinë shqipe.

Siç e thotë edhe vetë autori, ka ekzistuar diçka më e fuqishme se të gjitha rrethanat dhe faktorët që zbërthehen në libër, gjë që ka bërë që ajo histori të ndriçohet një ditë.

Me mjeshtrinë e vërtetë, autori Çitaku paraqet për lexuesin një skenë të qartë për jetën në një familje shumë të konsoliduar, deri në momentin kur shfaqet një person që papritmas ia ndërron kahjen në tërësi kësaj familjeje. Një ditë shtatori e vitit 1985 kishte ndryshuar çdo gjë për një çast të vetëm.

Në këtë roman, përshkruhen jashtëzakonisht mirë personazhet kryesorë, lidhjet mes tyre, rrugëtimin e tyre deri në fund të jetës. Autori paraqet figurën e Editës, një nënë, një zonjë të guximshme; figurën e Agronit, një burrë familjar e profesionist, i matur dhe intelegjent. Po ashtu ai sjell shumë bukur edhe figurën e Bekimit, një burrë artist që hyn në familjen e Editës dhe të Agronit, sikur pa dashje dhe mbetet aty.

Autori e përshkruan dialogun e fëmijëve Petritit dhe Besianës, dy fëmijëve të Editës dhe Agronit, të cilët e kishin kuptuar të vërtetën për nënën e tyre, vetëm pas vdekjes së saj… Një situatë e rënduar për ta, derisa nuk kishin qenë në gjendje të kuptonin në tërësi të vërtetën për nënën e tyre.

Në shtrirje të romanit, në 13 pjesë të tij, shihet një rrjedhë e logjikshme e rrëfimit, një skenë që kishte nisur diku dhe duhej të përfundonte. Përshkrimi i hapësirave ku po zhvillohej ngjarja, me shumë elemente e figura, bën që tregimi të kuptohet më lehtë. Skena që të japin emocion, të zgjojnë kurreshtje, të mbajnë pezull se çfarë do të vijë më pas dhe kjo bën që libri të lexohet deri në fund, pa pushuar.

Një tjetër fakt që këtë roman e bën të veçantë është mosha e dy protagonistëve kryesorë, Editës 47 vjet dhe Bekimit 52 vjet. Ata në moshë të mesme arrijnë të përjetojnë një dashuri të madhe, që për të dy ka qenë shumë unike. Vrapimi pas njëri tjetrit, duke harruar dhe duke lënë çdo gjë pas vetës, e shpjegon dashurinë kulminante që këta dy personazhë kanë pasur për njeri tjetrin. Edita harron shtëpinë, harron fëmijët, bashkëshortin Agronin dhe i përkushtohet në maksimum Bekimit dhe planeve ditore të tij, vetëm për katër ditë sa mbetet e vetme në shtëpinë e saj. Një njohje e papritur, një dashuri në shikim të parë, një lidhje shumë e shpejtë dhe aq e flakët për Editën parasegjithash, del të kishte qenë dashuria jetësore për dy protagonistët.

Një pikë nyje që e ndalë dashurinë fizike të dy protagonistëve është vendimi i Editës për të mos e lënë familjen, megjithatë. Ajo kishte vendosur që të qendronte me fëmijët dhe bashkëshortin e saj Agronin, e të refuzonte propozimin e Bekimit që të shkonin jashtë vendit e të vazhdonin jetën bashkë. Pas momenteve që ata dy kishin kaluar, tashmë ishte e pamundur të qëndronin larg njëri tjetrit dhe e vetmja zgjidhje për ta ishte që të pranonin edhe para të tjerëve dashurinë e tyre dhe të bënin jetën bashkë, diku larg familjes së Editës.

Por, autori e përshkruan forcën e Editës për të mos e marrë këtë vendim dhe zgjedhjen e saj për të qendruar me familjen në Prishtinë. Ajo kishte kohë që kishte ftohje me burrin e saj dhe Agroni e kishtë vënë re këtë gjendje. Madje ai e kishte kuptuar edhe lidhjen e saj me dikë tjetër, por nuk ia kishte thënë. Një madhështi e një burri që di ta kuptojë dashurinë e vërtetë, qoftë edhe nëse bëhet fjalë për gruan e vet…

Pavarësisht se dashuritë e mëdha lënë shumë gjurmë në jetën e personave, lidhja e një nënë me fëmijët e saj është më e fortë. Edhe në këtë roman përshkruhet kujdesi që Edita si nënë tregon kur ajo e shkruan letrën për ta lexuar fëmijët pas vdekjes së saj. E vetëdijshme se do të lëndoheshin fëmijët kur do ta kuptonin se nëna e tyre kishte qenë e dashuruar në një burrë tjetër, ajo ndër të tjera në letër shkruan: “…shpresoj të kuptoni dhe të mos mendoni keq për mua. Nëse më doni, duhet të duani edhe atë që kam bërë. Bekimi më mësoi se çfarë do të thotë të jesh grua në një mënyrë që pak gra, ndoshta asnjë, nuk do ta përjetojnë ndonjëherë. Ai ishte një person i këndshëm, me zemër të ngrohtë dhe sigurisht që meriton respektin tuaj, dashurinë e pastër. Shpresoj t’i jepni të dyja pjesët… Jetoni mirë fëmijë të dashur. Nëna.”

Të gjendur në mes dilemash e të hutuar edhe fëmijët e saj duket se mund ta kishin kuptuar një situatë të tillë. Nëna e tyre kishte hequr dorë nga një dashuri aq të madhe për hir të fëmijëve dhe të babait të tyre, kurse i dashuri i saj ishte tërhequr për hir të respektit që kishte për ndjenjat e të dashurës së saj. Një sakrificë që nuk përshkruhet lehtë.

Lexuesi në këtë libër do të mësojë të jetë më racional edhe në jetën e vet, të gjykojë më ndryshe shembujt si Edita e Bekimi. Nuk do të shohë më sy kritikë asnjë dashuri të vërtetë, pavarësisht se kur do të mund të ndodhë ajo në mes çifteve. Pse duhet të ndrydhen ndjenjat e dy të dashuruarve në qoftë se nuk iu bëhet dëm të tjerëve?!

Sikur edhe në shkrime e botime të tjera, edhe me këtë roman, autorit Xhavit Çitaku tregon cilësi të lartë të shkrimit, duke nxjerrë në pah aftësitë të tij krijuese pavarësisht se çfarë zhanri letrar shkruan.

Libri është shkruar me shumë kujdes, përkushtim dhe dashuri, është shkruar edhe rrjedhshëm dhe bukur. Me një sintaksë të drejtë, që e bën atë të lexohet lehtë dhe pa përtesë. Kjo i shton këtij libri edhe më shumë vlerat jo vetëm letrare, por edhe gjuhësore.

Autorit i uroj shëndet dhe e përgëzoj për këtë vepër që ka nxjerrë në dritë, duke e lënë atë si një testament të veçantë për dashuritë e mëdha e të sinçerta, të cilat pavarësisht se në cilën moshë ndodhin, ato janë të vetmet.