Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos pranojë e kërkesën e qeverisë për plotësimit e vendimit të mëparshëm të kësaj gjykate që shfuqizoi taksimin 15% të profesioneve të lira, vendim i cili duket se i mbyll dyert kompensimit të subjekteve që kishin parapaguar këstin e parë.
Duke rrëzuar kërkesën e qeverisë që Kushtuesja të shprehej për efektet që prodhonte vendimi i saj dhënë në qershor të këtij viti, Gjykata Kushtuese ka nënvizuar se vendimi në fjalë ka hyrë në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare. Thënë ndryshe praktikisht nuk do të ketë kompensimin për 6,541 subjekte të profesioneve të lira, të cilët kishin parapaguar rreth 5 milion euro tatim mbi të ardhurat.
Në të njëjtën ditë 16 shtator, 2024 kur Kushtetuesja nxori vendimin në fjalë, deputetja e partisë demokratike Jorida Tabaku depozitoi në kuvend një projekt ligj për të kompensuar profesionistë e lirë që kanë parapaguar tatim fitimin 15%, si dhe fshirjen nga sistemi të detyrimeve tatimore së bashku me kamatevonesat që janë krijuar nga zbatimi për disa muaj i ligjit të shfuqizuar.
‘Kërkuesi ka pretenduar se në vendimin nr. 52/2024 të Gjykatës konstatohet mungesa e disponimeve mbi efektet e tij ndaj pasojave të ardhurave nga zbatimi i Ligjit të Tatimeve dhe VKM-ja nr. 753/2023. Sipas kërkuesit, këto akte kanë sjellë pasoja dhe efekte me shtrirje të gjatë kohore dhe kur vendimi ka hyrë në fuqi një pjesë e efekteve të tyre tashmë ishin prodhuar, ndërsa një pjesë tjetër jo. Në kushtet kur është e qartë se bazuar në nenin 76, pika 7, shkronja “c”, të ligjit nr. 8577/2000, efektet e tjera të parashikuara nuk mund të vijnë më, mbetet e paqartë situata se çfarë do të bëhet me efektet dhe pasojat e ardhura. Konkretisht, sipas kërkuesit, deri në datën 28.06.2024 numri i subjekteve të shërbimeve profesionale që kanë qarkulluar të ardhura deri në 14 milionë lekë dhe kanë shlyer këstet e parapaguara është 6,541, ndërsa vlera totale e tyre është 501,325,388 lekë. Për këtë pjesë kërkuesi është i paqartë se çfarë efekti sjell vendimi nr. 52/2024. Sipas tij, në çdo rast Gjykata duhet të shprehet për efektet e saj, gjë e cila në rastin konkret nuk rezulton të ketë ndodhur.’- thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.