Ballina Opinion Këtu në këtë qytet njerëzit duket sikur jetojnë për t’iu q…motrat njëri...

Këtu në këtë qytet njerëzit duket sikur jetojnë për t’iu q…motrat njëri tjetrit

1
0

Nga Denis Dyrnjaja

Tirana ka gjallërinë e vet si çdo qytet. Tani, ndryshe nga dikur para viteve ’90, kur kishte rreth 250 mijë banorë, Tirana është mbipopulluar nga banorë të rinj të ardhur nga qytete e fshatra të Shqipërisë, nga veriu në jug ose anasjelltas. Një qytet i konceptuar për pak banorë, nuk ishte përgatitur për të përthithur një vrull demografik që sot arrin deri në rreth 1 milion banorë.

Kur them përthithje kjo lidhet me shumë dimensione sociale e kulturale. Pra çdo qytetërim komunitar në vendbanime që ne i kemi cilësuar si qytete krijon tipologjinë e tij. Edhe Tirana të vetin dhe pse një qytet relativisht shumë i ri, vetëm pak më shumë se 100 vjeçar. Në këtë një shekull, ekzistencë, qyteti ka përjetuar dhe është përshtatur me kontekstet politike dhe publike të kohës dhe gjurmëve që ato lanë. Psh Tirana ka përjetuar periudhën e monarkisë me gjurmë të forta, pastaj të pushimit fashist me gjurmët e tij të mbetura edhe sot dhe veçanërisht të diktaturës gati gjysmë shekullore, me gjithë tipologjinë dhe tipikën e saj, ndërsa tani të demokracisë me gjithë dinamikën dhe veçanërisht anarkinë e saj.

Sot qyteti thuajse nuk ka asgjë të ngjashme me Tiranën e viteve ’90, jo vetëm si koncept urban, por edhe si koncept komunitar e kultural. Dikur qyteti përbëhej nga lagjet që ishin si qendra më vete për karakteristikat e tyre, që nga Xhamllëku e Rruga Bardhyl në Kombinat, që nga Tirana e re te ish Restorant Durrësi, e që nga Rruga e Elbasanit me Urën e famshme të Tabakëve deri te Rruga e Durrësit, përfshirë dhe Brrakën, që shquhej për prezencën e komunitetit rom e egjiptian. Sikurse ishte Lapraka apo ish Shkolla e Bashkuar deri në kufijtë ekstremë të ish Konostudios. Këto dy emërtesat e fundit i lashë me qëllim shkurt pa i cilësuar zyrtarisht si terma pasi kështu njiheshin si lagje. Pra kur ne pyesnim dikë për ku je nis?

Ai/ajo thoshte: po shkoj deri në Kinostudio, jo deri në Kinostudion ‘Shqipëria e Re”, apo te Shkolla e Bashkuar, jo te Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve, pra flitej me shkurtime të kuptueshme ose nofka identitare. Me vitet që shkonin, lagjet maturonin tipologjitë dhe karakteristiat e tyre, por të gjitha me natyralitet integroheshin në qytet. Periferitë kishim tjetër mënyrë, formë dhe organizim nga qyteti. Psh Babrruja, Kamza, Selita, apo Ssuku që rrethonin Tiranën, ishin krejt të ndryshme në mendësi dhe organizim shoqëror e kultural. Ato kishin tipologjinë e provincave rurale, ku dallimi me qytetin ishte i dukshëm i fortë dhe distant. Ky refleksion pastaj në prerje me të holla shfaqej në tipologji dhe ndryshim edhe mes vetë lagjeve të qytetit. Pra dihej ku banonin autoktonët e Tiranës dhe dihej ku ndodhej popullsia e re e ardhur me pasaportizim. Pra ardhja në qytetin që ishte në fakt kryeqytet, veçanërisht gjatë diktaturës nuk ishte rrumpallë.

Duke patur një popullsi me tipologji rurale dhe provinciale, pasi mbi 65% e saj jetonte në fshatra, apo fshat/qytete, regjimi kishte gjetur skemën e sjelljes së kontrolluar të kësaj popullate fillimisht në qyteza e më pas në Tiranë. Ky filtër që duhet theksuar se nga pikëpamja e të drejtave të njeriut ishte diskriminues në kuptimin formal por edhe real, u thye me ardhjen e demokracisë. Qyteti i vogël llogaritur për banorët që kishte u përball me masivizimin e menjëhershëm. Kjo solli sfida të mëdha për të gjitha dimensionet, por veçanërisht për kontekstin urban dhe komunitar. Psh u shua brenda disa vitesh tradita e lagjeve, sepse të ardhurit nuk kishin fare dijeni çfarë tipologjie apo veçanësie kishte njëra lagje nga tjetra.

Sot lagja ose ekziston formalisht ose është tjetërsuar tërësisht duke iu përshtatur tanimë mendësisë dhe filozofisë së imponuar nga shumica e ardhur. Dhe për ta lidhur të gjithë këtë parantezë me sportin dhe derbin e kryeqytetit, ata që erdhën nuk e dinin psh që Lapraka ishte lagja e tifozerisë së zjarrtë të Partizanit, ndërkohë që Tirona, siç e quajnë apo thërrasim ish skuadrën që mbante për emër ditën e çlirimit të qytetit 17-Nëntorin dikur, kishte për referencë shumë zona të qytetit, por më e spikatur ishte ajo e Xhamllikut. Po ashtu sikurse nuk dinin këta elementë që ngjajnë si jo të rëndësishëm nga pikëpamja e angazhimit në qytet dhe për qytetin, të ardhurit me masivizimin e qytetit me ose pa dashjen e tyre filluan të imponojnë sjelljen dhe kulturën që ata mbartnin me vete. Psh dikur, para 3, 4, 5 a më shumë dekadash një ndeshje derbi e kryeqytetit Tirana-Partizani ishte një lloj rivaliteti i jashtëzakonshëm, që përpinte rrugë, shkolla, uzina apo fabrika para dhe pas ndeshjes. Të gjithë diskutonin e flisnin me pasion për të mbrojtur skuadrën e preferuar dhe brenda kësaj atmosfere kishte shumë sport e rivalitet, por shumë më pak banalitet. Sot ndodh e kundërta. Derbi i kryeqytetit është shndërruar thuajse i tëri në vulgaritet dhe ka mbetur shumë pak qytetari e aq më pak rivalitet.

Nëse im At më merrte mua fëmijë në stadium për të më mëkuar me ndjenjën e sportit, rivalitetit dhe natyrisht të shijes e grintës së futbollit, unë shkoja në stadium dhe ndjeja një adrenalinë të jashtëzakonshme që ka mbetur si te shumëkush një panoramë temperamentesh plot dinamikë e pasion, por në asnjë rast të dominohej prej tyre në ekstreme. Ndërsa sot ti merr fëmijën ta çosh në stadium dhe me çfarë panorame përballesh? Së pari dhe çka ndjehet më së shumti ka shumë frustrim, jo rivalizim mes tifozerive, ka shumë bullizimi e fyerje dhe jo sportivitet në komunitet. Tifzeritë janë transformuar nga ato tradicionale, në tifozeri artificiale. Pra me Tironën sot ka më shumë njerëz që nuk e dinë çfarë është Tirona si skuadër futbolli, pra si institution dhe brend sportiv. Dhe duke mos njohur këtë histori, traditë dhe filozofi është tjetërsuar fisnikëria e klubit, fanelës dhe emri të Tironës legjendare. Këtë fundjavë vendosa të çoj tim bir në stadium. Dua ta mësoj atë me traditën sikurse më ka mësuar im At mua. Shkuam. Në reshtin sipër nesh, ishte një bashkëmoshtar i tij i cili nuk ndalonte së shfaquri një agresivitet të pakuptimtë. Por ai nuk kishte faj se atë model kishte anash vetes në të majtë e në të djathtë. Im bir shihte ndeshjen dhe për çdo ngjarje në fushë që ishte në disproporcion me sharjet, më shihte i habitur sikur donte të më thoshte: po këta çfarë kanë se nuk ka ndonjë gjë për të sharë?! E pyeta: do të ikim? Jo jo – më tha disa herë. Kishte qejf të shihte ndeshjen.

Minutat kalonin, ndeshja ishte në barazim, ndërsa frustrimi përveç se nuk ndalej, shtohej veçanërisht nga bashkëmoshatari i tij i cili bënte tifo për njëjtën skuadër sikurse dhe ne. Dhe në një moment diskonforti arriti pikën e padurimit. U bë e padurueshme dhe e pasuportueshme situata. I thashë e kemi dhe një zgjidhje. Për fat stadiumi nuk ishte plot dhe në tribuna kishte vende bosh. I thashë shkojmë pak më poshtë. Minutat e mbetura të ndeshjes i pamë diçka më ndryshe. Ndeshja mbaroi dhe im bir që kuptoi përhumbjen time jo nga rezultati, por nga realiteti më pyeti kur dilnim nga stadiumi. Ba po ty si t’u duk ndeshja? Heshta sikur se dëgjova pyetjen se përgjigja e vetme që kisha ishte: Këtu në këtë qytet njerëzit duket sikur jetojnë për t’iu q…motrat njëri tjetrit Dhunë verbale, frustrim, bullizim. Kjo nuk është Tirona e traditës, ky nuk duket më si qyteti im!