Vetëm gjatë një jave në qarkun e Korçës janë regjistruar 8 raste të dhunës në familje.
Sipas burimeve zyrtare të policisë bëhet fjalë për raste të dhunës ndaj bashkëshortes, bashkëjetueses, shkeljen e urdhrave të mbrojtjes, apo edhe dhunë ndaj nënës apo ndaj vjehrrit.
Sipas sociologëve rastet e dhunës në familje vijojnë të jenë të shumta për shkak se shoqëria shqiptare karakterizohet ende nga dhuna dhe se ende nuk është kuptuar nga popullata se dhuna duhet luftuar e duhet shmangur.
“Arsyet janë kulturore, vlerore. Po ashtu edhe arsyet ekonomike. Kur flasim për dhunë, ky fenomen nuk është më çështje private, por problem publie, ndaj duhet të ndërgjegjësohen të gjitha institucionet, komunitetet, apo dhe vetë qytetarët apo individët që janë pjesë e kësaj dhune”, tha sociologu Eriseld Kalemaj.
Sociologu e njëherësh pedagogu Kalemaj ka bërë thirrje për më shumë reagim ndaj rasteve të dhunës, në mënyrë që të mund të shmangen tragjedi të mundshme.
“Duhet më tepër informim, arsimin apo më tepër politika mbështetëse ndaj familjes. Të mos neglizhohet asnjë rast, por të jemi reagues”, tha Kalemaj.
Rastet e dhunës në familje janë evidentuar si në qytetet e qarkut të Korçës, ashtu edhe në fshatra. Për të 8 rastet, policia ka kryer arrestimin në flagrancë të autorëve dhe referimin e viktimave për pajisjen me urdhër mbrojtje.