Ballina Europë Social-demokratët fitojnë në Brandenburg! Partia e Scholz merr 30.9% të votave

Social-demokratët fitojnë në Brandenburg! Partia e Scholz merr 30.9% të votave

23
0

Një rezultat shumë i ngushtë, por Partia SocialDemokrate e kancelarit gjerman Olaf Scholz doli forca kryesore në Brandenburg duke marrë 30,9% të votave. Suksesi i SPD-së i jep Scholz-it një epërsi të lehtë në diskutimet e partisë për të qenë edhe një herë kandidati i saj për kancelar për zgjedhjet federale të planifikuara për në shtatorin e ardhshëm.

Shumë politikanë, edhe nga SPD ia adresojnë fitoren e Partisë Socialdemokrate, kryeministrit popullor të landit, Dietmar Woidke.

“Një rezultat i madh, shumë i madh për SPD-në dhe për të gjithë ne,” tha Scholz teksa ndodhet në  Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York. Alternativa për Gjermaninë, ekstremi i djathtë, u rendit e dyta pasi mori 29.2% të votave duke siguruar 30 nga 88 vende.

Aleanca e re Sahra Wagenknecht mundi Kristian Demokratët (CDU) duke u renditur në vendin e tretë. Megjithatë mbetet i vështirë krijimi i koalicioneve. Sipas rezultateve të fundit të  ZDF, SPD dhe CDU e cila u rendit e katërta në zgjedhje me 12,1%  së bashku do të kishin 44 vende, por iu mungon një vend për të arritur shumicën e 45 vendeve në parlamentin e landit. Megjithatë kryeministri i landit, Woidke tha, se do të fillojë bisedimet me CDU për formimin e qeverisë së re. Edhe Aleanca Sahra Wagenknecht është kandidate për bisedime koalicioni.

Renditja në vend të dytë e “Alternativa për Gjermaninë” ka ngjallur shqetësime në Gjermani dhe jashtë saj për një sërë çështjesh ku më kryesorja është emigracioni. Si AFD po ashtu edhe lëvizja e re e majtë, Aleanca Sahra Wagenknecht, ose BSW, dëshirojnë të ndalojnë dërgesat e armëve në Kiev.