Ballina Opinion Duro shpirti im!

Duro shpirti im!

1
0
Nga Kimete Berisha 
1. Në një kafene në Prishtinë, A.V. e kishin rrethuar pesë gra, dhe njëra prej tyre ia kish hapur sytë mavi dhe po i thoshte:
– ‘Shiko, mua më konvenon shumë të punësohem në Prizren, se e kam afër spitalin’.
– Nuk deshta ta dëgjoj se isha duke ecur pranë tyre, por ajo gojëmadhe fliste me zë të lartë, derisa ministri e dëgjonte ëndrrën e saj si të ishte e vetja.
– Nuk e di a ia realizon ministri ëndrrën asaj gruaje që e dinte çfarë donte, por e di se krejt takimet zyrtare është dashur të mbahen nën rrezet e diellit.
– Do të mund ta fotografoja, por nuk është stili im, e urrej spiunazhin dhe jam për realizimin e ëndrrave të bukura njerëzore.
– Se edhe vet do të doja ta kisha zyren me pamje kah mali e jo siç e kam kah Toma.
– Mua më intereson ana letrare e problemeve.
A po kupton!
2. S’di se si i ka zbutur Albin Kurti serbët, por që i ka zbutur – i ka zbutur, me lejen a pa lejen e Vuçiqit, ani çka që qëllimi i arsyeton mjetet….!
– Sigurisht që tingëllon çuditshëm, e di, por ose Vuçiqi ose Zoti ‘po i ndihmon’ Albin Kurtit t’i fitojë zgjedhjet, se ia kanë falur heshtjen e serbëve.
– Kam qenë të dielën në Veri me motrën Fatmire Berisha, diku rreth orës 21:00.
– Qetë. Dritë. Dyqane shqip.
Mbishkrime shqip.
Vetura 02.
– Në rrugën e fundit të qytetit, e shikova ballkonin e shtëpisë së fëmijërisë…
Kurrë s’mu hoq meraku…
– Një llampë e madhe e ndriçonte dhomën e vogël dhe kujtimet e mia të bukura…
deshta të qaj por m’u desht të ndalem, pasi që m’u afrua një qen e frika ia mori anën mallëngjimit.
– Se, veç kujtimet e bukura më bëjnë të vuaj.
Kujtimet e mia të dhimbshme (si ato të luftës për shembull) më duket se e kanë hëngër vetveten, si trupi kur agjëron tre ditë, që fillon ta hajë vetveten për të mbetur gjallë…
dhe në vend se të vdes – përtërihet nga uria dhe nga vuajtja.
3. Për të mbetur gjallë Partia, Edi Rama ka kërkuar ‘gjak të ri’.
E ka vjedhur idenë ‘me gjak’ të presidentit amerikan Thomas Jefferson, i cili mendonte se pema e lirisë duhet të përtrihet herë pas here me gjak të ri.
– Sa herë që dikush lyp gjak të ri, duket vampir.
– Ti lyp tjetër çka, lyp mend, mund të thuash duhet ‘mendje e re’, e jo gjak…!
4. Diçka të re, të përsosur, ka kërkuar edhe Lumir Abdixhiku.
Lumiri, në një reklamë të lumturisë, tha se ‘banesa e krijon familjen’.
– Pronarët e banesave që e kishin rrethuar dhe po e dëgjonin Lumirin duke folur për shtetin e tij ‘Utopik’, ku banesa e krijon familjen e jo si deri tash që familja e ka blerë banesën.
– E Ibrahim Rugova edhe ‘shtetin’ e ka pas krijuar pa pasur shtëpi të veten (ka jetuar në shtëpi të falur).
– Të gjithë të pranishmit, pesë sa ishin gjithsej, e miratuan idenë e Lumirit për një shoqëri inekzistente, ku banesa e krijon familjen.
– I vetmi sukses i Lumirit deri tani ishte ai rasti kur e thirri në podcast Grida Dumën e nuk e la të fliste, për ta bindur se është djalosh i mençur, dhe e bindi.
5. Më shumë ka asi që nuk duan të votojnë. Për herë të parë, ç’prej se mbahen zgjedhje, askush nuk është atraktiv.
– Të gjithë janë harxhuar.
Ne i zgjidhnim për të na udhëhequr e ata i udhëhiqte lakmia…
– Dhe kështu, hajn pas hajni…s’mbet kush pa na vjedhur.
– Pse?
Sepse grabitja është mentaliteti i shqiptarëve.
– Kosova është vendi më i varfër në Evropë, me politikanët më të pasur.
6. E tash, Liburn Aliu po thotë se kryeministri Kurti ka bërë ‘premtim të gabuar’ për autoudhën e Gjilanit, por s’ekziston shprehja ‘premtim i gabuar’, por thuhet ‘premtim i rrejshëm’
….e Liburni nuk ka premtuar, por ia ka ndërtuar vetes dy shtëpi në lagjen më luksoze.
7. Me serbët ka bërë alkimi, i ka zbutur, por neve nuk mundet, sepse neve na ka djegur.
– Qeveria Kurti nuk i kanë vjedhur tatimet e serbëve, por të shqiptarëve.
Neve nuk na e vodhi buxhetin Serbia, por ‘qeveria e shpresës’.
– E tash që s’shpresojmë më, dhe që s’ka më ‘shpresë’ për të vjedhur, çka tash!
– Ka patriotizëm.
E çka të bëjmë me patriotizëm!
Neve s’na duhet kryeministri patriot, se patriotë jemi vetë.
-Neve na duhet….e dini ju çka.
8. Albin Kurti në asnjë çast të qeverisjes së tij nuk ka folur për paqe.
– Ka provokuar luftë së bashku me Presidenten Osmani, sepse e kanë ditur se lufta nuk varet prej këtyre qurrave.
– Dhe për rival e kanë zgjedhur Putinin. Albin Kurti i ka lakmuar dhe u ka duartrokitur luftërave kudo që kanë ndodhur dhe po ndodhin nëpër botë.
– Ka anuar kah viktimat, jam me këto viktima kundër atyre viktimave, asnjëherë goja e tij nuk e ka thënë një fjalë për paqe mes njerëzve.
– Nuk i ka hije.
Sepse, nuk është me rëndësi përkatësia etnike apo bindja fetare e një fëmiu në Lindjen e Mesme, i cili ishte hedhur mbi trupin e babait të tij të vrarë dhe i shkulte flokët e tij me rrënjë e qante e vajtonte – ‘Babai im është çdo gjë që kisha’.
– Askush nuk i thoshte: qetësohu se na ke neve.
Sepse, kurrë nuk e ke askënd.
– Je vetëm kur vuan, prandaj quhet vuajtje.
9. Dy deputetë u larguan nga Albin Kurti, për bindje fetare, por në të vërtetë ata u përzënë nga Albin Kurti, i cili i trajton ‘kundërshtarët’ me ‘silent treatment’ dhe ua bën punën të kujtojnë se ata u larguan vet.
– Partitë politike që e shfrytëzojnë Zotin për pushtet politk asnjëherë s’kanë pasur as s’do të kenë të ardhme në Kosovë.
10. E që kanë shije, kanë, se nga unë asnjëherë nuk kanë hequr dorë.
Qe, sot e mora një ofertë…
– Që do të thotë ka shpresë, se kritikat e mia për qeverinë e Albin Kurtit u pranuan nga Albin Kurti.
11…se nuk është e vërtetë që isha e trishtuar në atë çast kur e çela xhamin e veturës dhe pikërisht në atë çast, këngëtarja në radio KFOR-in shqip me sa zë që kishte, si shtrigë që i ishte zatetur shpirti në fyt bërtiste ‘Duro shpirti im’.
– Një djalë e ktheu kokën e më shikoi, u duk që i erdhi keq për mua sepse dukej sikur kënga (që nuk e kam zgjedhur) e pasqyronte gjendjen time shpirtërore.
– Më erdh inat. Se nuk jam unë ajo që
i them shpirtit tim ‘Duro’, thuajse shpirti im është prona ime, dhe unë i nënshtrohem urdhërave të mendjes sime.
– Hiç mos duro…shpirt.
– U ktheva kah radio KFOR-i serbisht, ku boshnjaku Dino Merlin bashkë me një serb këndonin strofën e dytë të këngës ‘Ljubav se ne piše tako
Oko za oko, zub za zub’.
12. Nëpër çarshi janë shtuar gratë me look-un e Dejona Mihailit.
Apo mua prej tutës po më përfytyrohet!
13. Derisa po mendoja për Ty, një djalë
i tha një tjetri: Shih kjo, kjo po ekzistojka.
– I buzëqesha, u ‘gëzua’!
– Ende ka dilema për ekzistencën time!
P.S. A po vërehem që veç Bedri Hamzën s’e paskam përmend?