Kryetarja e parlamentit serb, Ana Bërnabiç, ka pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “po i përdor të gjitha mekanizmat për të provokuar konflikte dhe për të spastruar etnikisht Kosovën” dhe ka shtuar se “pavarësisht gjithçkaje, Prishtina nuk do të mund të shmangë obligimin për formimin Asociacionit”, raporton tabloidi në shërbim të regjimit aktual serb “Kurir”.
Bërnabiq, e cilësuar në Serbi si kampione në servilizëm ndaj liderit të saj suprem, ka thënë se Aleksandar Vuçiç po bën përpjekje të mëdha diplomatike për “ta njoftuar” komunitetin ndërkombëtar për “gjendjen e vështirë të serbëve të Kosovës”.
“Po vjen dhjetëvjetori i procesit të Berlinit, duan të ringjallin CEFTA-n e bllokuar prej më shumë se pesë vjetësh për shkak të pengesave që vijnë nga Prishtina, atë që po bën Kurti, po e shfrytëzon hapësirën në mes, kur pas zgjedhjeve për institucionet evropiane, kur nuk ka KE të formuar, ka zgjedhje në nëntor në SHBA, ai e shfrytëzon këtë hapësirë për të shkaktuar konflikte në Kosovë, duket se të gjithë e panë se atij nuk i intereson sundimi i ligjit, të drejtat themelore të njeriut për serbët, dhe se qëllimi i tij i vetëm është Kosova etnikisht e pastër, është një situatë tmerrësisht e vështirë për “popullin tonë” në Kosovë, Vuçiç ka prezantuar një sërë masash, Qeveria do ta miratojë si propozim, besoj se deri në fund të tetorit do të kemi një diskutim dhe një sërë masash që do të ndihmojnë”, ka pretenduar Bërnabiç.
E pyetur se çfarë mund të pritet nga Kurti në periudhën e ardhshme, Bërnabiç ka thënë se “është i mundur përshkallëzimi maksimal i tensioneve”.
Ajo ka shtuar se “Albin Kurti ka dy synime – Kosovën etnikisht të pastër dhe shkaktimin e konfliktit për hir të interesave politike dhe qëndrimin në pushtet”.
“Mendoj se Kurti praktikisht i ka dy synime, njëri është territori etnikisht i pastër i Kosovës nën sundimin e përkohshëm të “institucioneve të përkohshme në Prishtinë”, dëbimi i të gjithë serbëve dhe të gjithë joshqiptarëve të tjerë nga Kosova. Ky është qëllimi i parë, qëllimi i dytë është të përpiqet të shkaktojë konflikte për të mbetur në pushtet në institucionet e përkohshme”, ka thënë Bërnabiç.