Kreu i PD Sali Berisha është ndalur te protesta kombëtare e thirrur në datë 7 tetor ora 18:00 përpara kryeministrisë.
‘Beteja që nisim është beteja e jetës sonë! Do jetë dita e mosbindjes civile masive’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush qëndrestareve dhe qëndrestarëve të pamposhtur, misionarëve të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar.
Mirënjohje të pakufishme oratorëve të parlamentit të fjalës së lirë, që me fjalën e tyre përcjellin në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve të vërtetat që censuron regjimi i lidhur me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, regjimi i Edi Ramës.
Miqtë e mi, për Edi Ramën, organizatën e tij kriminale qeveri, narkozyrtarët e tij, në këtë moment që flasim gjëja më e tmerrshme është ora e cila me tik-takun e saj afron në çdo sekondë 7 tetorin, orën 18:00 të 7 tetorit, ditën e mosbindjes civile masive, ditën e triumfit të guximit qytetar, ditën e përballjes së madhe të vlerave të qytetarëve, trimërisë dhe guximit të tyre me krimin, drogën, antivlerat e regjimit të Edi Ramës.
Demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë, beteja që nisim është beteja e jetës sonë.
Është shansi i jetës sonë.
Është shansi ynë për t’u përballur me guximin tonë me një regjim që pasi shndërroi procesin themelor të shoqërisë së lirë, votën e lirë në farsë elektorale, riktheu në Shqipëri burgjet, gjyqet, persekutimin politik.
Farsa elektorale, mohimi i të drejtës së votës përmes farsës elektorale dhe persekutimi politik i kundërshtarëve janë dy shtylla kryesore mbi të cilat bazohen diktaturat, qofshin ato naziste, komuniste, teokratike apo diktatura e bandave siç është kjo e Tiranës.