Ballina Kulturë Jeta dhe vepra e Vladimir Obradini- Tregim nga Orsin Bakalli

Jeta dhe vepra e Vladimir Obradini- Tregim nga Orsin Bakalli

12
0
Vladimir Obradini ishte njeri i thjeshtë. I thjeshtë sa s’ka. Ishte thjeshtë i thjeshtë. I thjeshtë si gjethja e vjeshtës, shkërmoqej si letër e mykur. Po ta fusje në sobë, digjej si eshkë e lagur, kërciste si kikirik. Kërr-kërr, krrap-krrap.
  Po t’i jepje të hante krap, e kollofiste si qeni i rrugëve kockën e pulës që ia jepte fqinji i tij, pra i Vladimir Obradinit.
   Po t’i ngecte kocka në fyt, përplaste kokën në mur, muri rrëzohej dhe fqinji ia jepte një shkelm në ije dhe kocka binte në zorrën e trashë, qeni lehte dhe Vladimir Obradini rënkonte, më pas binte këmbana e kishës që lajmëronte fundin e javës.
    Ky pra ishte Vladimir Obradini, pishtar i thjeshtësisë dhe përvujtësisë. Ishte i përvujtuar  ngaqë endej gjithmonë nëpër vuajtje e sikur të vuante më pak nuk do gërhiste në gjumë çuf-çuf si një lokomotivë e vjetër ruse. Ishte një rus i bardhë që fati e kishte degdisur diku në lagunat e Myzeqesë. Normal që emri I tij nuk kishte pse të rezononte me emrin modern Oblladi- Obllada. Eh, ai jetoi në kohë tjetër.
   Një ditë  prej ditësh Vladimir Obradini u gjend në pozicion të vështirë. Teksa pinte lëng groshe, ngaqë kokrrat e  groshës ia kishte dhënë fqinjit për t’i bërë rruaza byzylykësh, u kujtua që nuk kishte folur siç duhet në mbledhjen e miqve.
Çfarë bëhej atje? Atje Vladimir Obradini merrte pak dhé në dorë dhe ia hidhte shokëve në gjoks duke u thënë: ky je ti, e ai është kjo, e këta jemi ne, prandaj nuk bëhet asgjë, asgjë prej gjëje nuk ka, dhe gjë prej asgjëje nuk bëhet.
   Një ditë tjetër prej ditësh, Vladimir Obradini kishte ngelur pa retorikë. As gëk as mëk. I heshtur u drejtua për tek kopshti botanik. Atje u ul në gjunjë dhe filloi t’i lutej barit që të mos lëkundej nën peshën e erës, por t’ia kthente bisqet e vogla në sipërfaqen e gjuhës që të bënte sërish pllaq-plluq lart e poshtë në gojën e tij.
Fryu një erë e fortë dhe Vladimir Obradinit i ranë të gjitha qimet e trupit. U ngrit, mori një fshesë dhe i shpërndau nëpër bar. Sesi ndodhi kjo gjë nuk di ta shpjegoj, po prej asaj dite, Vladimir Obradini u njoh si një prej kasnecëve më të fortë të qytetit e  nuk i pushoi goja më kurrë. Ishte ky fakt që ai shpejt u largua nga laguna moçalore dhe që e bëri aq të njohur në qytetin aty pranë.
Ai ishte Vladimiri që kohë më vonë siç thonë gojët e këqia të qytetit, përveç se fliste pa pushim kishte tentuar të shkruante por i ngatërroheshin ciriliket me germat latine.