Ballina Editorial Edhe një shtet i ri shqiptar

Edhe një shtet i ri shqiptar

6
0

Nga Spartak Ngjela

Sot janë tre shtete shqiptarë: Shqipëria, Kosova, Maqedonia.

Ky ka qenë një sukses historik i popullit shqiptar.

Sigurisht që është ende edhe një shtet i katërt – Çamëria –  që do të vijë, por që ende nuk ka arritur të jetë shtet.

l.

Por na duhet të theksojmë: pse ende nuk është formuar shkencërisht një institut i përbashkët për historinë dhe gjuhësinë e shqiptarisë? Sepse koha historike i ka ndarë shqiptarët në pesë shtete kufitarë.

Kjo është në fakt një habi historike: si ka mundësi që shqiptarët të jenë trajtuar kështu nga historia? Fuqitë e Mëdha i shpërndanë shqiptarët në pese shtete: në Turqi, Serbi, në Mal të zi, dhe në Greqi.

Ja, kjo është historia e pushtimit të Arbërisë, por ka ardhur koha, që, ky fakt historik të jetë shqetësim për të gjithë shqiprarët.

Historinë e një populli që ka një gjuhë kombëtare të përbashkët, e bën vetë populli. Kjo është aksiomë historike.

Po ne shqiptarët, sot, që kemi dalë nga shtypja koloniale Turqi-Rusi, pse po rrimë të përçarë?

ll.

Përçarja e shqiptarëve nuk është fare e aspak një rastësi e kohës si histori, por është rrjedhojë direkte e pushtimeve të gjata.

Sllavët kanë dashur të na asmilojnë si kombësi shqiptare, dhe ndonëse në një rrugë kriminale, na vranë, nuk na kanë asimiluar dot.

Grekët kanë dashur të na asimilojnë dhe nuk na kanë asimiluar dot.

Kur erdhi koha e pavarësisë së Shqipërisë, shumë kërkuan t’i bënin sllavët e grekët bashkë kundër Shqipërisë së pavarur, por rilindësit tanë të mëdhenj e kishin kryer punën e tyre. Shqipëria doli e pavarur dhe me gjuhën shqipe të ngritur në sistem gramatikor.

Dhe kjo në fakt vijoi të ishte forca moderne e shqiptarisë që, pas Luftës së Dytë Botërore, me radion dhe televizionin shqiptar, edhe me literaturën shqipe në miliona kopje, e krijoi tharmin e vet modern të gjuhës shqipe dhe të historisë së Shqipërisë së Re.

lll.

Shqiptarët e mëdhenj me sakrifica sublime organizuan gjithçka, dhe ja, tani në Ballkan janë dy shtete shqiptare. Sepse ishte gjuha shqipe, literatura shqipe, dhe e gjithë vlera shqiptare e dalë me sistem nga Shqipëria, që krijuan identitetin e flakët shqiptar në Kosovë e në Maqedoni, dhe që sot, shqiptarët, e kanë marrë nga hordhitë sllave shtetin e dytë shqiptar të pushtuar prej tyre –  Kosovën.

Por na duhet të ritheksojmë shpesh se historia e shqiptarisë që ka triumfuar sot, ka kaluar nga mbrojtja dhe përkrahja e AustroHungarisë në vitet 1911-1912-2913 që krijoi Shqipërinë; tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1992-1998 -2008 që solli çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e saj si shtet i dytë i pavarur i shqiptarisë në Ballkan.

Por duhet ta theksojmë që, pavarësia e Kosovës si shtet i pavarur, ka qenë një vështirësi shumë e madhe historike. Por ja që u krye.

IV.

Po historianët e Shqipërisë dhe të Kosovës, pse ende nuk kanë krijuar një korpus-institut të përbashkët, për të rishkruar me sistem shkencor historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në 3000 vjet histori të lavdishme?

Dhe, na duhet ta theksojmë se kjo ka qenë një kohë e madhe e magjisë së gjuhës shqipe, me njerëz të mëdhenj, me komandantë të mëdhenj ushtarakë, me lëvizje të mëdha për ekzistencë dhe me ideologët e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por edhe të mbrojtjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe.

E pra, pse ende shqiptarët nuk e kanë një institut të tillë potent si një vepër kombëtare të dy shteteve shqiptar në Gadishullin Ilirik?

Është ky zhvillim i gjuhës shqipe që na ka sjellë këtu sot, me të dy shtetet shqiptar në Ballkan.

Atëherë, prandaj ky është thelbi i nacionalizmit shqiptar.

Pse shqiptarët ende nuk e kanë një institut për histori e gjuhësi të përbashkët Shqipëri-Kosove e Diasporë?

Sepse ende është presioni i madh sllavo-grek që paguan dhe kërcënon, por tani që janë dy shtete shqiptar dhe një gjysmë shteti shqiptar në Maqedoni, pse po hezitohet një ndërmarrje e tillë ultrakombëtare?

Qeveritë shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë, e kanë pasivitet antikombëtar këtë, apo e kanë paaftësi në sensin kombëtarizues Shqipëri – Kosovë?

Këtë, koha, do ta tregojë…