Ballina Politika Ndryshon axhenda e protestës së PD: Vetëm Dule e Mediu konfirmojnë pjesëmarrjen

Ndryshon axhenda e protestës së PD: Vetëm Dule e Mediu konfirmojnë pjesëmarrjen

23
0

Nesër në orën 18.00 opozita do të nisë protestat për largimin e kryeministrit Edi Rama. Ndryshe nga tradita e krijuar, fjalime politike nuk do të ketë dhe marshimi do të nisë nga godina e qeverise për tu shtrirë në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës.

Ende nuk dihet se cilat akse do të bllokojë opozita nesër në mbrëmje dhe PD ka zgjedhur të mos e tregojë skenarin e protestës duke u mjaftuar me shprehjen që në 7 tetor fjalën e kanë qytetarët.

Së bashku me PD në shesh do të jenë edhe aleatët e saj, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Agron Duka e Vangjel Dule, ndërkohë që Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj dhe Dashamir Shehi nuk do të marrin pjesë, pasi besojnë se kjo nuk është strategjia më e mirë kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Protesta e 7 tetorit u caktua pas burgosjes së ish-deputetit Ervin Salianji, por nisja e revoltës ishte paralajmëruar më herët nga Partia Demokratike e cila thotë se me Edi Ramën në krye të qeverisë nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme.

Për këtë arsye opozita ka paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e liderit të mazhorancës dhe krijimin e një qeverie teknike që të çojë vendin në zgjedhje.

Në 11 vitet e fundit PD ka provuar disa aksione radikale kundër qeverisë Rama dhe mazhorancës socialiste duke nisur nga çadra që zgjati 3 muaj para kryeministrisë në vitin 2017 deri tek djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale e qindra protesta kundër qeverisë.

Mbetet për tu parë nëse ky aksion i ri do ti sjellë apo jo opozitës fitoren përballë PS dhe Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.