Ballina Sport Vllaznia dhe AF Elbasani spektakël pa gola, Teuta mposht 3-1 Tiranën! Partizani...

Vllaznia dhe AF Elbasani spektakël pa gola, Teuta mposht 3-1 Tiranën! Partizani në krye të Superligës

70
0

Superliga shqiptare e futbollit mbylli këtë të diel raundin e tetë. Pas rezultateve të sotme është Partizani që e gjen veten në krye të renditjes me 15 pikë. Me fillim nga ora 19:00, në “Elbasan Arena” Vllaznia dhe AF Elbasani barazuan 0-0, ndërsa në Durrës, Teuta mposhti 3-1 Tiranën.

Në “Elbasan Arena” ishte Vllaznia pritëse që barazoi 0-0 me AF Elbasanin. Për shkak se në “Loro Boriçi” fusha e impiantit po rinovohet, klubet gjetën akordin që Vllaznia të ishte pritëse sot. Dueli pa spektakël në fushë, goditje shtylle, anulim të golit me VAR dhe një sfidë që luhej me ritëm. Në fund 0-0 dhe të dyja skuadrat ndanë nga një pikë. E veçanta e këtij dueli ishte se të dyja tifozeritë ultrase, “Tigrat” dhe “Vllaznit” qëndruan në një tribunë, kjo për shkak të miqësisë mes tyre që zgjat me vite.

Në “Niko Dovana” të Durrësit, Teuta turpëroi 3-1 Tiranën duke u shkaktuar bardhebluve humbjen e parë sezonale. Arsid Kruja kaloi “Djemtë e Detit” në epërsi pas vetëm tetë minutave lojë, ndërsa Tirana barazoi shpejt me Ismajlin në të 12 minutë.

Në fraksionin e dytë Torraj riktheu epërsinë për durrsakët nga pika e bardhë e penalltisë në të 74 minutë, ndërsa në minutën e fundit ishte Nasr që e dërgoi topin për herë të tretë në portën e Tiranës.

Portieri Selmani i bardhebluve bëri një ndërhyrje naive, me arbitrin që akordoi sërish penallti. Selmani shleu deri diku gabimin, por në topin e pritur dhe kthyer në zonë, Nasr nuk gaboi për të dytën herë.

Gjashtë barazime, një fitore dhe një humbje për Tiranën e Bledi Shkëmbit që me nëntë pikë mban vendin e shtatë.