Ballina Aktualitet Fillimi i Vitit Akademik në Universitetin Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” : Konsolidimi...

Fillimi i Vitit Akademik në Universitetin Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” : Konsolidimi i traditës dhe përgjigje në mënyrë efektive e nevojave të tregut të punës dhe kërkimit shkencor

10
0

Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, i drejtuar nga Rektori, Prof. Dr. Elvira Fetahu, njofton zhvillimet dhe risitë e rëndësishme për fillimin e vitit të ri akademik 2024-2025, të cilat synojnë të konsolidojnë traditën akademike të universitetit dhe t’i përgjigjen në mënyrë efektive nevojave në rritje të tregut të punës dhe kërkimit shkencor.

Në vitin akademik 2024-2025 vazhdojmë të synojmë konsolidimin e traditës akademike të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe t’i përgjigjemi në mënyrë efektive nevojave në rritje të tregut të punës dhe kërkimit shkencor. Deri më tani, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, ka shënuar rritje në numrin total të regjistrimeve. Rritjen më të madhe, për vitin akademik 2024-2025, e ka patur Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Shkencave të Edukimit. Vihet në dukje një interes në rritje për programet e studimit si biznes, financë, ekonomia e drejta si dhe mësuesia për arsimin parashkollor. Ndërkohë që padyshim, programet e studimit për të cilat kanë interesin më të lartë dhe që shënojnë një numër të lartë regjistrimesh në nivel institucioni, janë ato të shkencave mjekësore teknike, teknologjitë e informacionit, edukim fizik dhe sporte si dhe disa programe me karakter profesional. Për dy programe prioritare të mësuesisë, biologji-kimi dhe matematikë-fizikë, për një numër studentësh, jepen bursa të financuara nga Qeveria Shqiptare.

Regjistrimi i Studentëve nga Trojet: Një risi tjetër e rëndësishme për këtë vit akademik është edhe regjistrimi i studentëve nga Presheva në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të ndërveprimit ndërkombëtar dhe krijimit të mundësive të reja për studentët nga rajone të ndryshme, duke forcuar rolin e universitetit si një qendër edukimi për të gjithë shqiptarët.

Ndërkombëtarizimi: Ndërkombëtarizimi do të mbetet një nga prioritetet kryesore të këtij viti akademik, me zgjerim të bashkëpunimeve me institucione prestigjioze evropiane në të gjitha fushat, duke përfshirë mobilitetin e personelit akademik dhe studentëve, programet e përbashkëta dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta. Gjatë këtij viti, presim të fillojmë zbatimin e disa projekteve të rëndësishme në kuadër të programeve Erasmus+ dhe Jean Monnet, si dhe të arrijmë sukses në aplikimet tona për programe të tilla si Horizon Europe, IPA Interreg dhe COST. Këto projekte i shërbejnë personelit akademik dhe studentëve për ngritjen e kapaciteteve dhe infrastrukturës universitare.

Hapja e Qendrës Rajonale për Inovacion “EIT Raë Material”: Një nga risitë më të rëndësishme këtë vit në kuadër të ndërkombëtarizimit është Qendra Rajonale për Inovacion “EIT Raë Materials”, pranë Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Kjo nismë e Qeverisë Shqiptare, realizuar në bashkëpunim me Institutin Evropian të Teknologjisë dhe Inovacionit, përfaqëson një pikë kthese për promovimin e kërkimit shkencor dhe krijimin e një dialogu të frytshëm midis profesionistëve vendas dhe atyre evropianë në fushën e lëndëve të para.

Bashkëpunime Strategjike: Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, vazhdon të marrë pjesë aktivisht në programet kombëtare për zhvillimin profesional të mësuesve dhe në trajnimin e detyrueshëm për drejtuesit e institucioneve arsimore parauniversitare.

Simpoziumi i Karrierës dhe Aftësive: Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, do të vazhdojë organizimin e aktiviteteve që kanë në fokus studentin në drejtim edhe të karrierës dhe aftësive, një nismë e rëndësishme e cila ka për qëllim përmirësimin e aftësive profesionale të studentëve dhe integrimin e tyre në tregun e punës.

Zhvillimi Infrastrukturor: Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, me finalizimin e projekteve financuese nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka laboratorë kërkimorë dhe eksperimental të rinovuar dhe modernë, të destinuar për kërkimin dhe zhvillimin në shkencat natyrore dhe teknikat mjekësore, duke forcuar kështu kapacitetin e tij për të formuar profesionistë të kualifikuar.

Në përfundim, Rektori Prof. Dr. Elvira Fetahu ka deklaruar: “Ne jemi të angazhuar për ta bërë Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, një qendër ekselence, e cila jo vetëm që i përgjigjet nevojave formuese të studentëve tanë, por gjithashtu kontribuon aktivisht në përparimin shkencor dhe social të komunitetit lokal dhe kombëtar. Iniciativat e këtij viti akademik përfaqësojnë një hap përpara drejt këtyre qëllimeve.”