Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, ka regjistruar në raundin e parë të regjistrimeve për vitin akademik 2024-2025 një rritje të ndjeshme ne interesin e studentëve për këtë institucion të arsimit të lartë. Numri i studentëve të regjistruar është aktualisht 10% më i lartë se vitin e kaluar, ndërkohë që ka mbetur ende edhe një raund i dedikuar për regjistrime, UAMD numëron 1580 studentë të regjistruar për herë të parë. Aktualisht Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës numëron 18,200 studentë.
Programet më të Preferuara që kanë tërhequr numër më të lartë studentësh janë: Infermieri me 130 studentë të regjistruar, Financë me 107 studentë të regjistruar, Administrim Biznesi me 66 studentë të regjistruar dhe Edukator për moshën 0-3 vjeçar me 66 studentë të regjistruar.
Interes të lartë studentët kanë shfaqur për programet dy vjeçare profesionale, duke përfshirë një program relativisht të ri, “Gerontologji”, ku studentët aftësohen për profesionin e kujdestarit për moshën e tretë duke përfituar dhe eksperienca shkëmbimi në shtetin Gjerman në kuadër të marrjes së njohurive lidhur me fushën. Fakulteti i Edukimit ka njohur gjithashtu rritje të studentëve në programet Master Shkencor Edukim në Vazhdim si dhe në programin risues të masterit, Arsim Special.
Sa i takon degëve, të cilat kanë regjistruar numër të ulët kërkesë janë Mekanik Detare, Filozofi-Sociologji, Administrim Biznesi (Anglisht), Shkenca Ekonomike.
Ndërkohë 7 tetori shënoi nisjen e vitit të ri akademik, në kuadër të të cilit Rektori i Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi ka ndarë një mesazh për studentët:
“Të dashur studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Me rastin e fillimit të vitit te ri akademik, në emër të gjithë stafit, ju urojme studime të mbara. Një urim i veçantë shkon për studentët e rinj. Faleminderit që na besuat dhe zgjodhët UAMD, një universitet në rritje me potencial ndërkombëtar. Si rektor i UAMD-së, ju premtoj se do të bëjmë gjithçka për t’ju pergatitur si teorikisht ashtu edhe praktikisht, si intelektualë dhe liderë të së ardhmes, profesioniste të aftë për tregun kombëtar dhe ndërkombëtar të punës. Suksese të gjithëve!”