Nga Ndue Dedaj
Andrrat janë burime të përjetshme të poezisë dhe bash për këtë nuk është e lehtë ta kalosh provën e poezisë së andrrës, por poeti i pabujshëm Hekuran Koka ia ka dalë ngaqë në librin e tij të tretë poetik “Asgja përtej andrrës”, njëzet e dy vite pas një libri poetik studentor, ka parë ëndrrën e tij dhe jo të tjerëve. Ëndrra e tij poetike nuk është fjalëmadhe, por si një bisedë intime me vetëveten, ku i rrëfehet andrrës dhe rrëfen për të si njeri, si prind, si mençar që di të shqiptojë në poezi “gjuhën” e dokeve të maleve të veta, ashtu si Martin Camaj, Agim Vinca, Agim Spahiu etj. poetë të trevave të Drinit.
Ky poet ka ligjërimin e tij poetik meditativ, që kalon përmes lulesh e lulimash simbolike: “Narciz”, “Orkide”, “Tulipan”, “Krizantem”, “Zambak”, “Jasemin”, që janë dhe nëntitujt e librit, apo më saktë titujt e cikleve poetike, që përmbyllen me “Poema ime”, një kurorëzim i lirikës së këtij autori, që nuk ngutet për të dalë me libra e për të publikuar poezi, edhe pse ka botuar libër poetik që gjimnazist e poezia e tij ka tërhequr vëmendjen për të veçantën që mbart. Ky poet nuk thërret përmes vargjesh: ej, ja ku jam dhe unë, por modestisht paraqet para lexuesit një tufë poezish, që e nderojnë autorin. Duke i lënë mënjanë epitetet për Hekuranin si poet, ne preferuam ta lexonim me vëmendje poezinë e tij, duke iu rikthyer disave prej tyre, që veç na shijuan më shumë. Këtë do të dëshironim të bënit dhe ju, të përfshiheshit në bisedën intime të tij me veten, pasi do të përftonit emocion.
Ndonëse relativisht i ri në moshë, poeti deklaron që në krye të herës:
“Kam nisë të plakem
Edhe të flas me vete
E me veten të mos di të merrem vesh…”
Pra, një poet i pjekur, jo entuziast, që mediton për gjerat më të thjeshta, të përditshme, njerëzore të kësaj bote, pa kurrëfarë poze e “filozofimi” ex katedra, çka e bën poezinë e tij të besueshme dhe natyrisht, jo pak filozofike. Poezia në vijim “I zënë peng”, si njw muzikw e çlirët dhe njerëzore, do të mjaftonte për t’iu tërhequr në thellësi të librit. Aq natyrshëm, si një andërr, vjen dasma me “daullet që ushtojnë” e dhëndrrin që endet “odës me çorapet me lule”…
Lajtmotivi i andrrës, metafora e saj, te ky poet është organike, si një andërr e jetës që ka pengjet e saj:
“Kam rënë të fle një pasdite vere,
E kam mbetë peng në një ëndërr”,
që është një ëndërr e hershme fëmijërie e rinie e herot lirik, që është vetë autori.
Ndër poezitë më përfaqësuese të stilit të poetit janë: “Kam nisë të plakem”, “I zënë peng”, “Ringjallje”, “Zheg”, “Mëngjes”, “Mos më lër të rritem”, “Histori dashunie”, “Le ta ndërtojmë një shtëpi”, “Përtej kepit”, “Patriotizëm”, “Ujku ndër dhen”, “Parajsa”, “Leqet”, “Copëza teatrale” dhe natyrisht “Poema ime” etj.
Në një mënyrë apo në një tjetër, shpesh kujtesa e autorit fluturon në vendlindje, në malësi, në atë skaj verilindor të vendit, në bjeshkët e Lumës, duke e përthekuar gjithnjë poezinë e tij me amën e gegnishtes së atyre anëve:
“Atje, fisi im
Priti që unë t’i tregoj ç’asht liria!
E unë, lirinë atje kërkoja…”
Në “Kangë vendlindje”, biri i pandërruar i maleve, ani se mund të jetojë në bregdet (Lezhw), shkruan se atje në Grykën e Çajës fërshëllen era, e cila:
“me këndue don!
Don me vajtue!”
Siç shihet nuk duhen shumë fjalë për të folur me dheun tënd. Motivi i vendlindjes “andej kah dielli lind” është i dukshëm tek ky autor, atje ku “sa ndryshe janë yjet e bjeshkës me yjet e knetës”, pasi “yjet e bjeshkës mbyten në Dri”.
Poezitë e dashurisë janë ndër më të bukurat e librit, ku në poezinë “Përtej dashurisë” lexojmë:
“Menduam se mjaftonin unë e ti!
…
Por zëri lozanjar i një fëmijë
Është më shumë se unë e ti!”
E ku mund të jetë më shprehës se tek dashuria lajtmotivi i ëndrrës, ku autori shpërthen me një kumt kaq origjinal në poezinë “Ndjenjë”:
“Dhe unë e dashur, nuk di ç’të them!
Çdo natë me ty dua të vdes;
t’më bëhesh ënderr, ti dita ime,
e të dashurohem me ty në çdo mëngjes!”
Ëndrra është aq më shumë tek malli njerëzor për njeriun e shtrenjtë, shpesh jo konkret, por fluid, si në poezinë “Mall”:
“Kam nevojë për dikë,
Me pa andrrat në sytë e mi”. Pikërisht që të mos e mbysë malli njeriun, poeti thërret nga thellësia e qenies së trazuar: “O natë, sosu!”
Nuk kanë si të mungojnë në një libër andrrash poetike andrrimtarët, të cilëve “andrrat ua përpushin gjakun / kur ngarendin”.
Merita e librit është se andrrat në të nuk janë vetëm andërritje të bukura djaloshare, por kur ato nuk përmbushën, kthehen në brenga, çka i jep një tjetër përmasë kuptimit të ëndrrës si metaforikë.
Në poezinë meditative me titull “Të kërkosh falje”, poeti befason me vargjet thellësisht tragjike:
“Mbajmë mbi shpinë gurët e varreve të atyne
që s’patën varr asnjiherë…
Të atyne që qenë ushtar të panjohun
të luftnave pa kuptim…”,
e cila përmbyllet në mënyrë sa sublime, aq dhe absurde, pasi e tillë ka qenë dhe tragjikja e jetës:
“Asht e randë me e shkulë nji gur varri prej shpirti
e me e vu mbi shpinën e nji të vdekuni”.
Poeti sheh në thelbin e kontradiktës së jetës, në kuvendimin e tij me njerëzit e dashur, si në poezinë “Gjyshja ime”:
“Të ngre në krahë e të puth në flokët e bardha.
E ti qesh si fëmijë,
edhe pse njerëzit janë mbledhë për mort”.
Kujtesa e vdekjes është e pranishme në mjaft poezi, ku sërish shfaqet metafora e ëndrrës:
“Mos shkoni natën në varreza!
…
Atje, të gjitha andrrat të përndjekin…”
Poetika e Hekuran Kokës është e pllenuar ngado me ëndrrën: “e të merr lumnisht ndër vise andrrash” (“Parajsa”), “harta vendesh prej ëndrrash” (“Vetëm yjet”), “të mbarsun me andrra” (“Kishim ndodhë të vegjël, vlla”), “andrrat janë të idhta” (“Andrrat”), “dhe i sheh ëndrrat, një e nga një / të shkërmoqën poshtë këmbëve” (“Leqet”) etj.
Në poezinë e këtij libri ndihet filozofia e odave malësore, që përcillet përmes modernitetit poetik dhe do të ishte interesante nëse ndokush do ta kundronte librin nga ky kënd, për të zbërthyer kode të fshehura të tipit: “Si mund të më kërkohet të vras dashurinë / E të dashuroj përsëri?!”, “E shtëpia jonë / do ta mundë kohën”, “E dhentë vajtuen ujkun që u vra”, “Rikthehesh të lexosh librin / të cilit harrove t’iu vësh shenjë”, “në këtë botë ma të vogël se ne” etj.
Poezia “Kam nisë të plakem”, sikur na thotë kam nisë të mos jem më ai poeti i ri andrrimtar, pasi:
“dëshira me ndryshu botën asht davaritë
si mjegulla e Grykës së Çajës…”