Ballina Ekonomia Agjencitë e punësimit, eksperti: Është abuzuar me kontratat e punës jashtë vendit

Agjencitë e punësimit, eksperti: Është abuzuar me kontratat e punës jashtë vendit

7
0

Eksperti i punësimit Erion Muça, për udhëzimin i cili synon të ushtrojë kontrolle ndaj agjencive të punësimit minimalisht një herë në vit, në të kundërt bëhet revokim licence për ata që shkelin ligjin, thotë se një gjë e tillë vjen për shkak se ka pasur abuzim nga agjencitë me kontrata punësimi.

“Një pjesë e mirë duke shfrytëzuar mungesën e informacionit për procedurat e punëkërkuesve, kanë shfrytëzuar nevojën për punë jashtë vendit dhe iu kanë siguruar kontrata fiktive.

Qëllimi i ndërmjetësimit ka qenë më tepër përfitimi se sa finalizimi i procesit të punësimit.”

I ftuar në një intervistë televizive, Muça deklaroi se agjencitë ndërkombëtare të punës bëjnë fushata për pozicionet që kërkojnë, por se ajo që nuk funksionon siç duhet është se si ndërmjetësimi për punë nga ana e këtyre agjencive kanë një vakum informacioni, duke krijuar shumë shtigje për abuzim, në sajë të procedurave që ndiqen.

Sipas tij, një punonjësi i bie më lirë ta gjejë vetë punën jashtë, se sa të paguajë koston te agjencia e punësimit, e cila i mban një pjesë të kostos.

“Transparenca në informacionin nga punëkërkuesi që nuk kupton shumë nga procedura, por sheh rrogën dhe akomodimin, bën që shumë prej tyre të largohen në këto vende për të punuar, por kur të kthehen janë të zhgënjyer.

Agjencitë abuzuan me nevojën e njerëzve për të punuar jashtë.

Ka pasur raste që janë marrë paratë dhe nuk është respektuar kontrata, por këto raste janë mbyllur në heshtje, duke u kthyer paratë, për të mos kaluar me ndjekje penale.

Në shumicën e rasteve është mbyllur me mirëkuptim dhe është lënë në heshtje i gjithë procesi në vijim, duke mbetur vetëm në zhgënjimin e palës që kërkonte punë dhe jo në mbylljen e agjencisë.”