Ballina Dossier Tentativa e fundit e regjimit komunist për të internuar familjet nga Tirana...

Tentativa e fundit e regjimit komunist për të internuar familjet nga Tirana (korrik 1990)

5
0

Barjam Yzeiraj, shef i policisë në Tiranë (maj 1990), ish-ministri i Rendit në Qeverinë e Stabilitetit (qershor – dhjetor 1991), pra, drejtues i policisë shqiptare në kohërat më të vështira të tranzicionit politik e shoqëror, flet përmes librit “Një jetë me Policinë e Shtetit”, publikuar nga shtëpia botuese “Naimi”.  Libri u promovua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Prof. Neritan Ceka, studiuesit dr. Hasan Shkëmbi, dr.Erion Kristo, Besnik Bakiu, Refxhei Tola dhe botuesi Naim Zoto folën mbi vlerat e librit dhe të autorit të tij si një nga drejtuesit me kontribute të mëdha në reformimin e policisë shqiptare nga ish-Ministri e Brendshme e karakterit ushtarak e një shteti totalitar në një shërbim civil demokratik dhe në shërbim të komunitetit. Por libri ka vlera të veçanta pse Barjam Yzeiraj ofron dëshmi të dorës së parë për disa pika të errëta të tranzicionit tonë problematik në një kohë kur partitë luftonin për pushtet, shpesh duke kundërshtuar e thyer ligjin, kurse policia duhet të mbronte rendin dhe mos-rënien përfundimtare të ngrehinës së shtetit. Dëshmitë e tij “janë nga brenda” se si lindën revoltat e para kundër regjimit komunist, si u futën shqiptarët në ambasada, si nisi dhe si vijoi lëvizja e studentëve në dhjetor 1990, deri te rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës në sheshin Skënderbe, si ndodhi dhe pse ndodhi 2 Prilli 1991 në Shkodër dhe plot ngjarje të tjera ende të paqarta për publikun.  Yzeiraj është nga të paktët, në mos i vetmi ministër Rendi, për të cilin nuk ka akuza apo përfolje as kur ka qenë në poste të larta të policisë, as tani që është në pension. Me këtë rast po botojmë më poshtë një nga episodet e librit.

Tentativa e fundit e regjimit komunist për të internuar familjet nga Tirana (korrik 1990)

Në mbledhjet që organizoheshin çdo javë te komiteti i partisë së rrethit nga sekretari i parë i partisë, Xhelil Gjoni, i cili fliste me cilësinë e kryetarit të Shtabit të Mbrojtjes së rrethit (mbante dy funksione), merrnin pjesë drejtuesit e institucioneve kryesore si kryetar i Komitetit Ekzekutiv, ministri i Brendshëm dhe zëvendësministri që mbulonte Policinë, drejtor i Përgjithshëm i Policisë, kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, prokurori i Përgjithshëm, kryetari i Gjykatës së Lartë si dhe drejtori i Punëve të Brendshme të Tiranës me shefin e Policisë. Funksionari me detyrën më të ulët isha unë.

Pas largimit jashtë vendit të qytetarëve që u futën në ambasada, në mbledhjen e radhës drejtuesi insistoi për zbulimin e organizatorëve të kësaj veprimtarie armiqësore dhe dha urdhër të përgatiteshin dokumentet për internim të 200 familjeve nga Tirana, që u ishin larguar djemtë e vajzat dhe të raportohej në mbledhjen e radhës. Për çudi nuk foli asnjëri nga të pranishmit për të sqaruar problemin, se për kundërshtim në ato momente nuk kishte askush kurajo.

Nga fundi i tavolinës, te hyrja e sallës, unë ngrita dorën për të folur. Megjithëse drejtuesi më njihte, për të krijuar ilaritet, pyeti se “kush isha’’. Iu përgjigja se isha shefi i Policisë së Tiranës, gjë që dukej edhe nga uniforma e veshur. Në fjalën time sqarova se internimi si masë administrative ishte hequr e nuk mund të aplikohej (kishte ndryshuar ligji); ndërsa si dënim penal plotësues mund ta japë gjykata vetëm ndaj personave që kanë kryer një krim.

Në kushtet që ndodhemi, hyrja në ambasada nuk është krim, por kundërvajtje penale, gjë që nuk mund të jepet internimi edhe nga gjykata dhe po kështu nuk mund të ndëshkohen prindërit për veprime të fëmijëve.

Në moment ndërhyri Qemal Lame, i cili u shpreh se “mund të përdorni ligjin për personat që rrinë pa punë (parazitët thuhej atëherë), duke i dërguar materialet në gjykatë dhe kështu justifikohet edhe internimi’’. (Qemal Lame, ish-kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme. Pasi manipuloi hetimin për ngjarjen e 2 Prillit në Shkodër dhe ndërtoi akuzën sipas interesit politik të opozitës së asaj kohe; pa përmendur proceset e mëparshme për vite të tëra në shërbim të pushtetit politik komunist; u largua nga vendi dhe kërkoi strehim jashtë. Më pas shkroi libra e dha intervista në TV, duke u hequr si disident e demokrat që na paskësh kundërshtuar urdhrat e krerëve të Partisë së Punës dhe kishte shpëtuar mjaft njerëz).

E kundërshtova, duke i thënë se ai ligj ka objekt e qëllim tjetër dhe nuk mund të shtrihet e veprojë mbi familjet që u janë futur pjesëtare në ambasada. U ngrit edhe drejtori i Tiranës, Lahedin Bardhi, që ishte në krah për të mbështetur, por drejtuesi i mbledhjes nuk e mirëpriti sqarimin tonë, duke thënë se “ligjet dhe rregullat i gjeni vetë kur doni ju. Kjo duhet bërë për t’u dhënë një mësim të mirë atyre që shkelin ligjet’’.

Pas mbarimit të mbledhjes, bashkë me drejtorin, duke qenë të bindur se internimi ishte shkelje e rëndë e ligjit, madje në mënyrë masive, u nisëm për të dorëzuar detyrën te ministri. Kur hymë brenda, ministri, Hekuran Isai, na ftoi të uleshim dhe tha: “E di përse keni ardhur’’. Ne i kërkuam të dy largimin nga detyra, sepse nuk mund të shkelnim ligjin e përgatisnim dokumente për internim në rrethanat që kalonim.

E dëgjova, tha, por nuk mund të ndërhyja atje, për t’iu shmangur përplasjes. Do ta zgjidh unë problemin. Ju duhet të shkoni në detyrë dhe nëse keni persona që plotësojnë kriteret ligjore, përgatisni dokumente. Ai na kërkoi, për të mos thënë na u lut, të punonim bashkë për të mbrojtur jetën e njerëzve e sigurinë dhe përballuar situatat me sa më pak pasoja.

(Marrë nga libri me kujtime “Një jetë me Policinë e Shtetit” i  Barjam Yzeiraj, botimet “Naimi”, Tiranë 2024)