Ballina Politika Basha me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut: Respektimi i plotë...

Basha me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut: Respektimi i plotë i të drejtave të shqiptarëve rruga e sigurt e përparimit europian të vendit

7
0

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, i shoqëruar edhe nga deputetja Oriola Pampuri, janë pritur në një takim nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Pas takimit, Gashi u shpreh se biseda u fokusua për shqiptarëve në rajon, për zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri, si dhe për procesin e integrimit Europian.

“Është kënaqësi që në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot kam mysafir, mikun tim zotin Lulzim Basha, kryetarin e Demokratëve Euroatlantikë. Biseduam për gjërat e përgjithshme që i kemi hallet ne shqiptarët gjithandejë, për zhvillimet në Maqedoni, në Shqipëri, për Procesin Eurointegrues të vendit tonë, për partitë e djathta për konceptet politike në përgjithësi. Mbi të gjitha ishte një bashkëbisedim shumë i këndëshëm, siç e kemi pasur gjithmonë me mikun tim Lulzim Basha” – u shpreh kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Nga ana tjetër, Basha uroi kryeparlamentarin për detyrën e re, si dhe për përgjegjësinë dhe maturinë që tregon në raport me interesin Kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ai gjithashtu shprehu mbështetjen, mirënjohjen dhe angazhimin e tij dhe të Demokratëve Euroatlantikë dhe të gjithë shqiptarëve që duan që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të ecin krah për krah përpara në procesin e integrimit europian.

“Faleminderit zoti kryetar! Është kënaqësi të ndodhem sot këtu në Shkup si mysafir i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe mikut tim Afrim Gashi. Bashkërisht kemi ndarë pikëpamjet tona për zhvillimet në rajon, për perspektivën e integrimit europian të Shqipërisë por edhe të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit. Dua ta uroj edhe njëherë zotin kryetar për detyrën e lartë që ka dhe për përgjegjësinë dhe maturinë që tregon në raport me objektivat politike, integruese të Republikës të Maqedonisë së Veriut, por edhe interesin Kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Dua ta përgëzojë atë dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij dhe t’iu uroj punë të mbarë në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si faktor shtetformues dhe aksionerë kryesor në procesion e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Proces i cili duhet të ecë pa pengesa përpara, si për fqinjin tonë, ashtu dhe për Shqipërinë, për Kosovën dhe për të gjithë vendet e tjera të rajonit. Diskutuam natyrisht edhe për çështjet e tjera që na kanë lidhur edhe më përpara, ato të partive të djathta, partive anëtare të Partisë Popullore Europiane, dhe të perspektivës së fuqizimit të proceseve demokratizuese dhe integruese për shqiptarët në veçanti dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut në përgjithësi. Kështu që dua ta falënderojë nga zemra për mikëpritjen, për përkushtimin dhe angazhimin e tij të përhershëm në dobi të interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe natyrisht të ecjes përpara të Republikës të Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit europian të vendit me gjithë reformat e brendshme. Dhe ta sigurojë për mbështetjen, mirënjohjen dhe angazhimin tim, të Demokratëve Euroatlantikë dhe të gjithë shqiptarëve që duan që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të ecin krah për krah përpara në procesin e integrimit europian. Sigundër shpresoj që ta mirëpresim së shpejti në Shqipëri” – u shpreh Basha.