Ballina Aktualitet Media spanjolle ‘El Economista’: Bumi i turizmit katapulton ekonominë e Shqipërisë

Media spanjolle ‘El Economista’: Bumi i turizmit katapulton ekonominë e Shqipërisë

38
0

Prurjet masive të vizitorëve, kryesisht në plazhet e Rivierës Shqiptare, një zonë bregdetare në jug të vendit e lagur nga deti Jon, po e transformojnë ndjeshëm ekonominë në vend, sipas një artikulli të botuar në revistën prestigjioze spanjolle “El Economista”.

Sipas të dhënave të mbledhura nga analistë të “Oxford Economics”, numri i turistëve të huaj që kanë vizituar vendin nga viti 2024 deri në gusht ka arritur në 300% të popullsisë vendase. Që do të thotë se për çdo banor të Shqipërisë, këtë vit kanë ardhur tre turistë të huaj.

Me një popullsi afërsisht 2,8 milionë banorë, gjithsej 8,5 milionë turistë të huaj kanë udhëtuar drejt vendit mesdhetar në periudhën korrik-gusht të këtij viti. Ndërsa në vitin 2023 u regjistruan 10,1 milionë turistë te huaj.

Sipas të dhënave, Shqipëria kryeson duke lënë pas Kroacinë me 250% dhe Greqinë me 150% – vende që kanë qenë destinacione turistike të profilit të lartë prej vitesh.

Rritja me 300% është në kontrast me pak më shumë se 150% të regjistruar nga Shqipëria deri në gusht 2019, gjë që konfirmon ‘bumin’ e kohëve të fundit.

Logjikisht, ekonomia e vendit nuk mund të jetë imune ndaj këtij fenomeni. Pas disa dekadash izolimi politik dhe ekonomik nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, Shqipëria ishte një vend i panjohur për evropianët dhe pjesën tjetër të botës.

Me rënien e komunizmit, vendi u përball me një tranzicion kaotik drejt kapitalizmit, i cili përfshinte krizat financiare dhe rritjen e dobët ekonomike.

Megjithatë, mes gjithë këtij kaosi, hapja në rritje e ekonomisë lejoi, pak nga pak, evropianët dhe pjesën tjetër të botës të njihnin një parajsë natyrore e konsideruar si ‘Karaibet Evropiane’ – falë plazheve me ujëra të pastra kristal dhe peizazheve të pacënuara – në të cilat spikasin mbetjet arkeologjike. Por, jo vetëm kaq.

Një vend shumë i veçantë

Veçantia e këtij vendi është padyshim një nga atraksionet e tij të mëdha. Ndonëse popullsia e tij rezidente nuk arrin në 3 milionë banorë, e vërteta është se ‘populli shqiptar’ është shumë më i madh.

Vlerësohet se janë rreth 1,7 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Kosovë, Greqi, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë dhe Itali.

Ky vend shquhet për tolerancën e tij fetare. Fetë bashkëjetojnë në paqe, diçka e nevojshme për një shoqëri me një numër të madh të krishterësh, që janë më shumë se 15% (ortodoksë dhe katolikë).

Qeveria e Shqipërisë njoftoi pak javë më parë se po studion krijimin e një qyteti të ngjashëm me Vatikanin për komunitetin bektashi.

Me gjithë këto stimuj, nuk është për t’u habitur që Shqipëria është kthyer në një atraksion kaq të rëndësishëm turistik, jo vetëm plazhet e saj parajsore dhe malet e bukura tërheqin vëmendjen.

Përmirësimi i ekonomisë së shpejti mund të mundësojë që disa nga ata shqiptarë jashtë vendit të fillojnë të kthehen.

Përmirësimi ekonomik i Shqipërisë

PBB-ja shqiptare u rrit me 3,4% në vitin 2023, mbështetur nga kërkesa e fortë e brendshme dhe performanca e jashtëzakonshme e sektorit të turizmit, e cila arriti nivele record në vend.

Gjithashtu, komponenti i investimeve shënoi një rritje të ndjeshme, i mbështetur nga investimet private, duke përfshirë flukset e larta hyrëse të investimeve të huaja direkte.

Vetë Komisioni Evropian pranon në një raport të fundit ecurinë e mirë të ekonomisë shqiptare: rritje të fortë, inflacion të ulët dhe bilanc më të madh fiskal.

Momenti i fortë i rritjes mbështetet nga një bum në sektorin e turizmit, rritja e investimeve dhe pagat më të larta.

Nuk kishte strategji për turizmin

Rritja e industrisë së turizmit, së bashku me sigurinë e përmirësuar, e ka bërë Shqipërinë destinacionin e ëndrrave të miliona turistëve.

Edhe pa një strategji të qartë të qeverisë për llojin e turizmit për të cilin vendi është i përgatitur – masiv, elitar ose një kombinim i të dyjave – ai ka luajtur një rol vendimtar.

Sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit, në gusht, 77% e turistëve vinin nga Evropa Jugore dhe 9% nga Perëndimi. Evropa, duke treguar se Shqipëria është kthyer në një alternativë ekonomike për shtetasit e huaj nga ekonomitë më pak të pasura brenda Evropës.

Megjithatë, qeveria shqiptare po harton së fundmi një strategji të zhvillimit të turizmit, e cila pritet të qartësojë më mirë modelin që duhet ndjekur.

Drejtori ekzekutiv i ACER, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi dha si shembuj komunikimet, tipologjinë e ndërtesave që nuk shkatërrojnë traditën, promovimin e produkteve vendore, produkteve të pastra dhe ekologjike, rritja e kulturës së shërbimeve turistike.

“Rreziku i dëmtimi të peizazhit si rezultat i mbipopullimit të ndërtesave, kryesisht në bregdet, është një kërcënim real, siç ka ndodhur tashmë dy dekada më parë në disa zona detare të Bullgarisë”, tha Preci.

Ekonomia përmirësohet në tërësi

“E vërteta është se ekonomia në tërësi ka përfituar dhe po përfiton nga bumi turistik, por mund të thuhet se shpërndarja e përfitimeve është ende larg të qenit e drejtë”, tha Preçi.

Siç është detajuar, përfituesit kryesorë për momentin janë ofruesit e shërbimeve, si agjencitë e linjave ajrore dhe aeroporti ndërkombëtar i Tiranës, një sërë operatorësh turistikë dhe pronarët e strukturave hoteliere dhe restoranteve./ata