Petro Piti, vetëm 25-vjeç, nga Ura Vajgurore në Berat, ka ndërruar jetë tragjikisht mbrëmjen e pardjeshme teksa udhëtonte në aksin Lushnjë-Berat. Pranë fshatit Kashtbardhë, Petro ka konstatuar në rrugë një traktor pa drita dhe është përpjekur të frenojë. Autoboti me karburant që i përkiste biznesit të familjes së tij ka frenuar për disa metra aq sa është çarë dhe asfalti, por për shkak të ngarkesës që e shtynte përpara mjeti nuk ka mundur të ndalet.
Xhezmi Metushi, shefi i zjarrfikëses së Lushnjës tha për Euronews Albania se operacioni i nxjerrjes së 25-vjeçarit nga autoboti i përmbysur ishte i vështirë dhe i rrezikshëm për shkak të rrjedhjes së naftës.
“Shkuam me shpejtësi në vendngjarje, e drejtova vetë operacionin. Duke parë situatën, pasi siguruam zonën dhe punonjësit tanë mos ndodhte ndonjë gjë më e keqe se kishte rrjedhje karburanti të shumtë, ishte me rrezik të shtuar, kishte rrjedhje nafte ku ishte batuar boti. Menjëherë jam lidhur me drejtorin e përgjithshëm që lajmëroi zjarrfikësit fqinj dhe menjëherë ka ardhur një zjarrfikëse me 7 efektivë nga Berati.
Jam lidhur me kryetaren e bashkisë që më ka sjellë fadroma dhe mjete të rënda. Situata na e vështirësoi punën, mjeti i batuar ishte në tokë bujqësore, ishte në arë, rreth 15 metra nga rruga. Pastaj na kanë ardhur edhe mjete të rënda që bënë të mundur ngritjen e mjetit se ishte e pamundur të veprohej në ato kushte. Kur kemi shkuar ne nuk ka pasur shenja jete, dhe ishte e pamundur të ngrihej mjeti për pozicionin që ishte. Më tej u ndërhy me një mjet vinç të tonazhit shumë të rëndë që ngriti mjetin në lartësi. U munduan ta lëviznim dhe ishte e pamundur që ta nxirrnim të aksidentuarin, ishte e pamundur se pozicioni ishte i tillë”, tha zjarrfikësi.