Ministria serbe e Mbrojtjes ka reaguar ndaj deklarimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se forcat e ushtrisë serbe janë afruar rreth 50 metra afër kufirit në ditën e shtunë, duke thënë se “autoritetet e sigurisë”, kanë ndërprerë “kontrabandën me drunj të prerë ilegalisht”.
Në një komunikatë të lëshuar më 13 tetor, autoritetet serbe kanë akuzuar Kurtin për “vazhdim të fushatës dezinformuese kundër ushtrisë dhe forcave serbe të sigurisë”.
“Në postimin në rrjetet sociale shihen pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë në zonën e sigurisë tokësore duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara”, është thënë në njoftim.
Mes tjerash është përmendur që zyrtarë ushtarakë që shihen nëpër fotografi kanë qenë duke parandaluar kontrabandën.
“Autoritetet e sigurisë me aktivitetet e tyre kanë ndalur aktivitetet ilegale të bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç ‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë”, është thënë në reagim.