Ballina Kulturë Diplomacia e Mithat Frashërit në çerekun e parë të shek. XX

Diplomacia e Mithat Frashërit në çerekun e parë të shek. XX

38
0

Midhat Frashëri lindi më 25 mars 1879 në Ja­ni­në, ndërsa vdiq më 3 tetor 1949 në New York, SHBA. Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami e Naim Fra­shër­it. Ai e njohu shumë pak babanë e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut e të Naimit. Edukimin akademik e mba­roi në Sta­mboll. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore. Më 4 prill 1929 Mithat Frashëri në testamentin e tij i lë shtetit shqiptar pasurinë e tij, të tund­shme dhe të patundshme, me qëllim krijimin e një Instituti Albanologjik në Tiranë, i cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë.

Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX. Ishte një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX. Në vitin 1908, ai fillon botimin e gazetës “Liria” në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunon ngushtë me Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtëpinë botuese “Mbrothësia”. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin Kongresi i alfabetit nga 14 nëntor – 22 nëntor 1908. U zgjodh kryetar i Kongresit dhe nën­kryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit (kryetar i Komisionit ishte At Gjergj Fishta). Në vitin 1912, në qe­ve­rinë e shpalljes të pavarësisë, të kryesuar nga Ismail Qemali, zgjidhet ministër i botores. Më 30 mars 1913 jep dorëhe­q­jen nga detyra. Mirëpriti ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe ndihmoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pas lar­gi­mit të Princ Vidit, Mithat Frashëri largohet nga Shqipë­ria dhe deri në vitin 1918 jeton në disa shtete të Ballkanit. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, vendo­set në Lozanë, Zvicër. Aty ai i drejtohet me një pro­me­morie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorie ai dek­la­ron: “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufinjve në Ballkan”. Në vitin 1920 ai vendoset në SHBA. Kthehet në Shqipëri në vitin 1922. Në janar 1923 fillon detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri ai jep dorëheqjen dhe dek­laron largimin e tij nga aktiviteti politik. Midhati u rrit dhe duke e vazhduar rrugën e të atit dhe xhaxhallarëve Frashëri. Hyri në portat e Shqipërisë në prag të shekullit të 20-ë, si rilindës, si misionar dhe si shkencëtar: edhe për një gjysmë shekulli, ky shërbëtor i atdheut shfaqet si veprimtar i Pava­rësisë, burrë shteti, diplomat, politikan, ekonomist, analist, lëvrues e studiues i gjuhës shqipe, autor tekstesh shkollore, shkrimtar, edukator, biograf, bibliograf, publicist, folklorist, librarist, kronikan, antikuar, luftëtar antifashisht dhe antiko­munist, nacionalist demokrat, themelues e lider i Ballit Kombëtar dhe udhëheqës i emigracionit politik. Ai është një nga figurat kryesore më aktive të kulturës dhe të politikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX.

Në gjysmën e dhjetëditëshit të tretë të janarit të vitit 1913 Ushtria greke iu afrua brezit mbrojtës të Janinës. Për­pje­kjet e Mithat Frashërit për të argumentuar me fakte dhe mbrojtur çështjen shqiptare në Konferencën e Amba­sado­rë­ve në Londër ishin të mëdha. Vendimet e kësaj konference për ta përgjysmuar kombin shqiptar shka­k­tuan indinjatë të thellë tek Mithati. Në ato rrethana tejet të rënda për fatet e Shqipërisë dhe shqiptarëve ai do të shpre­hej:

“A mund të merret me mend që Shqipëria e për­cak­tuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913 të jetë një Shqipëri e shëndoshë dhe solide? Asaj i janë marrë tokat më të mira që i kishte, fushat më të bukura, qendrat më të rëndësishme dhe i janë shkëputur 2/3 e popu­ll­sisë. Tokat pjellore të Janinës dhe të Prevezës, kullotat e famshme të Çamërisë iu dhanë Greqisë, ndërsa rrafshi i bu­kur i Kosovës ishte ndarë ndërmjet serbëve dhe malazezve për t’ia lënë Shqipërisë një zonë malore, pothuajse të shkre­të, të privuar nga mjetet e komunikacionit dhe të bllokuar nga bora 6 muaj në vit. Nga ana tjetër, është treguar kujdes që të lihen jashtë kufijve shqiptarë qytetet, qendrat e ndry­shme të furnizimit të këtyre maleve”.

Siç shihet edhe nga thënia e mësipërme e Mithat Frashërit, qarqet patriotike shqiptare nuk u pajtuan dhe nuk mund të pajtoheshin me atë politikë shtetërore që u përca­k­tua nga gjashtë Fuqitë e Mëdha në Londër më 1913, në prag të fillimit të Luftës së Parë Botërore.

Gjendja në Shqipëri dhe rreth saj në përfundimin e Luftës të Parë Botërore ishte tejet e tendosur. Në Paris du­hej të fillonte Konferenca e Paqes. Të gjithë këta faktorë ndikuan që të lindte ideja për formimin e një qeverie të re, e cila do t’i përfaqësonte interesat e shqiptarëve pranë Fuqive të Mëdha.

Më 1918 Mithati emërohet ministër pa portofol në Qe­ve­rinë e Turhan Pashë Mehmetit nga Asambleja Kombë­ta­re e Durrësit dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konfe­re­ncën e Paqes në Paris. Në vitin 1919 është delegat i sho­qërisë panshqiptare-Vatra të SHBA-së në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Lidhjen e Kombeve.

Konferenca e Parisit 1919-1920 e ndryshoi hartën po­li­tike të Evropës, Azisë e Afrikës. Populli shqiptar dhe përfaqësuesit e tij ishin aktivë dhe në rrethanat e kohës arritën atë që mund ta arrinin. Qeveria shqiptare, përmes notave dhe protestave të ndryshme, përpiqej në çdo formë ta informonte opinionin ndërkombëtar mbi gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve të Çamërisë e të Kosovës në tokat e veta dhe angazhohej mak­simalisht për pengimin e krimeve dhe shpërnguljeve të shqi­ptarëve nga këto treva.

Vitet 1920-1921 përbëjnë kulmin e veprimtarisë di­p­lomatike të Mithat Frashërit në Konferencën e Paqes në Paris, në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë dhe në Konfere­ncën e Ambasadorëve. Ai vazhdoi punën e delegacionit shqi­­p­tar në Konferencën e Paqes të kryesuar nga Turhan Pasha e të vijuar me devotshmëri nga Monsinjor Luigj Bu­mçi, At Gjergj Fishta, Fan S. Noli, Dr. Mihajl Turtulli etj. Më 8 korrik 1921 Mithat Frashëri bëri një mbrojtje të admirueshme të çështjes shqiptare, duke kërkuar nga Ko­mi­si­oni i ekspertëve që statusi i vitit 1913 dhe integriteti i Shqipërisë së pavarur të jenë çështje të padiskutueshme. Frashëri hodhi poshtë pretendimet territoriale greke dhe jugosllave, duke kërkuar revidimet shqiptare dhe elimini­min e padrejtësive të nënshkruara në Protokollin e Firences më 1913.

Vendimi i 9 nëntorit 1921 i Konferencës së Amba­sa­dorëve e përcaktoi përfundimisht ekzistencën e Shqipërisë si shtet autonom dhe sovran. Në këtë mënyrë, viti 1921 ishte vit i një rëndësie të veçantë për popullin shqiptar. U arrit që të paktën të ruhej pavarësia e Shqipërisë dhe tërësia territoriale e vitit 1913. Këto arritje në një farë dore ishin bazë për konsolidimin e mëtejmë të shtetit shqiptar.

Në fillim të vitit 1923, me vendim të Këshillit të Mi­ni­strave ishte dërguar në Greqi, me një mision special, mi­ni­stri i Shqipërisë në Washington, Mithat Frashëri, që t’i hapte relacionet diplomatike ndërmjet dy vendeve. “Pre­feroj të shkoj në Greqi, – i thotë Mithat Frashëri ministrit të Jashtëm shqiptar, – meqenëse ka më shumë punë se sa të vete në Washington” dhe i kërkon një flamur shqiptar për ambasadën. Mithati përpiqej që edhe me simbolet e saj, ve­çanërisht me flamurin kombëtar, ta përfaqësonte sa më denjë­sisht Shqipërinë.

Përfaqësuesi i Legatës shqiptare në Athi­në, Mithat Frashëri, i drejtohej ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, më 23 qershor 1923, duke e njoftuar për materi­a­let e një gazete të Janinës dhe premtimet e prefektit të Janinës, sipas të cilave edhe shqiptarët do të këmbeheshin si turqit me grekët e Azisë. Qeveritë shqiptare në Tiranë dhe pë­rfaqësuesi diplomatik në Athinë Mithat Frashëri përpi­qe­shin me çdo kusht që të jenë në nivel të detyrës dhe të shër­bimit të shqiptarëve të ngelur në Greqi, megjithëse në rre­tha­nat e krijuara nuk varej shumëçka nga ata.

Gjithnjë në vazhdën e përpjekjeve diplomatike për mbrojtjen e çështjes çame dhe të territoreve të tjera kom­bëtare që kishin mbetur brenda shtetit grek, Mithat Frashëri, bashkëngjitur me shkresën e vet të datës 4.XI.1924, ia dër­goi B. Blinishtit në Gjenevë.

Gjithashtu ia bënte të ditur se përfaqësia çame i kishte drej­tuar një ankesë kryeministrit Mihalakopullus dhe se e kishte gati një tjetër për t’ia dërguar Lidhjes së Kombeve. Megjithatë, përpjekjet qeveritare shqiptare ishin të vazhdueshme në favor të mbrojtjes të çamëve. Një aktivitet të veçantë kombëtar në këtë drejtim vazhdimisht e ka bërë edhe atdhetari Mithat Frashëri. Ai si përfaqësues i Shqi­përisë në Athinë, i drejtohej ministrit të Punëve të Jashtme në Tiranë, më 21 janar 1925, dhe e informonte se delegati shqi­ptar në Gjenevë kishte kërkuar që për çamët të merrej për bazë gjuha si kriter i origjinës, pa shikuar vullnetin e popullsisë, ndërsa këtë kërkesë e konteston dhe e kritikon delegati grek Politis. Në periudhën 4-25 qershor 1925 komi­sioni i lartpërmendur, i formuar nga Lidhja e Kom­be­ve, i vizitoi fshatrat dhe qytetet e Çamërisë për të grumbu­llu­a­r të dhëna të reja. Ishte rast i volitshëm për të konstatuar, për da­llim nga të dhënat e komisionit të parë, se pjesa dërr­muese e popullsisë shqiptare nuk dëshironte të përfshi­hej në shkëm­bim, duke i mbrojtur me dinjitet të lartë qën­dri­met kombë­tare nëpërmjet deklarimit: “Jemi shqiptarë dhe nuk duam të shkojmë në Turqi”. E mira e së mirës ishte që komisioni vetë u bind se sa më të thelluara të bëheshin hetimet, sa më të shpeshta të ishin kontaktet me popullsinë çame dhe krerët e saj, pa presion të qeveritarëve grekë, komisioni do të ishte më afër të vërtetës.

Më 18 gusht 1925 Mithat Frashëri nga Athina i drej­tohej Erik Kolbanit, drejtor i Seksionit të Pakicave pranë Lidhjes së Kombeve, me ç’rast, ndër të tjera, theksonte: “Pa­si ka mundësi që Sekretari i Lidhjes së Kombeve të me­rret me çështjen e shqiptarëve myslimanë në Greqi, më lejoni t’u përcjell kopjen e letrës time të datës 12 gusht që sapo ia kam nisur Kryetarit të Përfaqësuesve të Lidhjes së Kombeve për mbrojtjen e pakicave shqiptare në Greqi”.

Gjatë viteve 1923-1926, Mithat Frashëri si ambasador i Shqipërisë në Athinë, zhvilloi një veprimtari të dobishme diplomatike dhe kombëtare, gjë që e rriti mjaft prestigjin e Shqipërisë dhe shtetit shqiptar si dhe ndihmoi mjaft në afri­min dhe bashkëpunimin ndërmjet dy popujve e dy vendeve fqinje. Mithat Frashëri përpiqej për një fqinjësi të mirë e për një bashkëpunim të gjithanshëm me Greqinë e vendet e tje­ra fqinje. Kjo kërkesë për fqinjësi, miqësi dhe paqe në Ev­ro­pën Juglindore kërkohej që të zhvillohej mbi bazën e rec­i­pro­citetit, të respektimit të dinjitetit kombëtar dhe të mos­ndër­hyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit. Diplo­mati Frashëri, i cili ndiqte nga afër zhvillimet politike në Gre­qi, iu drejtua Qeverisë greke që ta shpërndante sillogun e pali­gjshëm të Vorio-Epirit, i cili zhvillonte një veprimtari të thek­suar antishqiptare dhe tensiononte marrëdhëniet ndër­mjet dy vendeve.

Në një letër nga Athina, drejtuar K. Çekrezit më 1925, Mithat Frashëri çështjen e Kishës Autoqefale Shqip­tare e konsideronte si çështje kombëtare: “Ç’ punë kanë bajlozët e huaj në një çështje thjeshtë kombëtare shqiptare?- revolto­hej Mithat Frashëri për shkak të ndërhyrjes së Kishës Greke në punët e Kishës Autoqefale Shqiptare, dhe sikur e ndiente që kjo do të ndodhte edhe pas afro 70 vjetësh me bajlozin Janullatos”. Mithati kishte njohuri të thella për historinë dhe kulturën greke. Ai e fliste bukur greqishten, kishte kul­turë të gjerë, andaj u imponua në qarqet më të larta politike e intelektuale të Greqisë.

Gjithashtu, Mithat Frashëri kishte shkuar dy herë në Gjenevë, më 1923 dhe më 1925, ku kishte kontaktuar me z. Drummond dhe z. Rafael, për ta mbrojtur popullsinë çame nga gjenocidi dhe shpërngulja. Për këtë problem i kishte shkruar Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë mbi 160 letra e raporte si dhe kishte udhëtuar në Shqipëri, në shtator të vitit 1925, për ta shqyrtuar ketë çështje shumë serioze me Mini­strinë e Jashtme.

Në dhjetor të vitit 1925 M. Frashëri kërkoi dorë­he­q­jen që iu pranua në prill të vitit 1926. Nëse do të thellohemi pak mbi shkaqet e dorëheqjes mendoj se ato janë komple­k­se dhe lexuesi i vëmendshëm do t’i gjejë ato sidomos në let­rat që i dërgon Mithati nga Athina respektivisht ministra­ve të jashtëm të Shqipërisë. A do të ishte e mundur të kup­to­nit gjë në atë labirint që i thonë ministri e Punëve të Jash­tme? I shkruan ai sekretarit të përgjithshëm të asaj ministrie Dh. Beratit. “më 1 të gushtit i telefonojnë minist­risë (së jashme). Senatit dhe kryesisë së Republikës për tu thënë se unë e shoh si rrezik fort të madh dhënien e Shën Nau­mit me dashjën tonë-shkruan ai nga Athina, në vitin 1925. Pra kur politika në këtë rast politika e jashtme nuk përkonte më idealin dhe angazhimin e tij kombëtar, ai dha dorëheqjen. “nuk e di, kjo që bëmë gjer më sot, politikë ësh­të apo tradhëti kundrejt mëmëdheut?- I drejtohet ai ministrit të Jashtëm, Hysen Vrionit.

Gjithnjë, në zbatim të udhëzimeve të Qeverisë shqip­ta­re, ambasadori shqiptar në Athinë, z. Mithat Frashëri, bë­nte përpjekje të vetëmohuese për ta shpëtuar pasurinë e 109 familjeve shqiptare të fshatrave Shak, Revani e Zhele­n­grad të prefekturës së Kosturit. Ata, nga frika e këmbimit si turq, kishin mërguar nga fshatrat e tyre dhe po qëndronin përko­hë­sisht në Korçë. Pasuria e tyre arrinte në 3.967.000 fr. ari, d.m.th. 198.350 napolona floriri.

Kërkesat e raportet që iu paraqitën Këshillit të Lidhjes së Kombeve bënë që në mbledhje të veçanta të këtij këshilli në vitet 1923-1928 Fan Noli, Mithat Frashëri, Be­noit Bli­ni­shti, Mehmet Konica, Rauf Fico e shumë dip­lo­matë të tjerë shqiptarë ta shprehnin qëndrimin e Qeve­ri­së shqiptare në mbrojtje të çamëve.

Pa dyshim në këtë drejtim përpjekje dhe kontribut të veçantë dha edhe Mithat Frashëri.