Ballina Ekonomia Indeksimi me 4.1% dhe rritja e pensionit minimal, Çoçoli jep detajet: Bonusi...

Indeksimi me 4.1% dhe rritja e pensionit minimal, Çoçoli jep detajet: Bonusi i fundvitit më shumë se 5 mijë lekë

12
0

Qeveria mori vendimin për indeksimin me 4.1% të pensioneve, skemë nga e cila do të përfitojnë 791 mijë pensionistë. Vendimi hyri në fuqi në datën 1 tetor dhe synimi kryesor i indeksimit është ruajtja e fuqisë blerëse të pensioneve kundrejt rritjes së çmimeve dhe efekteve të inflacionit.

Me këtë indeksim, pensionet urbane të pleqërisë rriten me afro 752 lekë, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2023-shit ishte 18.341 lekë. Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 453 lekë, pasi pensioni mesatar rural është 11,051 lekë.

Përtej indeksimit, bonusi i fundvitit do jetë më shumë se 5 mijë lekë. Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “7pa5” tha se bonusi i fundvitit pritet të jetë 7500 lekë.

Çoçoli: Zakonisht ka qenë 5 mijë lekë të reja për çdo pensionist. Kam dëgjuar dhe besoj se do të jetë e vërtetë se do të jetë më shumë. Uroj të jetë 7500 lekë, pse jo edhe 10 mijë lekë. Qevera në bazë të parave që po mbledh, para më shumë se sa plani, duhet të mendojë që të jetë sa më e lartë kjo rritje e pensioneve. Rritja e dytë nuk ka të bëjë me gjithë pensionistët. Do të jetë për ata që kanë pensione të ulëta, ose janë pensionistë kryefamiljar.

Sa i përket rritjes së pensionit minimal, i cili është rreth 10 mijë lekë, Çoçoli tha se rritja do të jetë graduale, pra nuk do të shkohet menjëherë nga 10 mijë lekë në 15 mijë lekë. Zbatimi i kësaj reforme do të fillojë nga janari i vitit 2025.

Çoçoli: Procesi i indeksimit është thjesht një korrigjim për të përballuar çmimet e mallrave kryesore për pensionistët si ushqimet apo ilaçet. Kur flitet për rritje të pensionit minimal, nuk mund të nënkupohet që menjëherë pensioni minimal që është 10 mijë lekë në muaj, të shkojë direkt 15 mijë lekë në janar 2025. Nga janari do të fillojë zbatimi i reformave. Por nuk është se pensionistët do të marrin menjëherë 15 mijë lekë. Kjo është një gjë graduale.