Ballina Opinion Mes një xhamie turke dhe realpolitikës

Mes një xhamie turke dhe realpolitikës

5
0

Nga Bajram Peçi

Nën optikën e vizitës së presidentit të Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i pranishëm gjatë përurimit të investimit islam, xhamisë së madhe në Tiranë, Xhamia e Namazgjasë, nuk mund të kalojnë pa u vënë re telashet që mbarti e debatet që solli. Janë të karakterit të besimit fetar si dhe politike e gjeostategjike, që rrjedhin prej varësisë së dukshme, herë prej përjashtimit në ceremoni të KMSH-së dhe herë prej fjalimeve, që nuk shmangin dot keqkuptimet e rrudhjet e buzëve.Presidenti Erdogan kujtoi me nostalgji kohërat e vjetra me “vëllezërit” shqiptarë dhe uroi që xhamia e madhe të forcojë e rrisë besimin fetar të të parëve! Kryemyftiu turk, Ali Erbash, u lut për shpirtërat e ushtarëve osmanë të cilët u vranë gjatë luftrave për pushtimin e Shqipërisë. Ata-theksoi Erbash-ranë martirë për të sjellë islamin në Shqipëri. Fjala-ka thënë i lashti-të rreh më mirë se shkopi. Fatmirësisht, nuk kërkuan që akënxhinjëve dhe jeniçerëve që vrau Skënderbeu, kur ruante trojet nga hordhitë aziatike, t’u ngrejmë ndonjë memorial! Kryeministri Edi Rama, në pozitat e mikpritësit të vendit të vogël e të varfër, gjithësesi nuk la pa u kthyer përgjegje, duke përmendur me nderim e politesë, ashtu kalimthi, emrat e Skënderbeut e të Ismail Qemalit. Më tepër nuk besoj se mund të bënte! Nën “zgjedhë”, të varfërit e të voglit, dihet se gjuha i mbetet në vargonj. Mosbesimi i Erdogan se Shqipëria nuk është pastruar tërësisht nga gulenistët, vonoi përurimin, deri kur kanë rënë dakord se Imami do ketë miratimin e Turqisë. Kjo xhami, me emër turk (Namas-Lutje), me sa duket do funksionojë jashtë autoritetit të KMSH, ndonëse Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja, u tha të pranishmëve në përurim, pak a shumë, se kjo nuk do krijojë problem, sepse xhamija do të funksionojë si fondacion i përbashkët me KMSH, çka është pak e vështirë të kuptohet?! Marrëdhënjet me Turqinë janë ndërtuar mbi bazën e miqësisë së ndërsjelltë, reciprocitetit, respektit e ndihmës, por mes tyre janë ende të mbijetuara paragjykime të vjetra e të reja. Duke i hedhur pas krahëve këto paragjykime, me Turqinë kurrë nuk duhet t’i prishim lidhjet miqësore. “Kurrë”, sepse “Real-politika” kështu e kërkon, që Shqipëria ta ketë Turqinë aleatin e saj, ta ketë gjithnjë në krah, ta ketë mbështetje në çdo situatë, sidomos tani, në rrethanat kur në kufij jo të largët zien lufta, ndërsa për bindjen se NATO “do na mbroj” vetiu, ka dyshime! Ata që drejtojnë Shqipërinë u kërkohet të dinë domosdoshmërisht e të përshtaten në politikat diplomatike me fqinjët dhe në faktorët ndikues që rrjedhin prej gjeografisë e historisë së gadishullit “Mal problemesh”. Njëkohësisht, edhe medias i kërkohet të dijë të shohë me realizëm dhe pragmatizëm situatën që rrethon shtetin, kombin e shoqërinë. Gadishulli ynë “Mal”, me prani të përhershme të rrezikut për luftra, i cilësuar “Fuçi baruti”, vazhdon të mbetet i tillë, duke mbartur nga e shkuara një mal konfliktesh. Në versionin e besueshëm të studiuesit tonë të shquar, Aurel Plasarit, ishte gjermani Xonjën, që gabimisht shkroi “Ballkan” përgjegjen që i dha një turk për gadishullin Ilirik në mesin e shek XVIII. U shkrua Ballkan, që turqisht do të thotë “Mal” dhe ngeli në harta. Siç vë në dukje Plasari për këtë marrëzi, “…Po e tha një gjerman ajo është e mbaruar”. Po nga këta gjermanë, përpos emrit fyes që ju vu gadishullit, në Kongresin e Berlinit në 1878 u hodh e u mboll fara e konflikteve, që vazhdojnë të ndjekin popujt e gadishullit. Ndodhi kjo se Gjermania me Rusinë ishin atë botë aleate dhe e lanë çështjen shqiptare nën mëshirën sllavo-ortodokse. Kombi shqiptar, Shqipëria dhe Kosova, janë të rrethuar nga vënde me qëndrim të hapur armiqësor. Serbia nuk druhet ta pranojë e shfaq troç armiqësinë për kombin fqinj, madje dhe në takimet sportive, (kudo qofshin, si në Pragë para tre ditësh), shpalos parrulla lufte dhe urrejtjeje. Është politikë e qendrueshme shtetërore, është qendrim i kishës ortodokse serbe, është kulturë që përfshin një shumicë të popullit. Qeverisë ja do puna që Greqinë ta trajtojë në publik si një shtet mik, i duhet edhe të bëjë përpjekje që të fashitë qendrimet me frymë armiqësore të dukshme ndaj Shqipërisë, siç ishte rasti i terroristit Kacifas dhe rasti i fundit i të inkriminuarit në procesin zgjedhor, Belerit. Dhe mirë bën që Rama ul tonet, shfryn tensionet, afron dorën e miqësisë! Gjithë zotësia qeverisëse e Shqipërisë duhet të ngulmojë te përdorimi i durimit dhe kohës. Siç e tha edhe Rama, me ata dronët kamikazë që do na japë Turqia dhuratë, nuk do sulmojmë kënd. Gjasat janë të mos i përdorim kurrë! Turqit dhe Turqia janë mbase shteti e kombi i vetëm në botë që na duan e na vlerësojnë. Nuk na paragjykojnë, ndonëse nga e shkuara kanë trashëguar thënjet “Pis Arnaut” dhe “Damar shqiptari”. Ndeshet gjithnjë respekti në takime me turqit, e has këtë përmes rreshtave të artit letrar të Orhan Pamuk; e vren në pozitat sociale që ka komuniteti i fuqishëm shqiptar në Turqi dhe vëndi plot respek që ata zënë. Nuk ka shumë lidhje kjo aleancë dhe pozita që kanë, me besimin fetar, sesa me besimin shoqëror! Jemi e duhet të jemi të shtrënguar ta ruajmë me besnikëri këtë aleancë. Kjo nuk bie ndesh me aspiratën tonë për t’u bërë sa më shpejt pjesë e BE-së, por edhe kur të bëhemi, besoj se Turqia do mbetet në vazhdimësi aleat strategjik. E gjitha kjo do të thotë: të gjykosh me urtësi!