Ballina Dossier Historia e gjuhëtarit të njohur: “Në shkurt 1960, një ditë para se...

Historia e gjuhëtarit të njohur: “Në shkurt 1960, një ditë para se Kola të mbyllte sytë, teksa i dorëzonte i shtrirë në shtrat veprën e tij prof. Mahir Domit, ai i tha…”

5
0

Nga Enxhi Beka

Pjesa e dytë
-Kolë Kamsi, intelektuali që i kushtoi jetën arsimit dhe kërkimit shkencor –
Në këtë punim do të hidhet dritë mbi Kolë Kamsin, një intelektual që i ka kushtuar jetën arsimit në Shqipëri, për të cilin pak është shkruar deri më sot. Analiza e figurës së Kolë Kamsit, kryesisht do të zhvillohet përmes analizës krahasimore të burimeve arkivore dhe shkrimeve mediatike e, artikujve të botuar mbi të. I lindur më 23 shtator 1886 në Shkodër, babai i tre fëmijëve, Paolinit, Karlos dhe Terezina Kamsit, me një origjinë shoqërore prej tregtari të vogël dhe me profesion arsimtar, ka dhënë kontributin e tij në fushën e arsimit dhe të kulturës kombëtare. Personalitet shkencor, folklorist, mësues dhe pedagog i gjuhës shqipe, hartues tekstesh shkollore, përkthyes, prozator, fabulist, publicist, redaktor, studiues i shquar i gjuhës shqipe dhe i traditave shoqërore.

Më tej, Kolë Kamsi vijon: “Disave u kam vu para origjinalin tem të përkthimin, sidomos të mendimeve në gjuhën frëngjishte e italishte”. Gjatë viteve 1907-1928, ka qenë veprimtar i shquar i lëvizjes arsimore e kulturore në Vlorë dhe anëtar i shoqërisë “Lidhja e arsimtarëve” të Vlorës. Gjatë viteve 1928-1936, punon në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër në rolin e mësuesit me urdhër nga Ministria e Arsimit me një rrogë prej 360 fr. Ari dhe nuk shkëputet deri në vitin 1936. Gjatë viteve 1936-1939, ai është drejtor i Institutit Femëror “Donika Kastrioti”, në Shkollën e Mesme në Shkodër, me urdhër të Ministrisë së Arsimit, duke arritur një pagesë, prej 400 fr. ari.

Gjatë viteve 1939-1940, është në Institutin “Nana e Skënderbeut”, në pozicionin e drejtorit në Tiranë, me një pagesë prej 400 fr. ari. Në vitin 1940, caktohet nga Ministria e Arsimit, anëtar në Komisionin Teknik të hartimit të teksteve dhe së bashku me Aleksandër Xhuvanin, Karl Gurakuqin, Ernest Koliqin dhe Eqrem Çabejn, punuan intensivisht për hartimin e teksteve të gjuhës shqipe dhe antologjive të letërsisë shqiptare, për shkollat shtetërore. Në vitin 1940, punon pranë Institutit të Studimeve Shqiptare, themeluar nga profesor Ernest Koliqi, i cili shërbeu si drejtues i këtij institucioni, me sekretar At Zef Valentinin.

Ky institucion u krijua për të zhvilluar veprimtari shkencore, në të cilin u përfshinë studiues të gjuhës, letërsisë dhe artit. Anëtarë të këtij institucioni, ishin intelektualë të shquar, si: Aleksandër Xhuvani, Ekrem Vlora, Eqrem Çabej, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi, Lasgush Poradeci, Lazër Shantoja, Sotir Kolea, Vangjel Korça, etj. Më 1942, ky institucion u quajt Instituti Mbretnuer Shqiptar dhe varej direkt nga Kryeministria.

Po nga Ministria e Arsimit, në vitet 1942-1945, Kamsi emërohet në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër. Në vitin 1944, Instituti i Studimeve u riorganizua dhe u quajt Instituti për Studime e Arte. Kamsi punon pranë këtij institucioni, për zgjerimin e fushave të kërkimit e të numrit të studiuesve shqiptarë, tashmë të ndarë në tri degë: gjuhësi, arte dhe shkenca natyrore e teknike. Në këtë institucion, u përfshinë edhe intelektualë të tjerë të njohur të kohës, si: Ali Asllani, Arshi Pipa, Hamdi Sulçebe, Hasan Dosti, Krist Maloki, Kristo Floqi, Ndoc Nikaj, Mid’hat Frashëri, Odhise Paskali, Spiro Konda, Vasfi Samimi, Vedat Kokona etj.

Në vitet 1945-1946, Kola emërohet përsëri nga Ministria e Arsimit si mësues në Shkodër, në Gjimnazin e Shtetit. Më 1945-1947, gjendet përsëri në Shkodër, në pozicionin e mësuesit dhe më 1.7.1945, në Liceun e Shtetit, në po të njëjtin pozicion. Vitet 1947-1948, do ta gjenin në të njëjtin profesion në Gjimnazin e Shtetit, në qytetin e tij të lindjes. Për të vijuar në këtë rrjedhë, më 1948, ai punon për pak kohë në Institutin e Studimeve në Tiranë, në pozicionin e folkloristit, si mbledhës e studiues.

Në vitin 1948, emërohet në Tiranë pranë Institutit të Shkencave, institut ky që kishte trashëguar, përveç veprimtarisë, arkivin dhe bibliotekën e çmueshme Albanologjike të Institutit të Studimeve Shqiptare, themeluar nga profesor Ernest Koliqi. Në një proces-verbal të Mbledhjes së Dytë të Asamblesë së Përgjithshme të Institutit të Studimeve, mbajtur në sallën e Bibliotekës Kombëtare, në qershor 1948, mbledhja hapet me Dr. Manol Konomin, ku fton anëtarët të bëhen pjesë e diskutimeve e propozimeve, pas referateve që do të paraqiten, ndër bashkëpunëtorët për seksionin e gjuhës dhe të literaturës, veçohet edhe emri i Kolë Kamsit.

Në vitet 1950-1955, rikthehet profesor i gjuhës dhe i letërsisë në Gjimnazin (tashmë në vitet e regjimit komunist, me emërtesën “28 Nëntori”) e Shkodrës dhe njëkohësisht profesor, në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”. Për të respektuar këtë figurë të shquar të kulturës shqiptare, më 1955, do të zgjidhej Kandidat i Shkencave. Më 2 shtator 1957, themelohet Instituti i Lartë Pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër dhe Kamsi emërohet pedagog i folklorit dhe i gjuhës shqipe, në Fakultetin e Gjuhës dhe Historisë.

Në këtë institucion, si dhe paralelisht në Gjimnazin e Shtetit, vazhdoi punën deri më 25 shkurt 1960, vit në të cilin ndahet nga jeta në moshën 74-vjeçare, pasi kontribuoi 53 vjet, në vendosjen e themeleve të arsimit kombëtar shqiptar. Po në këtë vit, ai do të mbante edhe një fjalim në varrezat e Shkodrës, me rastin e sjelljes së eshtrave të Luigj Gurakuqit. Më 24 shkurt të vitit 1960, një ditë para se të mbyllte sytë përgjithmonë, teksa i dorëzonte i shtrirë në shtrat veprën e tij, Fjalorin Arbërisht-Shqip, prof. Mahir Domit, ai i thotë ngadalë: “Po vdes i qetë. Zotimin e marrë para Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë e mbajta”!

Për hartimin e Fjalorit Arbërisht-Shqip, Kolë Kamsi ishte ngarkuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe Historisë në Tiranë, por duke qenë se gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohej, ai punoi pa u lodhur ditë e natë dhe tashmë u ndie i qetë, pasi mundi ta dorëzonte punimin, brenda afateve të përcaktuara nga Instituti. Por, edhe pse i përfunduar, fjalori i dorëzuar brenda afateve të caktuara nga ky institucion, do të “flinte” për dyzet vjet me radhë, në raftet e Institutit të Shkencave në Tiranë. Botimi i fjalorit u mundësua në vitin 2000, pas një redaktimi nga profesor Ferdinand Leka.

Ja se si do të pasqyrohej shkurtimisht rrugëtimi 53-vjeçar në fushën e arsimit, i intelektualit të shquar Kolë Kamsit:

1907-1915 – mësues i gjuhës shqipe, në qarkun e Vlorës;

1915-1916 – drejtor i shkollës së parë fillore për djem, në prefekturën e Vlorës;

1916 – drejtor dhe mësues i një kursi afatshkurtër pedagogjik në Vlorë, për arsimtarët;

1917-1920 – mësues në qarkun e Vlorës;

1907-1928 – anëtar dhe veprimtar i klubit “Labëria”, ku shquhet si veprimtar i lëvizjes arsimore e kulturore; “Lidhja e arsimtarëve” në Vlorë;

1920 – mësues në Shkollën qytetase Françeskane, Shkodër;

22.07.1922-03.08.1922 – delegat në Kongresin II Arsimor, Tiranë;

1922-1924 – mësues i gjuhës shqipe dhe letërsisë, në gjimnazin “28 Nëntori”, Shkodër;

1924 – drejtor i shkollës fillore “Teuta”, në Shkodër;

1925 – drejtor dhe pedagog i kursit pedagogjik për mësuesit, në qarkun e Korçës;

1926 – drejtor në Shkollën e Mesme Tregtare në qarkun e Vlorës dhe drejtor i konviktit, në Ujin e Ftohtë (Vlorë);

1927 – emërohet drejtor i Institutit Tregtar në qytetin e Vlorës;

1928-1936 – mësues në Gjimnazin e Shtetit “28 Nëntori”, Shkodër;

1936 – drejtor i Institutit Femëror “Donika Kastrioti”, Shkodër;

1937-1939 – mësues në Gjimnazin e Shtetit, Shkodër;

1939 – drejtor i Institutit Femëror “Nënë e Skënderbeut”, Tiranë;

1940 – anëtar në Komisionin Teknik të hartimit të teksteve pranë Ministrisë së Arsimit;

1940-1942 – anëtar në Institutin e Studimeve Shqiptare, Tiranë;

1942 – drejtor i Gjimnazit të Shtetit “28 Nëntori”, Shkodër;

1944 – punon disa muaj pranë Institutit të Studimeve, Tiranë;

1946-1947 – mësues i gjuhës shqipe, në shkollën unike të qytetit të Shkodrës;

1948 – emërohet në Tiranë, pranë Institutit të Shkencave;

1950-1960 – rikthehet profesor i gjuhës dhe i letërsisë në gjimnazin “28 Nëntori”, Shkodër, dhe profesor në shkollën pedagogjike, “Shejnaze Juka”.

1955 – zgjidhet Kandidat i Shkencave, pranë Institutit të Shkencave, Tiranë;

1957-1960 – pedagog i folklorit dhe i gjuhës shqipe, në Institutin 2-vjeçar dhe njëkohësisht në gjimnazin “28 Nëntori”.

Duke parë gjithë këtë rrugëtim të personalitetit Kolë Kamsi, do të ishte e pakuptimtë të njihnim historinë e kulturës e të arsimit shqiptar, pa emrin e Kolë Kamsit. Do të ishte e pakuptimtë apo e paplotë, të njihnim historinë e folklorit e të kulturës, pa atë i cili bëri emrin e kësaj historie.

Veprimtaria e Kolë Kamsit

Ndër kontributet e mëdha që la Kolë Kamsi, ishin edhe veprat e tij. Sa u takon veprave të Kolë Kamsit, mund të listojmë një shumësi të tilla. Veprimtaria kërkimore-shkencore e Kamsit, shtrihet në një hark kohor prej 50 vjetësh (1907-1960). Studimet e tij albanologjike, vihen re në këto aspekte: të gjuhësisë, letërsisë, folkloristikës dhe historisë. Në fushën e gjuhësisë ,u dallua me veprën Manual praktik i gjuhës shqipe, e shkruar në dy gjuhë, italisht dhe shqip, për strukturën gramatikore të gjuhës shqipe. Pati tri botime, në Zarë të Dalmacisë, më 1930 dhe në Shkodër, më 1940 e 1941. Një tjetër kontribut i padiskutueshëm janë dhe monografitë ‘Jeta dhe vepra e Frang Bardhit’ dhe ‘Disa vërejtje gjuhësore mbi veprën e Pashko Babit’.

Tituj të tjerë veprash janë edhe ata të krijimtarisë letrare. Më konkretisht, Kamsi ishte autor i disa poezive për fëmijë, disa tregimeve edukative, të cilat në vetvete ishin përshtatje në shqip të shkrimtarëve të huaj. Ndër përkthimet, mund të përmendim atë që i bëri Andersenit, Lasingut, vëllezërve Grim, Hygoit, Bokaços, Tolstoit e, shumë emrave të tjerë të letërsisë botërore, duke sjellë pranë lexuesit shqiptar, kryeveprat e kësaj letërsie. Sa i takon fushës së historisë, Jup Kastrati veçon disa nga veprat e tij, të tilla si: ‘Udhëtim i Skënderbeut në Romë’, ‘Dita 28 Nëntori’, ‘Kryengritja e Malësisë së Madhe’, një tjetër artikull mban emrin ‘Fatosat e Traboinit’, që u vranë në kryengritjen shqiptare të vitit 1910-1911 dhe për të vijuar me ‘Një letër Abdyl Frashërit’ e Françesko Krispit dhe shumë tituj të tjerë.

Kamsi botoi ‘Dokumenta të Agimit të Lirisë’ me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë. Ky botim përfshinte promemorie, protesta, peticione, memorandume të kolonive shqiptare në Egjipt, Rumani e Turqi, si dhe artikuj të dërguar nga shoqëritë dhe klubet shqiptare, që vepronin në emigrim. Gjithashtu, ishin një pjesë e madhe e të gjitha dokumenteve letrare, që u ishin dërguar Fuqive të Mëdha, për njohjen e Shqipërisë. Ndërsa në lëmin e publicistikës, botimet e tij gjenden tek ‘Albania’ e Londrës, e vitit 1907, te ‘Kalendari Kombiar’ në Sofje, i vitit 1912, te ‘Përparimi’ në Shkodër, më 1915. Shkrimet e tij do të zinin vend në artikujt e Corriere della Puglie, me një numër të posaçëm mbi Shqipërinë, më 1917, te ‘Kuvendi’ në Romën e vitit 1919, ‘Edukata e re’, e vitit 1950 në Tiranë.

Botimet e tij do të ishin prezente tek ‘Agimi i Shkodrës’, i vitit 1920, te ‘Dituria e Tiranës’ e vitit 1928 e, shumë të tjera. Kryevepra e tij është cilësuar ‘Fjalori Arbëresh’, që u botua pas 40 vjetësh. Fjalori ka rreth 8000 fjalë dhe fraza të nxjerra drejtpërsëdrejti, nga veprat e shkrimtarëve arbëreshë dhe nga poezia popullore e arbëreshëve të Italisë. Karlo Kamsi shprehet se ky fjalor, ka qëndruar për 40 vjet në Institutin e Gjuhësisë, në dorëshkrim: “E kam gjetur në një magazinë me ndihmën e Bahri Becit, i cili drejtonte atëherë këtë institucion”.

Duke filluar nga viti 1907. Kolë Kamsi punoi pareshtur mbi fonetikën, morfologjinë dhe veçanërisht për leksikun e arbërishtes. Një ditë para se të vdiste. ai i dorëzoi në shtrat në shtëpinë e vet në Shkodër prof. Mahir Domit veprën e tij jetësore dhe më të mirën e krijimtarisë së tij shkencore, Fjalorin e Dialektit Arbëresh, më 23 shkurt 1960, duke i thënë këto fjalë: “Po vdes i qetë. Zotimin e marrë para Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë e mbajta”. Fjalori ka rreth 10.000 fjalë e fraza të nxjerra drejtpërsëdrejti nga veprat e shkrimtarëve arbëreshë dhe nga poezia popullore e shqiptarëve të Italisë, duke filluar nga Matranga e deri në ditët e sotme, pra më 1960.

Fjalori Arbërisht-Shqip, u botua në vitin 2000. Kamsi u bë i njohur si studiues, me monografinë Shqiptarët e Italisë. Çdo muaj, për çdo vit rresht, u botua në të përkohshmen ‘Leka’ në Shkodër, nga viti 1934, deri më 1944. Në fushën e gjuhësisë, ai u dallua me veprën ‘Manual praktik i gjuhës shqipe’, shkruar në italisht dhe në shqip, mbi strukturën gramatikore të gjuhës shqipe. Me rëndësi është edhe bashkëpunimi i tij për Fjalorin Italisht-Shqip, të Fluvio Kordinjanos. Për Institutin e Studimeve, më 1948, Kamsi redaktoi veprën ‘Material leksikor’ të mbledhur në rrethin e Gjakovës nga Murat Paci, ish-nxënës i Gjimnazit të Shtetit të Shkodrës, që u vra nga fashistët në vitin 1943.

Për historinë e letërsisë shqiptare, përveç artikujve mbi shkrimtarët arbëreshë, Kolë Kamsi botoi punime me vlerë për Pashko Vasën, Filip Shirokën, Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin, Justin Rrotën, e shumë të tjerë. Gjithashtu, mjaft interesante janë edhe artikujt mbi figurën e Ismail Qemalit, Miss Edith Durhamit dhe shumë emra të tjerë. Folkloristika është një nga zhanret më të spikatura të Kamsit. Konkretisht, ai mbetet një nga studiuesit më të mirë të proverbave të shqipes, me veprën e tij, ‘Goja e popullit tonë’. Ky libër përmbledh thënie popullore të shkurtra. Në fushën e krijimtarisë së tij letrare, janë për t’u vënë në dukje edhe disa vjersha apo tregime për fëmijë.

Shkurtimisht, disa nga titujt e veprave janë:

Kolë Kamsi, abetarja ‘Jeta e re’, shtypur në Bari të Italisë, shtypshkronja “La italiana”, ribotohet duke u përmirësuar botimi i parë tri herë në Bari, në po të njëjtën shtypshkronjë, Vlorë, 1915, 72 faqe.

Kolë Kamsi, ‘Lulet e mendimit’, antologji me vjersha të mbledhura për shkollat fillore, botuar në Itali, Vlorë, 1917, 52 faqe. Kolë Kamsi, ‘Mësime përmbi natyrën’, përshtatur sipas programit të diturisë së natyrës për shkollat fillore, botuar në Itali, Vlorë, 1919, 60 faqe.

Kolë Kamsi, ‘Manuale practico della lingua albanese’, Zara, 1930, ribotuar më 1940, 1942, 224 faqe.

Kolë Kamsi, bashkautor me Ndue Palucën e Ernest Koliqin, ‘Shkollë e jetë’, vëllimi I, antologji për shkollat e mesme, tekste shtetërore, shtëpia botuese “Ora”, Shkodër, 1935, 288 faqe.

Kolë Kamsi, bashkautor me Karl Gurakuqin, ‘Te praku i jetës’, libër leximi për klasën e parë dhe të dytë të shkollës së mesme, tekste shtetërore, Tiranë, 1940, ribotuar më 1942, 449 faqe.

Kolë Kamsi, bashkautor me Karl Gurakuqin, ‘Rreze drite’, për klasën e tretë dhe të katërt të shkollës së mesme, tekste shtetërore, Tiranë, 1941, 538 faqe.

‘Visaret e kombit’, vëllimi IX, folklor, përmbledhje mbi zakonet dhe gjuhën popullore, të botuara në revistën ‘Leka’, mbledhur nga Kolë Kamsi, botim i Ministrisë së Arsimit nr. 9, shtypur në shtypshkronjën “Zoja e papërlyeme”, 1943, 192 faqe.

‘Bota shqiptare’, antologji për kursin e naltë të shkollës së mesme, mbledhur nën kujdesin e Xhuvanit, Kamsit, Çabejt, Gurakuqit, Koliqit, botim i Ministrisë së Arsimit, antologji me 616 faqe, tekst shtetëror për shkollat e mesme, Tiranë, 1943.

‘Shqiptarët shqiptarë’, pjesa II, Kamsi me Ernest Koliqin dhe Karl Gurakuqin, botim i Ministrisë së Arsimit, Tiranë, 1941. /Memorie.al/