Ballina Kulturë Mbi librin e Abdurahim Ashiku, “Dashmir Zaçe një rilindës i kohës sonë”

Mbi librin e Abdurahim Ashiku, “Dashmir Zaçe një rilindës i kohës sonë”

40
0

Kur të fton një libër i ri për të diskutuar për të, është e natyrshme që të shtyn nga brenda një dëshirë artikulimi dhe fjalët e kane më të lehtë udhën e tyre. Krejt ndryshe po me ndodh sot me monografinë e autorit Abdurahim Ashiku “Dashmir Zaçe-një rilindës i kohës sonë”. Po e them që në krye të herës: sa më shumë ta kesh njohur njeriun, qytetarin e shqetësuar te rrugës tënde të përbashkët, kolegun e dyfishte: mësuesin dhe krijuesin bashkudhëtar, të fjala sepse rritet edhe përgjegjësia, rritet po kaq natyrshëm edhe vështirësia. Edhe këtë problem duket se e ka zgjidhur vete autori i librit, i cili është udhëhequr ne punën e tij hulumtuese nga dashuria me parimin e tij krijues: “Njerëz qe i dua”. Këtu lind mirëfilli edhe një pyetje: Pse e ka dashur kaq shumë Dashmirin tone një dibran? Përgjigjen e kësaj pyetje na e jep vete libri qe na ka mbledhur sot.
Libri ne fjale, në tipologjinë e vet klasifikohet si një monografi edhe nga lexuesi me i thjeshte, por brenda saj autori ka arritur te mbledhë polenin e te gjithë luleve dhe ia ka arritur të sjellë jo një jetëshkrim te atypëratyshëm për figurën e vet, Dashmirin, por vete libri i ngjan një ansambli ku i gjen të gjitha zërat dhe instrumentit e këtij ansambli kane vendin e vet. Pra, ky libër është ndërtuar me një polifoni zërash, ku secili zë ka intonacionin. emocionin dhe destinacionin përkatës.
Libri nis me fjalët e zemrës se Elvanes, bashkëshortes , jo thjesht si një parathënie që gjejmë rëndom ne librat e tjerë te këtij lloji, por si parathënia e parathënieve; janë fjale zemre për njeriun me te afërt ku te dy se bashku i dhanë dimensionin një jete. Më tepër sesa një rrëfim për atë qe njohu me shume, këtu ballafaqohemi me një reflektim te reales, pa emfaze e glorifikime.
Brenda kësaj logjike vjen natyrshëm dhe rrëfimi i dyte, një rrëfim tepër i sinqerte nga vajza, që , përveç largësisë kontinentale, i duhet te përballoje dhe mungesën e madhe te babait, të idhullit edhe te shokut te vet. Ky rrëfim bart ne vetvete një mesazh tejet njerëzor për ndërtimin e marrëdhënies prind-fëmije.
Autorit te monografisë tanimë puna i vështirësohet, por ai e gjen eureken e vet dhe, për te qene brenda besueshmërisë se fakteve, i pandikueshem prej tyre, për rrjedhën e vet jetës, ia le te drejtën heroit te vet përmes vetë shprehjes. Përmes këtij zëri vijnë faktet më domethënëse te jetës nga vet jetari i saj në formatin e një autobiografie te përmbledhur.
Pasi përfundon ky ligjërim, i miratuar qe ne gjalljen e vet nga heroi i librit, autorit nuk i mbetet gjë tjetër dhe, nga këtu, vë ne lëvizje polifoninë e zërave, të cilët do te shtojnë me penelata te shpejta një mbrese, një miqësi të vjetër apo te re, një angazhim, një reagim apo rebelizëm, një udhëtim apo eksplorim, një mbështetje apo dëshirë për te arritur rezultatin, derisa vjen momenti me kulminant apo kurora e gjithë veprimtarisë shqipdashëse: misioni i përhapjes se gjuhës se kulluar te Naimit te fëmijët shqiptare ne atë pjese te botes ku e çoi fati i emigrantit, në Selanik.
Tanimë ne libër vijnë vrullshëm erat e një jete krejt të re, plotësohen njohje te reja me njerëz qendrestare e dritë përhapës si edhe ai, lidhen e çimentohen miqësi qe do te vazhdojnë dhe përtej vdekjes, sepse ne thelbin e tyre qëndronte vetëm dashuria. Autori këtu gërsheton e harmonizon nga kujtimet, si ai i marsit 2001 me Mimoza Bejkollarin me rastin e njohjes se vet me Dashmirin ne po ketë mars e, prej kësaj kohe do te krijohet një lidhësi e pazgjidhshme. Në këtë lidhësi ishte edhe dëshira, edhe pasioni, edhe profesioni i mësuesit, por, mbi te gjitha ishte vet njeriu, siç do ta kujtoje e përkufizojë Arjan Cara, kryetari i shoqatës se emigranteve “Nënë Tereza”.
Lexuesit, si ne një ekran te madh e me një shpejtësi te rrufeshme i kalojnë titrat e një jete te ngjeshur ne Selanik: takime, pune, mësim, mbledhje, seminare ne përparimin dhe mbarëvajtjen e përhapjes se shqipes me motivin naimian “Lum kush zi të mbjellë”.
Në një syth të librit “Dy orë me Laver Bariun” autori sjell disa mbresa nga ky takim me ustain e klarinetës dhe besoj qe ky takim ka ndodhur pasi Dashamiri e kishte sjelle ne jete librin e tij te pare me rrëfenja. Pikërisht këtu atij do t’i shkrepte ideja për te mbledhur “këngët e kalbura”, siç do t’i quante ai mes miqsh, këngët e dashurisë këngë pa te cilat nuk mund te konceptohet folklori i Përmetit. Edhe ne këtë drejtim ai punoi me një këmbëngulje e pasion te çuditshëm, por ia arriti te botonte një përmbledhje dinjitoze.
Udhë përshkrime te ngjeshura ne trojet e lashta te shqipes, në vendet e shenjta te lirisë kombëtare, ballafaqime e përgëzime për udhën e nisur, bujari e mikpritje, mbresa dhe dashuri do te gjesh jo vetëm ne kreun e dyte, por dhe ne kreun e trete “kur shpirti flet” apo me tej “Mik me te gjithë”.
Një libër i këtij formati do ta kishte te vështirë volumin e mbresave, të përshkrimeve, të problematikave pa gjetur dhe trajta te ndryshme ligjërimore, atij do t’i duheshin edhe thyerje te rrëfimit. Kështu autori e gjen me vend te sjelle formën e ditarit, qofte ky dhe internetik,edhe te meditimit te miqve e personaliteteve, vlerësimet e tyre për punën misionare.
Në faqet e këtij libri takohesh edhe me dhimbjen pikëlluese, me boshllëkun qe le një ikje aq e befte dhe e papritur, por Brenda kësaj dhimbje ka shume te çara nga hyn dhe drita e kjo drite e ka emrin mirënjohje e respekt për njeriun qe eci ne gjurmët e rilindësve te mëdhenj, por kjo mirënjohje mbetet diçka e munguar nga ana e institucioneve. Ndoshta kjo mbetet edhe brenga e vetme e autorit te këtij libri, të cilin e mbyll me një elegji te veten.
Per te mos u zgjatur dhe për tu lenë hapësirën e fjalës edhe te tjerëve, do ta mbyllja me këto fjale:
Te faleminderit miku i madh i Dashmirit dhe gjithë përmetareve, Abdurahim Ashiku për ketë libër!
Lumo Kolleshi Permet,me 21.09.2018

Treqind ditë me dashmirin
Elegji
Kushtuar Dashmir Zaçes, mësuesi që bëri hapin e parë të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë në Greqi (7 mars 2001)
Dje 26 shtator 2016…
Sot 26 korrik 2017…

Dje, iku Dashi,
Në përjetësi…

Sot, erdhi Dash-Miri,
Me dashuri…

Treqind ditë me Dashin,
Të Mirin Dashmir,
Prindin,
Gjyshin,
Qytetarin,
Mësuesin,
Mërgimtarin,
Profesor Zaçen !

Udhëtova me Të,
Ditëve me diell,
Netëve me hënë,
Maleve,
Fushave,
Qyteteve,
Fshatrave,
Ku flitet shqip,
Ku këndohet shqip,
Ku shkruhet shqip,
Ku jetohet shqip…

Ku nuk shkuam,
Bashkë,
Krah për krah,
Qafë më qafë,
Si dy shokë,
Si dy miq,
Si dy qe,
Mbrehur,
Parmendës së drunjtë,
Plor mprehtë,
Të shqipes në mërgim…

Tërhoqëm brazda,
Hodhëm farëra,
Ujitëm,
Prashitëm,
Volëm,
Bluam,
Bukën gatuam…

Në sofër shtruar
Raki rrushi – Përmeti,
Kumbull shuker – Dibre,
Dashuri sa deti…

Oh sa bukuri ka miqësia!
Kur në mes hyn respekti,
E lulëzon dashuria.

Librat e mi,
Të shtatë,
Një emër kanë:

Njerëz që i dua!

Po nuk deshe,
Po nuk dashurove,
Nuk shkruan pena,
Nuk lëviz tastiera,
Nuk vjen pranvera…

Nuk mund të të them:
Lamtumirë!…
Dashmir Zaçe!
Nuk ma nxë goja,
Penën,
Dora s’ma mban,
Fjalën,
Gjuha ma than,
Gjunjët,
Lodhja m’i këput,
Zemrën,
Asgjë s’e zbut…

Mirë se erdhe Dashmir Zaçe!

Rafteve të librave të mi,
Rilindësit e Kohës Sonë,
Miq për kokë, shoqëri.

Ti i pari…
Të tjerët pas,
Si zinxhir pa mbarim,
I një kohe risi,
Rilindësish Çudi,
Të shqipes në mërgim…

Isha me ty,
Treqind ditë…

Jam me ty,
Sa t’kem dritë…