Ballina Kronika Dyshohet se mbajti ‘peng’ një afgan, vëllai i 18-vjeçarit hedh poshtë akuzat:...

Dyshohet se mbajti ‘peng’ një afgan, vëllai i 18-vjeçarit hedh poshtë akuzat: E kemi mbajtur me bukë dhe ilaçe

5
0

Njëri prej pronarëve të servisit të automjeteve ku punoi për afro katër muaji shtetasi afgan në Shkodër ka hedhur poshtë faktin se i mituri është mbajtur me forcë në punë.

Lazër Pashuku, vëllai i të arrestuarit Alehandro Pashuku dhe të shpallurit në kërkim Kristjan Pashuku dhe babai i tyre Aleksandër Pashuku tregojnë se afganin e kanë mbajtur si të ishte njeri i familjes duke i dhënë bukë, ilaçe, para dhe duke e strehuar në banesën e tyre.

Pronarët e servisit ku u gjet afgani tregojnë se ai ka qenë tërësisht i lirë dhe ka lëvizur në gjithë qytetin i vetëm ose bashkë me punonjësit e tjerë sipas dëshirës. Ata shprehen se e kanë takuar rastësisht në një lokal aty afër dhe e kanë marrë për ta ndihmuar duke qenë se ishte i uritur dhe i pastrehë. Pronarët thonë se shtetasi afgan i ka thënë se është 19 vjeç dhe jo 16 dhe se ai ka komunikuar lirisht çdo natë me familjen e tij.

Po ashtu Lazër Pashuku shprehet se të gjithë këtë afgani e ka bërë me qëllimin për të kërkuar azil dhe për t’u larguar tek familja e tij në Greqi. Pronari tregon se ka dashur ta ndihmojë që të largohet drejt Greqisë duke i dhënë para dhe ushqime për rrugën por sipas tij afgani i ka kërkuar që të qëndrojë edhe dy muaj të tjerë për të punuar.

Po ashtu babai i vëllezërve Pashuku, Aleksandër Pashuku shprehet se i ka hapur dyert e shtëpisë së tij duke fjetur aty dhe duke e trajtuar njësoj si djemtë e tij. Familja Pashuku kërkon drejtësi për të arrestuarin Alehandro Pashuku dhe të shpallurin në kërkim Kristjan Pashuku duke thënë se nuk është e vërtetë se e ka trafikuar dhe se nuk ka pasur asnjë lloj presioni, përkundrazi e kanë ndihmuar atë maksimalisht.