Ballina Kulturë “Lyrësi”- Tregim nga Ilir Paja

“Lyrësi”- Tregim nga Ilir Paja

15
0

Ishte ulur në karrige dhe pinte duhan.Lyrësi i mureve qëndronte në këmbë duke vështruar dhomën.

Ai hodhi cigaren në dysheme.U ngrit.Tymosja me duhan në dhomë kishte lënë pezhishkën e një vetmie e gjendur nën hije.

-Dëgjo,- foli bojaxhiu.- ke gëlqere të trashë ose allçi? Të mbyllim atë suvanë e rënë atje poshtë pak dritares!Të dy nisën të mos ia ndanin sytë murit.

-E rregulloj unë atë punë…– iu gjegj i zoti shtëpisë.

Kishte kaluar më tepër se një muaj nga largimi i saj.Por ende nuk kujtonte,se pse ajo copëz suvaje gjendej e hedhur  mbi parket,si e gërryer nga muri qëllimshëm.Oh!Ç’kujtim mendoi! Pas ikjes së saj , mendonte për të gjatë.Një ditë i kishte trokitur në apartamentin , ku banonte me prindërit.Ende i gjendur mes turbullimit nga ajo ngjarje, s’po mundte dot, që të gjykonte veten të gjithin.Ndërsa tani, i duhej ky lyrës banesash, i cili duke hyrë mes të dyve, me atë furçën e tij dhe gëlqeren e bardhë do e mbyllte këtë histori, sikur të kishte qenë si një ngrehinë në një shtëpi, por tani duhej meremertuar.

Bojaxhiu kaloi me furçë murin.Kur po zbriste poshtë, aty ku sapo e kishte mbyllur me shumë kujdes, furça sikur u gërvisht.I gjendur në sallon ktheu kokën.Fërkimi pak i ashpër mes furçës dhe murit, iu duk si të ishte zë i mbetur njerëzor.

La pompën mënjanë.Iu afrua murit.Mori shpatullën nga veglat dhe sërish me pak qull gëlqereje e mbuloi vragën në mur sërish.

-Ç’njeri!-mendoi ai.Vjen kur e thërrasin.Lyen me kujdes.Zbardh çdo gri mërzitjeje që varet mureve të shtëpive deri në tavane dhe të nesërmen të zotëve të saj iu duket se jetën që vjen ia kanë dhururar, e jo krijuar prej tyre.Mori pompën dhe e futi në dhomë.Hapi rubinetin dhe grimca të pafundme gëlqereje nisën fluturimin e tyre nëpër mure, sikur të ishin grimca petalesh nga zanat.Një vello bardhësie pushtoi dhomën.

-T’i jap dhe unë pompës?Do ketë më presion kur t’i japësh dorën e dytë.

Pjesa e bojës së bardhë, e cila nuk tretej në dysheme si dëbor rrugëve, e mbuloi parketin me një qilim hollak bardhësie.

-Jepi, po vetëm dy herë.-foli lyrësi.

Mori frymë thellë dhe nisi të përkulej e ngrihej mbi të.Buzëqeshi.Ishte hera e parë pas ikjes së saj.

Dhoma iu duk sa e re, por dhe më e madhe.Dukej si çasti i parë, kur e kishte ( i kishte mbushur mendjen) ftuar  në shtëpinë e tij…Ndoshta…sikur të shkonte ta takonte…

-Mbaroi-tha bojaxhiu.Mblodhi veglat pasi i pastroi.

-Të zbresim bashkë,-foli ai.

Kur po linin shkallët e katit të tretë, lyrësi ndali.-Më fal, por ke lënë derën hapur!

-Hapur?…Nuk ka gjë.Kështu thahet më shpejt.