Ballina Ekonomia Bizneset shqiptare në krizë, Buxhuku: Kanë pësuar humbje dyfish nga emigracioni, s’ka...

Bizneset shqiptare në krizë, Buxhuku: Kanë pësuar humbje dyfish nga emigracioni, s’ka punonjës të kualifikuar

14
0

Një studim nga “The Westminster Foundation for Democracy” tregon se Shqipëria përballet me humbje vjetore prej rreth 800 milionë euro për shkak të emigracionit, sidomos të moshave të reja. Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, i ftuar në një intervistë televizive, shprehu skepticizëm lidhur me metodologjinë e këtij vlerësimi, por pranoi se ndikimi i emigracionit në ekonomi është i madh.

“Duhet të pranojmë që emigracioni i trurit nuk është vetëm fenomen shqiptar. Natyrisht që është dukuri e cila është e dëmshme për ekonominë, shoqërinë dhe demokracinë sepse flasim për pjesën më cilësore të shoqërisë. Sa i përket shifrës 800 milionë euro, nuk e di si e kanë përllogaritur, por ndikimi është i madh.”

Sipas tij, bizneset janë në një situatë të vështirë pasi jo vetëm humbin punonjësit, por edhe investimet për aftësimin e tyre, duke qenë se shumica e punonjësve vijnë të papërgatitur nga arsimi. Buxhuku theksoi se fenomeni i “ikjes së trurit” është i dëmshëm jo vetëm për ekonominë, por edhe për shoqërinë dhe demokracinë, pasi pjesa më e kualifikuar e shoqërisë është ajo që emigron.

“Kur ikën pjesa e kualifikuar, duhet të kuptojmë që në një farë mase po ikën ajo pjesë në të cilën ti ke investuar si shoqëri. Se sa është investuar dhe sa cilësorë janë këta që kanë ikur mbetet për t’u diskutuar. Kjo lidhet me cilësinë e arsimimit. Që të iki pjesa e turrit që ka qenë e punësuar këtu, kjo është mjaft delikate. “

Ai vuri në dukje se bizneset ndodhen në një pozitë të vështirë, duke paguar dyfish për punonjësit, një herë për shpërblimin mujor dhe herën tjetër për aftësimin e tyre. Ndërkohë, vendet që i mirëpresin këta punonjës përfitojnë nga ky investim. Pyetja që ngrihet, sipas tij, është nëse Shqipëria ka mundësinë të ndalojë këtë trend.

“Në kontaktet që kam me biznese të rëndësishme ata më kanë shprehur një fakt të tillë që tregon për situatën e vështirë në të cilën gjendet. Kanë thënë që i paguajmë dy herë punonjësit që marrim, një herë i paguajmë se japin shpërblimin mujor, por përpara kësaj i paguajmë se i fillojmë i aftësojmë për punë se vijnë të papërgatitur nga arsimi. Imagjino në çfarë pozite të vështirë gjendet bizneset kur ikin punonjësit dhe sa mirë janë ata që i presin, sepse ata marrin investim të dyfishtë gati. Problemi është a kemi mundësi ta frenojmë.”