Ballina Europë Britania dhe Kina japin shenja pajtimi gjatë vizitës së kryediplomatit britanik në...

Britania dhe Kina japin shenja pajtimi gjatë vizitës së kryediplomatit britanik në Pekin

9
0

Kina dhe Britania ndërmorën hapa drejt pajtimit të mëtejshëm të premten ndërsa Pekini i bëri jehonë planit të qeverisë së re laburiste për të zhvilluar lidhje ‘pragmatike’ dypalëshe.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy është kryediplomati i dytë britanik që viziton Kinën në gjashtë vjet. Udhëtimi i tij synon të tregojë se Britania zbaton një qasje strategjike për ndërtimin e lidhjeve me Pekinin, pavarësisht mosmarrëveshjeve.

“Marrëdhëniet Kinë-Britani, tani janë në një fazë të re”, tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi gjatë një takimi me homologun e tij britanik në Pekin.

“Konkurrenca midis fuqive të mëdha nuk duhet të përcaktojë këtë epokë”. 

Sekretari Lammy përmendi gatishmërinë për “bashkëpunim me dobi të ndërsjellë” në fusha si mjedisi, energjia, shkenca, tregtia dhe teknologjia. Megjithatë, ai paralajmëroi se Britania “gjithmonë do të vinte në plan të parë interesat dhe sigurinë e saj kombëtare”.

Pekini dhe Londra duhet të “tregojnë se vendet tona, me histori dhe pikëpamje të ndryshme, ende gjejnë zgjidhje pragmatike për sfidat komplekse”, tha ai.

Qeveria laburiste, e zgjedhur në korrik, dëshiron të tregojë se është serioze në lidhje me marrëdhëniet me Kinën. Qeveria britanike duhet të arrijë një balancë mes të dëshirës për të bashkëpunuar me Kinën për çështjet ekonomike dhe globale me sfidën që paraqet mbështetja e Pekinit për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Ministri Wang shtoi se Pekini e vlerëson modelin e ri të laburistëve për zhvillimin e marrëdhënieve si ‘pozitiv’ sepse ai “përputhet me nevojat aktuale të marrëdhënieve dypalëshe”.

Sekretari Lammy do të takohet edhe me zëvendëskryeministrin Ding Xuexiang, i cili është përgjegjës për shkencën dhe teknologjinë, në Pekin të premten. Një ditë më pas ai do të udhëtojë në Shangai për të takuar bizneset britanike që operojnë në Kinë.

Para vizitës, Sekretari Lammy tha se angazhimi me Kinën ishte “i nevojshëm për të mbështetur interesat e Mbretërisë së Bashkuar dhe ato globale”.

Vizita e Sekretarit Lammy nuk pritet të sjellë marrëveshje të mëdha diplomatike. Mao Ning, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, tha se bisedimet do të përqëndrohen në përmirësimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Marrëdhëniet e Britanisë me Kinën, nën qeverinë e mëparshme britanike, u acaruan nga përplasjet për të drejtat e njeriut, Hong Kongun dhe akuzat për spiunazh kinez.

Më herët këtë vit, Britania tha se ishte jashtëzakonisht e shqetësuar pasi agjencia e lajmeve ‘Reuters’ njoftoi se Rusia ka ndërtuar një fabrikë në Kinë për prodhuar dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi që do të përdoren në luftën kundër Ukrainës.

Britania ka bërë ndryshime të mëdha në qasjen e saj ndaj Kinës në dekadën e fundit, duke u distancuar nga deklarimi se donte të ishte mbështetësi më i madh i Kinës në Evropë në një nga kritikët e saj më të ashpër. Tani, Britania po përpiqet përsëri të përmirësojë marrëdhëniet nën qeverinë e re laburiste.

Qeveria e re britanike ka urdhëruar një vlerësimi gjithë-qeveritar të marrëdhënieve Britani-Kinë. Ajo ka thënë se pas këtij vlerësimi, do ta ketë të qartë marrëdhënien me Kinën, duke pasur parasysh akuzat për sulmin kibernetik dhe spiunazhin kinez.

Ndërkohë Kina përballet me përkeqësim të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian për masa të ndryshme të mbrojtjes tregtare, si dhe për lidhjet e acaruara me Shtetet e Bashkuara.

Kina është partneri i gjashtë më i madh tregtar i Britanisë, duke zënë 5% të tregtisë totale, sipas shifrave të qeverisë britanike./VOA