Ballina Sport Derbi ndaj Tiranës, trajneri Daja: Prisni spektakël në Vlorë, nuk ka justifikime

Derbi ndaj Tiranës, trajneri Daja: Prisni spektakël në Vlorë, nuk ka justifikime

0
4

Ilir Daja, tekniku i Dinamos ka dhënë mendimin e tij në konferencën zyrtare për shtyp para derbit ndaj Tiranës, takim që do mbahet në Vlorë.

“Falënderoj Flamurtarin dhe presidentin Idrizi që na hapi derën për këtë derbi. Edhe pse është pritëse Tirana, më në fund u gjet stadiumi. Kjo është gjëja pozitive. Ajo që është jopozitive, është fakti që janë tifozeritë që e kanë distancën e largët. Por shpresojmë që atë vakum që krijohet nga mungesa e tiozerisë tonë apo të Tiranës, të mbushet nga sportdashësit vlonjatë se edhe ata e pëlqejnë një derbi. Duke qenë që dy ekipet kanë luajtur hapur në këto javë, spektakli do të jetë prezent, ndaj do të ftoja sportdashësit vlonjatë për të bërë më të bukur këtë derbi pavarësisht distancës nga Tirana.

Ka një ekuilibër, se ka një pjese të tifozëve vlonjatë që janë edhe me Tiranën, edhe me Dinamon. Por një pjesë mund të jenë mbështetës nga ajo që kemi bërë ne një vit me Flamurtarin që ka qenë i suksesshëm në atë periudhë.

Dëmtimi i Salit? Ne do të mësohemi me mungesat, se edhe ne, edhe kundërshtarët do të kenë gjatë gjithë kampionatit për arsye dëmtimesh apo kartonë. Nuk do të justifikohem me faktin që kemi mungesa. Kemi punuar me lojtarët që kemi në dispozicion, kemi një kontingjent që pavarësisht se janë lojtarë të rëndësishëm ata që mundojnë, do i zëvendësojmë se në fund të fundit, duke parë që edhe ndërrimet janë me 5, duhet të kemi kontingjent më të madh për të përballuar ndeshjet. Këto mungesa nuk do ta kemi mendjen te ato, por do të mundohemi që ata që do të prezantohen nesër do japin maksimumin. Derbi është një ndeshje që duhet fituar, edhe pse ka të tre rezultatet brenda, janë të paparashikueshëm. Duke parë edhe që nuk ka diferencë të madhe, besoj se do të jetë prezent spektakli se ne këto tetë javë të dy skuadrat kanë bërë lojë të hapur. Por duke parë që në këto 8 jave Tirana ka vetëm një humbje, duhet të jemi shumë të kujdesshëm e të përqendruar që të shkojmë drejt marrjes së maksimumit të pikëve.

Shkëmbin, pavarësisht se ka qenë me skuadrën e Skënderbeut, ka qenë periudha të ndryshme, nuk ishim bashkë asnjëherë. Derbi nuk është përballje trajnerësh, por e Tiranës me Dinamon, edhe ne kemi pjesën tonë aty brenda por në një derbi pak vlejnë gjërat tekniko-taktike. Më shumë është doza që duhet menaxhuar, presioni i tepërt, se ka të shtuar presionin më shumë se ndeshjet e zakonshme, por vlerën e pikëve e ka njëlloj si në çdo ndeshje tjetër.

Tirana më shumë nën presion? Nëse nisemi nga ky fakt do bëjmë gabim se diferencat mes ekipeve në kampionatin shqiptar nuk janë të mëdha, plus pikët janë aty-aty. Ndaj duhet luftuar çdo ndeshje në maksimum. Presioni është i dy ekipeve, jo vetëm i Tiranës por edhe i yni, se në fund fare duam që atë ecuri pozitive të javëve të fundit ta vazhdojmë, ashtu si Tirana kërkon të rregullojë pozicionin e tabelën e klasifikimit. Por nuk ka diferencë të madhe pikësh, ndaj presioni është nga të dy kahet.

Mendoj që gjithçka nis nga zero, për atë që kanë treguar ekipet në tetë javë, ndeshjet kanë qenë në të dy kahet me probleme. Edhe ne si Dinamo, edhe Tirana. Kanë bërë lojëra të mira, por vazhdimësia nuk ka qenë prezent te të dy ekipet, që do të thotë se gjithçka nis nga e para. Besoj se jo vetëm fillimi i ndeshjes, por e gjitha duhet të jetë e kujdesshme. Megjithatë, ekipet nuk do të jenë të kujdesshme se është derbi i parë, do të shkojnë drejt portave me forca të mëdha në sulm.

Derbit janë të paparashikueshëm, na pëlqen të shkojmë drejt fitores. Por për të shkuar drejt saj duhet të derdhim shumë djersë. Një element i fortë i kundërshtarit janë tranzicionet e forta pozitive e negative. Ne kemi mungesa por duhet t’i hedhim pas krahëve. Të shohim çfarë do të bëjnë lojtarët nga minuta e parë, do të kemi ndryshime në disa pozicione, besoj që ajo që mund të them në nivel parashikimi është që spektakli do të jetë prezent, nëse do të mbushet stadiumi, nga tifozët tonë apo të Tiranës. Ky vakum mund të të shtojë më shumë spektaklin nëse do të kemi edhe sportdashës të Vlorës, që mund t’i japin një bukuri tjetër këtij spektakli. Spektakli nuk do mungojë në derbi, këtë mund ta them”,- tha ai.