Ballina Lifestyle “Diddy ishte i dashuruar pas vetes”, rrëfehet ish-publicisti i yllit të muzikës:...

“Diddy ishte i dashuruar pas vetes”, rrëfehet ish-publicisti i yllit të muzikës: Donte të merrte vëmendje nga festat!

16
0

Ishte një kohë kur një ftesë për një festë të organizuar nga Sean “Diddy” Combs ishte një nga biletat më të kërkuara në industrinë e argëtimit.

Me listat e të ftuarve që përfshinin Jay-Z, Beyoncé, Justin Bieber, Mariah Carey, Paris Hilton, Jennifer Lopez etj. ishte një shans për të qëndruar me disa nga personazhet më të famshëm.

“Kur Diddy ju shkeli syrin dhe ju tha ejani në seksionin VIP, e dinit se do të kalonit një natë vërtet të bukur”, tha ish-publicisti reperit, Rob Shuter në një intervistë ekskluzive për BBC News.

Tani, ish-klienti i Shuter qëndron në një qeli burgu në Bruklin.

Rënia nga “froni” e Diddy-t ka qenë e shpejtë, me një çështje të gjerë penale federale që e akuzon atë për një komplot trafikimi seksual dhe shantazhi.

Qindra padi civile janë ngritur gjithashtu, duke akuzuar manjatin e muzikës për sulme, përdhunime dhe zhvatje seksuale. Një avokat tha se ai përfaqëson më shumë se 100 viktima të supozuara që pretendojnë se janë abuzuar seksualisht nga ish-ylli i muzikës botërore.

Reperi i lindur në Harlem ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje, qoftë në lidhje me akuzat penale apo civile.

Një zëdhënës mohoi akuzat kundër Diddy dhe i tha BBC News për këtë histori se: “Combs mbetet i fortë, i shëndetshëm dhe i disiplinuar, plotësisht i përkushtuar në mbrojtjen e tij me mbështetjen e palëkundur të familjes së tij, ekipit ligjor dhe të vërtetës”.

Ai do të dalë përpara trupit gjykues në maj 2025.

Shuter, i cili punoi për Diddy nga 2002-04, tha se Combs ishte në një moment kyç në karrierën e tij kur filloi të punonte për reperin.

Combs kishte themeluar Bad Boy Records në vitin 1993, një label që përfaqësonte disa nga emrat më të mëdhenj të hip hopit, duke përfshirë artistë si Notorious BIG dhe Usher. Në vitin 1998, ai krijoi linjën e veshjeve Sean John që më vonë u bë një fenomen kulturor. Ai madje krijoi një kompani mediatike, duke u bërë prezantues i shfaqjeve të shumta ku zbulonte talente të reja dhe do t’i bënte njerëzit yje.

Shuter tha se kur iu bashkua botës së reperit, Combs donte të transformonte personalitetin e tij dhe të ngrinte karrierën e tij, duke kërkuar të përdorte festat e tij për ta mbajtur veten në qendër të industrisë së argëtimit.

“Ai zbuloi një mënyrë për të marrë më shumë vëmendje dhe kjo ishte nëpërmjetë festave të tij, i cili kërkoi të merrte titullin si ‘Mbreti i Festave’ të Nju Jorkut”, tha Shuter.

Ai gjithashtu shtoi se Combs ishte i fiksuar pas pushtetit dhe një dëshirë të thellë për të mbetur i famshëm, duke shpjeguar se yllit i pëlqente të fotografohej dhe donte të tregonte stilin e jetës së tij. Ishte detyra e Shuter të ndihmonte për të mbajtur Diddy-n në krye të mediave. “Të qenit pjesë e rrethit të tij, ishte si të ishe pjesë e një cirku. Diddy ishte mjeshtri”.

Ai tha se kurrë nuk ka qenë dëshmitar i ndonjë sjelljeje të keqe seksuale. “Unë kam parë çekuilibër të pushtetit. Ajo që nuk kam parë është ajo që pretendohet tani, e cila është thjesht e tmerrshme”, tha Shuter.

“Arsyeja pse ai ishte një superstar i tillë është sepse gjithçka që ai mendonte ishte ‘Diddy’. Nga momenti kur zgjohet deri në minutën kur shkon në shtrat. Hobi i Diddy-t ishte vetë Diddy”, shtoi ish-publicisti i artistit.

Ai pretendon se Combs kishte gjithashtu një magjepsje të thellë me familjen mbretërore britanike. Shuter tha se i është kërkuar më shumë se 10 herë të telefonojë Princin Harry dhe Princin William me ftesa për festa, duke u ofruar të mbulojnë udhëtimin, akomodimin dhe madje të paguajnë për sigurinë e tyre.

Në apartamentin e tij luksoz në Nju Jork, reperi mbante korniza të princave, tha Shuter, duke shpjeguar: “Ai e mendonte veten si një mbret, kështu që ka kuptim të plotë që ai do të donte të kishte dy princa në shoqërinë e tij”.

Si Harry ashtu edhe William nuk pranuan kurrë një ftesë nga Combs, shtoi ai. Por t’i thuash “jo” manjatit të muzikës nuk ishte diçka që e bënë shumë të tjerë.

“Kishte gjithmonë armë rreth Diddy-t”, tha Shuter, duke përshkruar detektorët metalikë në apartamentin e tij që ngjanin me ata të një aeroport.

Ish-publicisti tha se kishte armë zjarri në të gjithë shtëpinë e reperit. Në banesën e tij private, rojet e sigurisë kishin armë të lidhura në kyçin e këmbës. Combs mbante një rreth të ngushtë dhe ishte serioz për sigurinë dhe imazhin e tij.